(Mr.Jusuf Zejnullahu: Feronikeli – nga dështimi, në gjigant metalurgjik; botoi Printing Press, Prishtinë, 2026)
Është ky libri më i ri i politikanit, ekonomistit dhe qeveritarit të njohur të Kosovës, mr.Jusuf Zejnullahu ((1944), mbi historinë e një investimi të madh, mbi 940 miliona dollarë, që për shkak të organizimit të dobët të punëve investive dhe të metave në projekte dhe në kontratat mbi teknologjinë e prodhimit, organizimit dhe udhëheqjes së dobët, po edhe të faktorëve politik – rrezikohej të dështonte. Është fjala për industrinë metalurgjike të Feronikelit, në Gllogovc (Drenas).
Në libër është shtjelluar historia dhe realiteti i Feronikelit, që nga zbulimi gjeologjik i xehes, në dy lokacione në Kosovë, në Çikatovë të Gllogovcit dhe në Gllarevë të Lipjanit, themelimi i Ndërmarrjes Feronikeli, punët investive në ndërtimin e objekteve, blerjen dhe montimin e stabilimenteve dhe teknologjisë së metalurgjisë, puna provuese e deri te prodhimi i rregullt dhe rafinimi i nikelit, aq i rëndësishëm për industrinë e çelikut që nuk ndryshket. Në këtë varg të gjatë të punëve, prej zbulimit të xehes e deri te prodhimi i nikelit, është varg i gjatë i punëve e proceseve, synimeve, tendencave, dështimeve, sukseseve. Në të gjitha këto procese, faktori njeri, i përgatitur profesionalisht dhe vendosmërisht i përkushtuar në punë, është faktor dominant. Kjo përshtypje dhe bindje krijohet kur lexon librin ‘’Feronikeli – nga dështimi, në gjigant metalurgjik’’.
Pas parathënies (fq.9-12), në kapitullin e parë (fq.13-33) të librit : ‘’Feronikeli, nga dështimi në gjigant metalurgjik’’, autori në mënyrë kronologjike jep një pasqyrë për synimet e realizimit të projektit ‘’Feronikeli’’; ambientin sistemor të investimeve: faktorët ndikues në investimin e prodhimit të nikelit: formimin e Ndërmarrjes ‘’Feronikeli’’ në Gllogovc (Drenas): ecurinë e realizimit të investimeve.
Në kapitullin e dytë (fq.39-44), shpjegon tendencat dhe kërkesat për shpalljen e dështimit të projektit, dhe emërimin e tij në pozitën e drejtorit të përgjithshëm.
Në kapitullin e tretë (fq.57-132), përmes 14 vendimeve strategjike dhe urdhërave operative të marrura në nivel të Kompleksit të Feronikelit, pasqyrohet gjithë aktiviteti i organizimit dhe udhëheqjes së punëve ndërtimore e montuese , eliminimi i dobësive dhe anarkisë në punë, vurjen e rregullit dhe disiplinës, suksesin e arritur dhe eliminimin e tendencës për shpalljen e dështimit të projektit, ndërrimin e teknologjisë së prodhimit, aftëimin e ekspertëve vendorë dhe largimin e ekspertëve të huaj, shkëputjen e kontratës me projektuesin e teknologjisë dhe mbikëqyrjes së procesit të prodhimit provues. Janë këto vendime radikale që kanë shkaktuar tronditje në praktikën e udhëheqjes dhe marrëdhëniet që kishin ekzistuar në kolektivin me rreth 2000 punëtor e me qindra ekspertë të jashtëm, në mesin e të cilëve rreth 200 ekspertë rus të teknologjisë dhe metalurgjisë.
Kapitulli ‘’Ndodhitë në Fabrikë’’(fq.144-187), është një set ngjarjesh të vërteta dhe interesante të ndodhura në dhe rreth kompleksit të Feronikelit, të treguara si anekdota të lezetshme për lexim, me një dozë humori e satire të lehtë e të këndshme për lexim. Ka në libër edhe 40 foto (fq.47-55 dhe fq.136-143), në të cilat vizuelisht tregohen objektet, teknologjia dhe faza të ndryshme të procesit të punës e prodhimit.
Themlimi i Ndërmarrjes Feronikeli
Pas hulumtimeve të gjata gjeologjike dhe zbulimit të bilancuar 20 milion tonë të xehes me një përbërje të caktuar të feronikelit, Kuvendi i Kosovës (1979) vendosi të themelojë Ndërmarrjen për Feronikelin, me seli në Gllogovc. Kuvendi kishte siguruar investimet fillestare për ndërmarrjen në themelim, në shumë mbi 500 milion dollarë amerikanë, dhe ishte garantues për kredi bankare. Parakushtet për punë të suksesshme të ndërmarrjes ishin të favorshme, sepse xehja nxirrej me mihje sipërfaqësore, energjia elektrike dhe gazi merrej nga Kombinati në Obiliq, uji nga Hidrosistemi ‘’Ibër-Lepenc’’, guri gëlqeror e komponentë tjera të nevojshme për procesin e prodhimit gjithashtu siguroheshin në vend. Mbetej të ndërtohen objektet e të blehet teknologjia. Dokumentacionin investiv, për objektet, stabilimentet, montimin dhe teknologjinë, i kishte bërë firma ruse ‘’Gipronikel’’ e Moskës. Për ndërtimin e objekteve ishin angazhuar shumë ndërmarrje e kompani ndërtimore e montuese, në të cilat, në faza të ndryshme ishin angazhuar deri 7000 punëtorë të profileve të ndryshme, në mesin e të cilëve kishte edhe shumë ekspertë të jashtëm.
Mirëpo punët ndërtimore zvarriteshin shumë, kaluan katër vjet nga themelimi i ndërmarrjes dhe gjasat për fillimin e punës prodhuese nuk dukeshin askund, investimet gati ishin dyfishuar, prej 500 kishin arritur në 940 milion dollarë, në tregun e jashtëm kishte rënë çmimi i nikelit. Kuvendi i Kosovës, si themelues dhe investitor i projektit, nuk ishte i gatshëm të ndajë mjete tjera për të investuar në Feronikël. As bankat nuk i jepnin kredi për një projekt që ishte para dështimit. Mendohej të ndërpriten punët dhe të konzervoheshin objektet e ndërtuara për një kohë të pacaktuar, deri sa të krijoheshin kushte të favorshme për të vazhduar e kryer projektin. Kjo në të vërtetë do të thoshte dështim i projektit. Një aspekt tjetër latent për dështimin e projektit të Feronikelit ishte kriza që e kishte kapluar Kombinatin ‘Fe-Ni’’ të Kavadarcit (Maqedoni). Dikujt i levërdiste të dështojë projekti i Feronikelit të Gllogovcit, në mënyrë që xehja e nikelit nga minierat e Kosovës të transportoheshin (200 km) e përpunoheshin në Fe-Nin e Kavadarcit. Xehja e Kosovës përkah kualiteti i përmbajtjes me nikel, ishte dyfish më e mirë se ajo e Maqedonisë.
Në situatë të tillë, krerët e udhëheqjes më të lartë të Kosovës, e thërrasin Jusuf Zejnullahun në bisedë për ta marrë detyrën e drejtorit të përgjithshëm të kompleksit të Feronikelit. Ç’është e vërteta, këtij i ofrohej detyra më tepër për mbylljen e investimit, sesa për ta shpëtuar atë, por për hirë ‘’të kurtoazisë’’ i premtojnë ndihmë dhe mospengesë në punë. Nuk ishte zakon të refuzohej një detyrë e lartë e caktuar, prandaj Jusufi e pranon detyrën dhe deklaron se as nuk i nevojitet ndihma, as nuk lejon të pengohet nga kushdo qoftë. Detyrën e drejtorit të përgjithshëm të Feronikelit, e mori në vitin 1983.
Jo vetëm në qarqe të ndryshme të opinionit, por edhe mjetet e informimit kishin përhapur mendimin se projekti i Feronikelit është i dështuar dhe se vetëm pritet dita kur do të shpallet mbyllja e tij. Situata në ndërmarrje ishte bërë kaotike, që rrezikonte sigurinë fizike dhe mbrojtjen e mjeteve. Në kantieret e ndërmarrjes hynin e dilnin njerëz pa kurrëfar kontrolli. Për ta ndërprerë atë gjendje kaotike, vendimi i parë i drejtorit të ri ishte formuluar në një urdhër të prerë, me dy dispozita:
- Ndalohet hyrja pa leje, në të gjitha objektet e Feronikelit. Lejet për hyrje në objekte i jep drejtoria e përgjithshme
- Ndalohet komunikimi me publik dhe mjete të informimit. Vetëm drejtoria e përgjithshme komunikon me opinionin
Ky vendim dhe urdhër iu dha shërbimit të sigurimt të objekteve, për ta zbatuar pa asnjë përjashtim. Vendimi vlente edhe për zyrtarë të shtetit, posaçërisht për organet e punëve të brendshme dhe policisë.
Në objektet e standardit shoqëror brenda Feronikelit ishte vendosur një njësi e policisë, të cilët gjatë ditës shkonin në detyrë në terren, ndërsa aty ktheheshin e banonin. Drejtori i ri e takon komandantin e asaj njësie dhe i jep urdhër të prerë:
‘’Keni dy orë afat ta lironi objektin dhe përfundimisht të largoheni nga oborri i ndërmarrjes!’’.
Në afatin e caktuar, njësia e policisë e liroi objektin dhe u largua nga oborri i Fabrikës. U ndërprenë hyrje-daljet e njerëzve, u ndërpre edhe dezinformimi senzacional. Të gjithë ishin të befasuar me zbatimin rigoroz të urdhërave.
Pas një analize të gjendjes nga procesi i realizimit të projektit, drejtori i ri, me bashkëpunëtorët kishin zbuluar mangësi të shumta të përcjelljes dhe kontrollit të punëve të përditshme në ndërtimin e objekteve dhe montimin e pajisjeve. Ekspertët e huaj, sidomos ata rusë që ishin më të shumtët, silleshin me një komoditet pa e vrarë mendjen për zhvillimin e punëve. Ata merrnin paga të larta, madje edhe në pushime në det shkonin me mjete të Ndërmarrjes. Nga ana tjetër, nga analiza e faktorëve që kishin sjellë atë gjendje, shihej se faktorët objektivë për realizimin e projektit ishin të favorshëm, por dobësitë subjektive e kishin sjellur gjendjen para dështimit. Në situatë të tillë, pason vendimi i dytë i drejtorit të përgjithshëm:
‘’Aktivizimi e jo dështimi i projektit të Feronikelit’’
Shpallja publike e këtij vendimi i befasoi ata që pritnin dështimin, por i gëzoi dhe enthusiazmoi punëtorët dhe ekspertët vendorë të Feronikelit. Në kaudër të drejtorisë së përgjithshme u formua shtabi i përcjelljes dhe evidentimit rigoroz të punëve ditore, sipas pozicioneve të ndërtimit. Pagesa bëhej vetëm për punët e kryera, por zbatoheshin edhe penale për vonesa ose moskryerje të punëve në afatet e kontraktuara.
Vendimet e tjera i impononte vet procesi i ndërtimit dhe aktivizimit të objektit në tërësinë e tij.
Një raport i hollësishëm mbi shkallën e realizimit të investimit, iu paraqit Kuvendit të Kosovës, me konkluzionin se projekti duhet të përfundohet dhe të vihet në funksion. Me rastin e shqyrtimit të raportit, Drejtori i Përgjithshëm argumentoi bindshëm se projekti i Feronikelit mund të përfundohet me sukses e të vëhet në veprim. Raporti mori përkrahjen e Kuvendit, ndonëse Qeveria më shumë kishte anuar kah konzervimi i objekteve.
Pas analizës së kontratave me ndërmarrjet ndërtuese, dhe pas inspektimit detal të objekteve, u zbuluan shumë dobësi subjektive të drejtuesve, inxhinierëve dhe operuesve, që ishte pasojë e organizimit të dobët. Deri atëherë, projekti dhe investimet ishin nën kontrolle të faktorëve të jashtëm, kryesisht të ekspertëve të huaj, të cilët nuk ishin të interesuar t’i kryenin punët sa më shpejt. Kjo situatë imponoi nevojën që tërë projekti dhe investimet, të gjitha objektet në ndërtim dhe stabilimentet e montimit të kalojnë nën kontrollin e drejtpërdrejt të Feronikelit. Ky ishte vendimi i tretë me radhë, i dhënë në formë Urdhërese të drejtorit të pëërgjithshëm, me këtë përmbajtje:
1.Ndalohet hyrja në të gjitha objektet e Shkritores së nikelit.
- Punëkryesit dhe montazhierët mund të hyjnë në objekte vetëm me prezentimin e regjistrit të pozicioneve ditore të punimeve që duhet t’i kryejnë.
- Mbikqyrjen dhe kontrollin e punimeve e bëjnë inxhinierët e Feronikelit.
- Objektet dhe punishtet mund të lëshohen vetëm me leje të inxhinierëve të reparteve dhe pas kontrollimit të punëve të kryera sipas regjistrit të paraparë para fillimit të punës.
- Baza për pagesë të punimeve të kryera janë raportet e inxhinierëve dhe përgjegjësve të reparteve të Feronikelit.
- Përgjegjës për zbatimin e urdhërit janë drejtoria e Shkritores së nikelit, njësia e sigurimit të objektit dhe sektori financiar i Feronikelit.
- Urdhëri hyn në fuqi menjëherë, duke filluar që nga ora 7:00 në ditën pas nxjerrjes së tij.
Qëllimi ishte të vejë rend e rregullt pune, në mënyrë që ndërtimet dhe montimet të kryheshin sa më parë e të fillonte puna (provuese).Të nesërmen punëtorët nuk u lejuan të hynin brenda oborrit dhe objekteve, pasi nuk i kishin regjistrat e pozicioneve dhe punëve që duhej të kryenin atë ditë. Drejtori i përgjithshëm i ndërtimeve dhe montimit shkoi dhe ankohej te drejtori gjeneral. Ky ia sqaron çështjen e urdhërit dhe i thotë: ‘’Keni një javë afat t’i përgatitni regjistrat e pozicioneve dhe punëve ditore, në bazë të cilave do të lejohen të hyjnë në objekte. Gjatë kësaj jave sa nuk janë në punë, askujt nuk do t’i paguhen të ardhura personale.’’ Drejtori i ndërtimit, e lutë drejtorin gjeneral t’i lejojë punëtorët të hyjnë dhe qysh të nesërmen punëtorët hynë në punë me regjistra të detyrave dhe pozicioneve. Kjo bëri që ndërtimi i objekteve dhe montimet u kryen më shpejtë dhe mundësuan fillimin e punës provuese në shkritore.
Vendimi tjetër i një rëndësie të veçantë, i katërti me radhë, ishte vendimi për fillimin e punës (provuese) në shkritore. Tymi dhe flaka që dilnin nga tymtarët i befasoi të gjithë. Brenda furrës elektrike ishin 2000 tonë xehe që shkrihej metali në temperaturë deri 2000 gradë! Në kohën e duhur u bë hapja e furrës dhe rridhte metali i skuqur si llavë vullkani, që përmes kanalit derdhej në bazenin e caktuar. Ishte moment gëzimi dhe enthusiazmi i pritur gjatë. Vendimi për të filluar prodhimin provues kishte rëndësi për tërë projektin. Tash duhej faza tjetër, rafinimi i nikelit. Po, në ndërkohë ndodhi havari në furrën e shkrirjes së metaleve, që shpërtheu dhe nuk ndalej rrjedhja e llavës së metalit, gjë që rrezikonte shkatërrimin e tërë sistemit. Urdhëri tjetër i radhës ishte Mbrojtja e Shkritores. Pas konsultimit me ekspertët, ndalja e rrjedhës nga furra u arrit në bazë të ngarkimit të furrës me xehe të ftohtë, gjë që shkaktonte ngrirjen e metalit të shkrirë, për të mos rrjedhur.
Mbikqyrjen dhe kontrollimin e punës provuese e bënin ekspertët rusë. Pas evitimit të havarisë, pritej të fillonte edhe linja e dytë e shkrirjes së metalit. Por, ekspertët rus e kishin ndalë punën e shkritores, me arsyetim se tullat rezistuese ndaj zjarrit në muret e furrës po dëmtohen, po shndërrohen në hi, dhe sipas tyre, furra duhej të shkyqej nga rryma elektrike, të pritet ftohja dhe të bëhet murosja me tulla të reja. Këto punë do të mund të kryheshin për gjashtë muaj, apo edhe një vit. Sipas dokumentacionit, furra kishte garancion dhe remonti duhej të bëhej pas katër vjetëve, por nuk kishin kaluar as katër muaj dhe furra ishte ndalur. Shpjegimin e ekspertëve rusë nuk e kishte miratua drejtori i përgjithshëm, veç i kishte urdhëruar inxhinierët dhe metalurgët e Feronikelit ta ndezin përsëri furrën. Ishte ky vendim tepër i guximshëm, por që doli i drejtë dhe remonti i asaj furre u bë tek pas më se tri vjet e gjysëm prodhimi. Në ndërkohë u aktivizua edhe reparti i rafinimit të nikelit dhe kështu u kompletua tërë vija e prodhimit të feronikelit. Mirëpo, u shfaq problemi me kazanat në të cilët derdhej xehja e shkrirë, ashtu që nuk përmbusheshin parametrat e projektuar të prodhimit. Atë problem nuk e zgjidhen ekspertët rusë. Nga analiza e ekspertëve vendorë u nxor konkludimi se me atë teknologji ruse nuk mund të arrihen parametrat e projektuar të prodhimit. Pas analizës së ekspertëve vendorë, drejtori i përgjithshëm nxori vendimin tjetër, i shtati me radhë, i një rëndësie të veçantë strategjike, që ishte aplikimi i teknologjisë së re në procesin e prodhimit të nikelit.
Me zbatimin e këtij vendimi ekspertët rus më nuk e kishin kurrëfar roli drejtues as mbikëqyrës në procesin e prodhimit, kjo do të thotë se teknologjia ruse e prodhimit të nikelit kishte dështuar. Vendimi i befasoi ekspertët rusë dhe u bë çështje e marrëdhënieve midis dy shteteve. Me ftesën e qeverisë federative, drejtori i Feronikelit dha sqarimet dhe arsyet e braktisjes së teknologjisë së dështuar ruse dhe aplikimit të teknologjisë së re. Aplikimi i teknologjisë së re dhe drejtimi i prodhimit nga vet ekspertët vendorë, e bëri të panevojshme praninë e ekspertëve rusë, të cilët vetëm sa shkaktonin shpenzime. Prandaj, drejtori i përgjithshëm i Feronikelit mori vendimin, sipas të cilit ‘’Të gjithë ekspertët rusë të largohen nga Ndërmarrja Feronikeli’’. Atyre iu caktua afat një muaj për largimin.
Pas këtij vendimi për largimin e afro 200 ekspertëve rusë, në Moskë u zhvilluan bisedime me ministrin e teknologjisë, të cilit iu bë me dije se Feronikeli do të kërkojë nga pala ruse kompenzimin e dëmit të shkaktuar nga dështimi i teknologjisë së tyre dhe mjetet për blerjen e teknologjisë së re. Pas negociatave të gjata, pala ruse pranoi dështimin e teknologjisë dhe largimin e ekspertëve të tyre, por jo edhe kompensimin e dëmit. Kjo ishte edhe pasojë e mangësive të kontraktuara më parë me palën ruse.
Ekspertët vendorë dhe punëtorët, pa u penguar nga askush, vazhduan punën me sukses, duke tejkaluar parametrat e projektuara dhe Feronkeli u bë eksportues i madh, që ndikoi në bilancin pozitiv të tregtisë së jashtme të Kosovës.
Vendimet tjera me radhë të drejtorit të përgjithshëm, kishin të bënin me shitjen (eksportin) e feronikelit, importin e repromaterialeve për nevoja të prodhuesve vendorë; organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës; rregulloren dhe kriteret stimuluese për të ardhurat personale, atë për standardin shoqëror, etj.
Pas katër vjet pune intensive e të vështirë në krye të një programi investiv, i cili konsiderohej i dështuar, në saje të vizionit të qartë, organizimit të mirë, profesionalizmit, guximit, vendosmërisë, përkushtimit dhe bashkëpunimit me ekspertët vendorë, Jusuf Zejnullahu e lëshoi pozitën e drejtorit të përgjithshëm dhe u largua nga Ndërmarrja ‘’Feronikeli’’, duke lënë pas vete suksese të cilat askush nuk i kishte pritur. Ishte arritur prodhimtari kontinuele mbi parametrat e projektuara dhe Feronikeli u bë eksportues dhe krah i fortë i ekonomisë së Kosovës. Vendimi për largim ishte personal, pa asnjë ndikim nga jashtë, ndonëse për shumëkënd ishte befasues, sepse nuk ishte e zakonshme në drejtori i përgjithshëm të largohej vet kur kishte arritur kulmin e suksesit në ndërmarrjen të cilën e drejtonte.
***
Libri i Jusuf Zejnullahut: ‘’Feronikeli – nga dështimi në gjigant metalurgjik’’, nuk është roman, nuk është as monografi , nuk ka ndonjë përcaktim të zhanrit letrar, ndonëse do të mbetet vepër e çmuar në letërsinë shqipe, për pasqyrimin e historikut të një gjiganti ekonomik, me të gjitha rëniet dhe ngritjet. Është kronikë e historisë së Feronikelit, e treguar përmes vendimeve zyrtare të drejtorit të përgjithshëm. Ka elemente romani, biografie, ditari, anekdota, mendime filozofike, teori konspiracioni, ilustrime vizuele me foto. Nuk ka asnjë emër e mbiemër të përveçëm as data të sakta! Është dëshmi e një suksesi në udhëheqjen e një investimi të madh, në kushte e rrethana të vështira ekonomike e politike. Do thosha është një doracak i çmueshëm, një ‘’inteligjencë natyrale’’ që mund t’iu shërbejë udhëheqësve të ndërmarrjeve ekonomike, se si arrihet suksesi edhe në situata të pa shpresë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
