Sylë Ukshini: “Vilajeti i Kosovës (1877–1912): Rrethanat politike, shoqërore dhe kulturore”.

Ky libër është rezultat i shumë viteve kërkimi shkencor në arkiva, biblioteka dhe qendra studimore në Austri, Gjermani dhe vende të tjera, i mbështetur në një korpus të gjerë burimesh diplomatike, arkivore dhe historiografike. Synimi im ka qenë ta vendos Vilajetin e Kosovës në qendër të zhvillimeve politike dhe diplomatike të Ballkanit në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, duke sjellë një lexim kritik të burimeve dhe një kontribut në historiografinë shqiptare.
Për mua, puna kërkimore-shkencore nuk është vetëm profesion, por një pasion që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. Pikërisht ky pasion më ka dhënë forcën të përballoj sfidat, pengesat dhe vështirësitë e shumta të rrugëtimit tim jetësor. Në momentet më të vështira, kërkimi shkencor ka qenë burim force, motivimi dhe qëndrueshmërie, duke më ndihmuar të mos dorëzohem përballë asnjë sfide, por të vazhdoj të krijoj dhe të kontribuoj.
Ky libër pasqyron edhe filozofinë time të të shkruarit shkencor. Gjatë formimit tim akademik në universitetet evropiane pata privilegjin të përvetësoj standarde bashkëkohore të kërkimit, metodologji të avancuara dhe një kulturë të mendimit kritik, të cilat janë bërë pjesë e pandashme e mënyrës sime të të shkruarit. Prandaj, kjo monografi synon të arrijë standardet e shkrimit akademik që kultivohen në Evropë dhe të dalë përtej interpretimeve lineare të historisë. Ambicia ime ka qenë të ndërtoj një urë komunikimi me historianët dhe studiuesit ndërkombëtarë që merren me historinë e Kosovës, duke e trajtuar atë jo vetëm si një rrëfim ngjarjesh, por si rezultat të ndërveprimit të historisë me diplomacinë, gjeopolitikën, ekuilibrat ndërkombëtarë dhe interesat strategjike të fuqive të mëdha.
Besoj se lexuesi, përmes këtij libri, nuk do të kuptojë vetëm historinë e Vilajetit të Kosovës, por edhe rrënjët e shumë zhvillimeve që vazhdojnë të ndikojnë në të tashmen. Shumë prej sfidave që shoqërojnë edhe sot marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe kompleksiteti i diplomacisë ndërkombëtare në rajon, nuk mund të kuptohen pa njohur proceset historike që i kanë paraprirë. Në këtë kuptim, kjo monografi synon të jetë jo vetëm një studim historik, por edhe një kontribut për të kuptuar më mirë të tashmen dhe për të reflektuar mbi të ardhmen.
Ky libër ka për mua edhe një domethënie të veçantë personale.
Ia kushtoj nënës sime, e cila me sakrificën, dashurinë dhe edukatën e saj më mësoi se rruga drejt dijes ndërtohet me punë, përkushtim dhe ndershmëri.
Ia kushtoj këtë libër edhe studentëve të mi në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, me dëshirën që ai të shërbejë si një nxitje për kultivimin e mendimit kritik, të kërkimit shkencor dhe të integritetit akademik, duke i frymëzuar në rrugëtimin e tyre drejt formimit intelektual dhe profesional.
Shpresoj që kjo monografi të japë një kontribut modest në studimet mbi historinë e Kosovës dhe të shërbejë si një referencë e dobishme për historianët, studiuesit dhe studentët.
Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që më kanë mbështetur në këtë rrugëtim. Çdo libër është fryt i punës së autorit, por edhe i besimit, mbështetjes dhe frymëzimit që ai merr nga njerëzit që e shoqërojnë në këtë rrugë.

Kontrolloni gjithashtu

Monumentet e Lirisë”, një testament i kujtesës historike të Deçanit

Publicisti dhe studiuesi i njohur deçanas, Faton Mehmetaj, vjen para lexuesit me librin e tij …