MKRS nënshkruan memorandum me Ferizajn në vlerë mbi 4 milion euro për Qendrën Multifunksionale

Qyteti i Ferizajt do të bëhet me Qendër Multifunksionale, projekt i parë i kësaj natyre në Kosovë. Kjo pasi Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu. Projekti kapital, i cili është investim i MKRS-së, sipas memorandumit, parasheh që të investohen mbi 4 milionë euro të ndara në 3 vite, 2019 deri 2021. Me këtë rast, ministri Gashi sqaroi se projekti në fjalë, është projekti i parë në Kosovë i kësaj natyre, ku do të ndërtohet një qendër me shumë funksione, për të organizuar koncerte, ngjarje e takime të ndryshme kulturore e të rinisë. “Është projekti i parë në Republikën e Kosovës. Është një projekt i cili ngërthen në vete hapësira të ndryshme për zhvillimin e aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive, në mesin e të cilëve do të ketë edhe një sallë prej 840 ulëseve, pastaj hapësira për galeri si dhe pjesë e qendrës do të jetë edhe muzeu i qytetit si dhe sallat koncertale e teatrale”, sqaroi mes tjerash ministri Gashi. Ministri foli edhe për bashkëpunimin e deritashëm që MKRS-ja ka pas me Komunën e Ferizajt, dhe falënderoi drejtuesit e komunës për gatishmërinë dhe përkushtimin për të punuar dhe shtyrë përpara projektet që janë në dobi të Ferizajt me rrethinë, duke thënë se në qytetin e Ferizajt planifikohen që për tri vitet e ardhshme të investohen mbi 10 milionë euro. Ministri Gashi po ashtu përmendi edhe projektet që janë finalizuar sa ishte ministër dhe ato që janë në finalizim e sipër si investimet në rinovimin e stadiumit të qytetit dhe finalizimin e sallës së sporteve dhe panaireve në Greme, rinovimin e teatrit aktual dhe tërë këto po bëhen, sipas ministrit, sepse Ferizaji ka një traditë jashtëzakonisht të mirë të zhvillimit të aktiviteteve. “Kemi përkrahur edhe shumë aktivitete e festivale me karakter kombëtar e ndërkombëtar në Ferizaj”, u shpreh ministri Gashi duke treguar mbështetjen e institucionit për jetën kulturore e sportive në Ferizaj. Ndërkaq, kryetari Agim Aliu, tha se sot është një ditë e gëzuar për Ferizajn, ngase bashkë me ministrin nënshkruan një memorandum shumë të rëndësishëm për komunën dhe qytetin që ai udhëheq. “Ajo që e bën të veçantë ditën e sotshme dhe në përgjithësi mbështetjen e projekteve që janë bërë nga ministri Gashi është se sot kemi nënshkruar një projekt unik për Ferizajn, Qendrën Multifunksionale. Dhe me këtë rast, e falënderoj ministrin Gashi për vazhdimësinë e mbështetjes që keni treguar gjatë këtyre dy viteve”, tha Aliu. Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, i pranishëm ishte ish-deputeti i kësaj zone, Ilmi Reçica, i cili tha se ky projekt në radhë të parë do të jetë në interes të qytetarëve të Ferizajt dhe falënderoi ministrin Gashi e kryetarin Aliu për punën dhe bashkëpunimin e mrekullueshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti reagon ashpër ndaj ndaljeve të shpeshta të energjisë elektrike dhe furnizimit jo stabil

Pas pranimit të shqetësimeve të shumta nga qytetarët rreth furnizimit jo të rregullt me energji …