Tubimi ndërkombëtar “Bihori 1939–1948: narrativat, mitet dhe e vërteta historike” do të mbledhë studiues të historisë, demografisë, kulturës dhe kujtesës kolektive
PETNJICË, 6–9 gusht 2026 – Në Shtëpinë e Kulturës në Petnjicë, nga 6 deri më 9 gusht 2026, do të mbahet tubimi ndërkombëtar shkencor “Bihori 1939–1948: narrativat, mitet dhe e vërteta historike”.
Gjatë katër ditëve, studiues të fushave të ndryshme do të trajtojnë një nga periudhat më të ndërlikuara të historisë së Bihorit dhe Sanxhakut: vitet para Luftës së Dytë Botërore, sistemin e pushtimit, ndarjen e Sanxhakut, organizimin e formacioneve të armatosura, krimet kundër popullsisë civile, lëvizjen partizane, migrimet dhe ndryshimet shoqërore e demografike të viteve të para pas luftës.
Më shumë se 50 kumtesa në pesë sesione
Programi përfshin më shumë se 50 kumtesa, të ndara në pesë sesione tematike: “Nga e përgjithshmja te e veçanta”, “Subjektet e luftës”, “Njerëzit dhe ngjarjet”, “Epoka e re – sfidat e reja” dhe “Kultura, arsimi, shëndetësia, ekonomia dhe rrëfimi”.
Në qendër të diskutimeve do të jenë sistemi i pushtimit në Sanxhak, historiografia e Luftës së Dytë Botërore, masakra çetnike në Bihor, organizimi i mbrojtjes së popullsisë, veprimtaria e udhëheqësve dhe komandantëve lokalë, lëvizja partizane, migrimet drejt Turqisë, reforma agrare, kolonizimi, arsimi, shëndetësia dhe kujtesa gojore.
Vend të rëndësishëm në program zënë kumtesat kushtuar masakrës së popullsisë civile të Bihorit në vitin 1943 dhe krizës humanitare që pasoi. Këto ngjarje do të shqyrtohen edhe në dritën e dokumenteve arkivore shqiptare.
Pjesëmarrje e rëndësishme e studiuesve shqiptarë
Në tubim do të marrin pjesë edhe studiues shqiptarë, të cilët do të trajtojnë aspekte të ndryshme të historisë së Bihorit dhe Sanxhakut:
- Akademik Jusuf Bajraktari dhe prof. dr. Arbër Hadri – “Sistemi i pushtimit në Sanxhak dhe burimet historike të prefekturës”;
- Prof. dr. Fehmi Rexhepi – “Çështja e trekëndëshit Novi Pazar–Sjenicë–Rozhajë: marrëdhëniet shqiptaro-boshnjake në raport me Komitetin e Kosovës”;
- Dr. Sadik Krasniqi dhe kandidati për doktoraturë Besnik Rraci – “Roli i vullnetarëve të armatosur shqiptarë në mbrojtjen e popullsisë civile të Sanxhakut gjatë Luftës së Dytë Botërore”;
- Mr. Arbër Kuçi dhe prof. dr. Miftar Kurti – “Masakra çetnike ndaj popullsisë civile të Bihorit dhe Sanxhakut dhe kriza humanitare në dritën e burimeve arkivore të Shqipërisë”;
- Prof. asoc. dr. Skënder Lutfiu – “Reforma agrare, kolonizimi dhe ndryshimet etnodemografike në trevën e Bihorit (1918–1939): dëshmi nga burimet arkivore shqiptare”;
- Mr. Ismet Azizi – “‘Shqipëria e Madhe’ dhe roli i elitave lokale në Bihor (1941–1943): ndërmjet politikës së pushtuesit dhe strategjive të mbijetesës”.
Këto kumtesa do të sjellin të dhëna dhe këndvështrime mbi marrëdhëniet shqiptaro-boshnjake, veprimtarinë e Komitetit të Kosovës, rolin e vullnetarëve shqiptarë në mbrojtjen e popullsisë civile, politikën agrare dhe kolonizuese, jetën fetare, si dhe pozitën e elitave lokale në rrethanat e pushtimit dhe të luftës.
Mbrëmje akademike dhe promovim libri
Tubimi do të hapet solemnisht të enjten, më 6 gusht, në orën 18:00. Në hapje do të flasin kryetari i Komunës së Petnjicës, Samir Agović, kryetari i Këshillit Organizativ, Zaim Čelebić, dhe kryetari i Këshillit Shkencor, akademik Šerbo Rastoder.
Në mbrëmjen e parë do të organizohet një program i posaçëm me akademik Ferid Muhićin, kushtuar gjashtë dekadave nga botimi i shkrimit të tij të parë dhe veprimtarisë së tij të gjerë akademike e botuese.
Të premten, më 7 gusht, do të mbahet një mbrëmje kushtuar akademik Šerbo Rastoderit, me rastin e 70-vjetorit të lindjes dhe 40-vjetorit të veprimtarisë së tij shkencore e publike.
Të shtunën në mbrëmje do të promovohet libri i dr. Sait Šabotićit, “Bihor na razmeđu vjekova” – “Bihori në udhëkryqin e shekujve”.
Përballje shkencore me narrativat e trashëguara
Tubimi synon të krijojë hapësirë për shqyrtimin kritik të burimeve dhe interpretimeve që lidhen me Bihorin gjatë viteve 1939–1948. Bashkimi i dokumenteve arkivore, studimeve historiografike dhe dëshmive gojore mundëson që kjo periudhë të analizohet përtej ndarjeve ideologjike dhe narrativave të njëanshme.
Rëndësia e këtij tubimi qëndron jo vetëm në ndriçimin e së kaluarës, por edhe në përpjekjen që Bihori të zërë vendin që i takon në historiografinë e Sanxhakut dhe të Ballkanit.
Burimi: Programi zyrtar i tubimit ndërkombëtar shkencor “Bihori 1939–1948: narrativat, mitet dhe e vërteta historike”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
