MKRS ka rritur përkrahjen për librin

23 prilli është përzgjedhur si Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të Drejtave Autoriale e që shënon kuptimin simbolik për letërsinë botërore. Në kuadër të kësaj dite është organizuar një aktivitet letrar në qytetin e Vushtrrisë, në të cilin janë mbajtur diskutime që kanë të bëjnë me librin, sfidat me të cilat përballet ai, mungesën e lexuesit si dhe është bërë leximi i poezive të ndryshme nga krijuesit e rinj.

Në këtë aktivitet letrar kanë marrë pjesë zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, deputetja Xhevahire Izmaku, Rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ramë Vata, krijues dhe dashamirë të artit letrar, përfaqësues të qeverisë lokale, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme e fillore.

“Vushtrria njihet për traditën e saj dhe kjo urë prapa meje, ndonëse nuk rrjedh uji nën të, është simbol i traditës qytetare dhe mendimit intelektual e artistik që posedon Vushtrria duke dhënë shumë njerëz që kanë kontribuuar për vendin tonë në çdo aspekt” tha zëvendësministri Hoti, duke shprehur mirënjohjen në emër të MKRS-së për organizimin e këtij aktiviteti dhe shënimin e një date të rëndësishme siç është Dita Ndërkombëtare e Librit.

Ai tha se MKRS-ja, ka një kujdes të veçantë për politikat e librit në vend. “Ministria ka rritur në vazhdimësi përkrahjen për botimin dhe shpërndarjen e librit. MKRS-ja çdo vit përkrah botimet letrare dhe blen botime nga autorë të njohur dhe i shpërndan anekënd bibliotekave të Kosovës. Në prizmin kësaj mbështetjeje, përmes subvencioneve në fushën e kulturës, MKRS-ja ndihmon bibliotekat komunale me fonde të konsiderueshme të librave”, tha Hoti.

Në këtë aktivitet u vlerësua se sfidë për librin mbetet mosleximi i tij në nivelin e duhur, dhe për këtë ka shumë arsye, ku ndër kryesoret u vlerësua interneti dhe teknologjia.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti ka vizituar nga afër punimet në asfaltimin e rrugëve në fshatin Lubishtë

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtor, ka vizituar sot fshatin Lubishtë të …