Brickos

Ministrja Dumoshi: Kosova ka shënuar progres në infrastrukturën sportive

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, së bashku me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka takuar presidentin e UEFA-së, Aleksander Ceferin, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në futbollin e Kosovës dhe rreth investimeve të shumta që po realizon MKRS-ja në funksion të përmirësimit të infrastrukturës sportive në vend. Ministrja Dumoshi u shpreh se Kosova ka shënuar progres në infrastrukturën sportive dhe gjithashtu po punohet me dinamikë të shtuar me qëllim të përmirësimit të cilësisë së infrastrukturës sportive sipas rekomandimeve të UEFA-së. Po ashtu, ministrja Dumoshi e falënderoi presidentin Ceferin për përkrahjen e vazhdueshme që UEFA i ka dhënë futbollit të Kosovës, sidomos pas anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, dhe shtoi se kjo është një arritje e madhe e Kosovës. Pas takimit, ministrja Dumoshi, së bashku me presidentin Ceferin dhe kryetarin e FFK-së, Vokrrin, vizituan punimet në Stadiumin e Prishtinës. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, u shpreh i kënaqur me dinamikën e punimeve në këtë stadium. Ndërsa ministrja Dumoshi u shpreh se MKRS-ja do të punojë që të realizojë edhe pjesën e mbetur të investimeve, me qëllim që të përfundojë sa më parë renovimi i tërësishëm i këtij stadiumi. Dumoshi me këtë rast e falënderoi edhe kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrrin për angazhimin e tij të palodhshëm për zhvillimin dhe avancimin e sportit të Kosovës. Në kuadër të vizitës, Presidenti i UEFA-së, Ceferin, i shoqëruar nga ministrja Dumoshi dhe kryetari i FFK-së, Vokrri, qëndruan edhe në Muzeun Shtëpia e Pavarësisë  “Ibrahim Rugova”.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt akademi përkujtimore në nderim të heroit Abaz Thaçi dhe 10 dëshmorëve tjerë nga Drenica

Në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina” në qytetin e Skenderajt është mbajtur akademi përkujtimore në …