leoni

MSc. Adem Lushaj: Vështrim rreth monografisë, “Profili i Bjeshkëve Nemuna”, të autorit Sadri Lokaj

MSc. Adem Lushaj: Vështrim rreth monografisë, “Profili i Bjeshkëve Nemuna”, të autorit Sadri Lokaj

Profili i Bjeshkëve të Nemuna”, monografi që promovon bukuritë natyrore të Deçanit dhe Junikut

Para se të flasim në aspektin konceptual të monografisë, më duhet ta them, se një monografi e këtij niveli, i kishte munguar Deçanit, i ka munguar lexuesit, turistëve dhe vet hulumtuesve të fushës. Me gjasë, ky përkushtim i Sadri Lokaj, për të promovuar bukuritë e Bjeshkëve të Deçanit dhe Junikut, ka ardhur për dy arsye.

E para, si dashamirës fanatik i natyrës, e mos të themi se trupin e kishte rritur nëpër këto bjeshkë, sikurse që po kalon pleqërinë e tij.

E dyta, këtë e bën si njohës i mirë i fushës së hulumtuar, si studiues biologjisë dhe topografisë.

Turizmi si një proces me zgjerimin e vet zhvillimor, viteve të fundit është shndërruar në industri globale. Por, duhet ta konceptojmë se “turizmi si komponent i fuqishëm i zhvillimit ekonomik, ka parasysh edhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, si parakusht për turizmin e qëndrueshëm”. Po ashtu, duhet ta kemi parasysh se zhvillimi ekonomik i një vendi, këtë rast edhe zhvillimi i turizmit, është ngushtë i ndërlidhur me resurset natyrore që posedon ai vend. Ndaj, Komuna e Deçanit dhe Junikut, me resurset e tyre natyrore, kanë gjitha potencialet për të zhvilluar çdo lloj të turizmit, qoftë masiv apo alternativ, dimëror apo veror. Këtë gjë ua mundëson masivi i Bjeshkëve të Nemuna, të cilat po quhen edhe si Bjeshkët e bekuara. Këto resurse natyrore janë pasqyruar edhe në punimin “Profili i Bjeshkëve Nemuna”, ku autori e ka ilustruar me fotografi, me përshkrime dhe me emërtime shkencore. Relievi, flora dhe fauna, hidrografia, klima, peisazhet, pyjet, vendet e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, shpellat,…janë ndër faktorët e zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, të cilët janë përshkruara në hollësi nga autori i librit.

Për ta zhvilluar turizmin, nuk mjafton të kemi veç resurset. Por, krahas investimeve në infrastrukturë, si parakusht për të investuar në këtë fushë, ka rol të veçantë promocioni, si pjesë integrale e marketingut turistik. Pra, vlerat tona natyrore, duhet promovuar duke gjet rrugët, nga më të ndryshmet. Këtë gjë po e bën edhe Sadri Lokaj, me punimin e tij për të cilin ishte angazhuar me vite.

Sadri Lokaj, duke prezantuar të dhëna, si dhe duke dhënë propozime të sakta, ka nxjerrë në pah se në Bjeshkët e Deçanit dhe Junikut, ka disa vende që mund të shndërrohen në Qendra të Skijimit, por gjithnjë duke i dhënë prioritet Qendrës së skijimit në Bjeshkën e Belegut. Lokaj, ka treguar se Dervishkomi mund të jetë njëra nga Qendrat me atraksion të madh për skijim, sikurse që ka përshkruar edhe për qendra tjera të skijimit, si: Bjeshka e Strellcit dhe Rrasa e Zogut.

Si një profesionist i vërtetë, njohës i shkëlqyer i florës dhe faunës, Lokaj, pos ilustrimit me fotografi, ka vënë edhe emërtimet origjinale për çdo lloj të bimëve dhe shtazëve që gjenden në këto bjeshkë. Syrit dhe kamerës së tij, nuk i kanë shpëtuar kafshët që jetojnë në këto vise, si: kaprolli, dhia e egër, dhelpra, ariu, ujku, derri, rrëqebulli, vjedulla, macja, gjarpërinjtë,…sikurse llojet e shumta të shpezëve dhe bimëve.

Edhe pse me disa vite mbi supe, me këmbët e tij të çelikta, nuk ka lënë shpellë pa vizituar. Shpella e zezë, Shpella e vetëtimës, e Bojkut, e Lojzave, Shpella e arushës, e Murselit, shpella e njeriut të egër, …janë vetëm disa nga shpellat që po përmendi në listën e tij prej 35 emërtimeve të kësaj natyre.

Ndër resursit jashtëzakonisht tërheqës për turistët vendor e ndërkombëtar, janë liqenjtë, siç janë: Liqenjtë e Gjeravicës, Liqeni i Pllaqicës së Vokshit, Liqeni i Tropojës, Liqeni i vjetave, Liqeni leqe-leqe, Liqeni e kuq dhe të zi. Autori Lokaj, pyjet, shkrepat, majat e larta, luginat, liqenjtë,…me të drejtë i quan “Perla të Bjeshkëve të Nemuna”, ngase pamjet mahnitëse të prezantuara në këtë libër, janë jashtëzakonisht tërheqëse për çdo vizitor. Por, autori është i zhgënjyer me gjendjen dhe kujdesin që po tregohet ndaj pyjeve, apo mjedisit në përgjithësi. “Të gjithë së bashku duhet ti mbrojmë, ti shtojmë, dhe të përkujdesemi për pyjet, për mjedisin, se kështu kujdesemi për shëndetin dhe mirëqenien tonë”, është porosi e autorit, ku porosia e tij e veçantë është për ruajtjen e gështenjës, ngase është e rrezikuar nga zhdukja. Në këtë monografi, Lokaj ka treguar se zhvillimi i turizmit ngërthen në vete edhe trashëgiminë natyrore dhe kulturore. “Kroni i nuses”, “Kroni i priftit”, “Gurrat e Hasanagës”, “Kroni i pashës”, “Varri i vajzës”, “Ku k’cejnë dragoit”, “Huni maxhupit”, “Gropa e magaricës”,…janë vetëm disa nga toponimet e shumta të cekura nga autori, duke mos harruar edhe ushqimet dhe veshjet tradicionale, e sidomos kullat që janë karakteristikë për këtë trevë.

Pra, përmes këtij punimi, krahas prezantimit të bukurive natyrore që ofrojnë Bjeshkët e Nemuna, autori është munduar të ofrojë të dhëna të duhura për institucionet lokale e qendrore, që të hartojnë strategji për shfrytëzimin e këtyre resurseve natyrore, për ta zhvilluar turizmin masiv dhe alternativ. Gjithashtu, autori ka ftuar investitorët vendorë e ndërkombëtarë, që kapitalin e tyre ta orientojnë kah zhvillimi i turizmit në Bjeshkët e Deçanit dhe të Junikut.

“Profili i Bjeshkëve të Nemuna”, siç shprehët edhe vet autori, veç që ka hapur rrugë për punime tjera, ashtu që fusha e turizmit në Bjeshkët e Deçanit dhe Junikut, të jetë mundësi studimi dhe hartimi të projekteve zhvillimore, nga do përfiton e gjitha ekonomia e Kosovës, e jo vetëm e këtyre dy komunave.

Si përfundim mund të themi se Deçani dhe Juniku, kanë resurse te bollshme për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, si sektor i pandashëm i zhvillimit. Mirëpo, kërkohet angazhim institucional dhe profesional për promovim të këtyre resurseve. Për të dhënë vlerësimin meritor këtij libri, nevojitet kohë dhe profesionalizëm i nivelit të lartë, çka nuk jam i tillë. Por, do përmendi thënien: “Libri kur të botohet, nuk është i autorit por i lexuesit”! Pra, lexuesi do jep vlerësimin më të mirë. Pse jo, edhe vlerësime kritike.

MSc. Adem Lushaj: Vështrim rreth monografisë, “Profili i Bjeshkëve Nemuna”, të autorit Sadri Lokaj

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …