Musliu: Qeveria e re të bëjë më shumë për Kosovën Lindore

Musliu: Qeveria e re të bëjë më shumë për Kosovën Lindore

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliu, ka thënë të dielën se gjendja në Kosovën Lindore është përkeqësuar. Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare urgjentisht duhet të intervenojë për realizimin e të drejtave të shqiptarëve. “Nuk ka ndryshime nga e kaluara. Gjithçka është e njëjtë, e shtrënguar. Nuk ka ndonjë interesim për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve dhe për të bërë ndonjë investim. Evropa ka marrë një obligim ndaj shqiptarëve dhe duhet të jetë më e pranishme në Luginë të Preshevës. OSBE-ja, e cila e ka zyrën monitoruese, nuk është duke e bërë punën si duhet, sepse shqiptarët nuk po i gëzojnë të drejtat si popujt e tjerë. Shqiptarët në Serbi janë populli më i diskriminuar në Evropë. Prandaj është urgjente që bashkësia ndërkombëtare të intervenojë për realizimin e të drejtave të shqiptarëve. Serbia nuk mund të lëvizë në drejtim të Evropës pa e zgjidhur problemin e shqiptarëve”, ka deklaruar Musliu, duke shtuar se shqetësues mbetet migrimi i shqiptarëve nga Kosova Lindore. “Së paku Kosovës e Shqipërisë t’i jepet një zyrë monitoruese, sepse gjithçka po shkon në dëm të shqiptarëve. Të rinjtë po lëvizin në drejtim të Evropës, sepse nuk ka investime, kurse Serbia po e kryen punën e saj në heshtje duke i shpërngulur shqiptarët. Mirëpo ne duhet të jemi syçelë dhe të mos lëvizim nga vendi ynë pasi nuk kemi vend tjetër. Ky është obligim moral dhe kombëtar”, ka theksuar Musliu. Sipas Musliut, Kosova dhe Shqipëria duhet ta kthejnë vëmendjen tek Kosova Lindore. Ai ka kërkuar nga Qeveria e re e Kosovës të bëjë më shumë për këtë trevë dhe për shqiptarët. Po ashtu, Musliu u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që në dialogun e Brukselit të përfshihet edhe Kosova Lindore.

Kontrolloni gjithashtu

Kosova dhe Serbia, janë zotuar se më 22 mars do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit në Kosovë

Pas diskutimeve, në Bruksel, Lajçak, paraqiti një dokument kompromisi lidhur me qëndrimet e të dyja palëve për dinarin e Serbisë

Në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia nuk arritën një marrëveshje …