Mustafë Krasniqi

Mustafë Krasniqi: Isuf Ismaili është prej atyre poetëve që me shpirt e krijon poezinë

 Kur flasim për poetikën si forcë e atdhedashurisë, nuk mund të mos shkruajmë për poetët të cilët me ngulm ju kanë përkushtuar krijimtarisë shpirtërore, prej së cilës nuk është vështirë të hetohet vlera dhe qëllimi, angazhimi dhe kërkimi.

Megjithatë, poetët e përkushtuar pasi ju kanë nënshtruar idealeve të shenjta njerëzore e atdhetare, bëhen robër të tyre, por edhe skllevër të  së  bukurës artistike. E, këtë e arrijnë vetëm përmes meditimit të përmallshëm dhe e realizojnë atë si krijimtari letrare,  thjesht sipas përjetimeve të tyre shpirtërore, qoftë kur  imagjinojnë apo  përjetojnë. Te krijimtaria poetike e mërgatës ky meditim i përmallshëm është i pranishëm thuajse  në çdo varg të tyre edhe atëherë kur shkruajnë për dashurinë. Ndaj, përpos asaj që quhet dashuri imtime shpirtërore, atdhedashuria del më sipër dhe mbretëron gati te çdo poetë. Kështu  me një krijimtari të tillë të përmallshme  duke ju përkushtuar asaj gjithmonë, ata sikur bëhen mbretër të vargjeve të tyre përmes figurave, simboleve e realizimeve të tjera letrare e artistike. Këtë forcë krijuese e imagjinatave që na paraqesin bukur poetët e përçojnë më tutje tek brezat për t`i lidhur ata me vendin atdheun me ato ideale të shenjta njerëzore e kombëtare  si veçori të theksuara, natyrshëm e të plotësuara me një shije të këndshme letrare e artistike.

Figurat letrare e tematika si tërësi është e lidhur ngushtë me atdheun. Përmes bilbilit, kanjushës, diellit, herë-herë edhe figurës së krahasimit si p.sh me lumin, mali me malin, kodra me fushën e kështu me radhë ngjallen emocione të veçanta. Kështu sikur poetët gjejnë ngushëllimin te figurat, krahasimet, personifikimet dhe përmes tyre i dërgojnë porositë e tyre të përmallshme. Figurat që zënë një vend të rëndësishëm te poetët e mërgatës janë figurat si ajo e mëmë Shqipërisë, si tërësi etnike. Figura e nënës, përmes së cilës lidhet dashuria e atdheut, dhe vetë qenies së nënës është një lidhje e natyrshme dhe qëndrueshme. Ata shpesh përmes ëndrrës së tyre sikur janë në gjumë të ëmbël në gjirin e saj dhe sikur lundrojnë lehtë me atë varkën e vogël e të bardhë fluturuese.

Ndërkaq, përkushtimi atdhedashës është i madh. Dashurinë ndaj nënës me qëndresë heroike e atdhetare e lidhin me Shqipërinë si nënëmadhe, që i falen të gjitha dashuritë.

Më ke harruar, mos më thuaj,

Ti vëlla nga Çamëria,

Që i ke rrënjët e ngulitura,

Thellë në tokën e të parëve

(I.Ismaili)

Poeti I. Ismaili është nga ata krijues të përkushtuar që përpos vlerës, qëllimit, kërkimit dhe angazhimit për të bukurën artistike, pa mëdyshje nga shpirti e nxjerrë të çlirëtën, vlerën tërë forcën e tij intelektuale. Lexuesit i ofron një varg të mirë, të studiuar, emocional dhe mbi të gjitha si një mjeshtër i mirë më vëmendje e gdhendë vargun e tij si për nga ngjyrimi, muzikaliteti, figura, stili. Gjithashtu ai e respekton ndërtimin e fjalisë sipas parimeve gjuhësore, apo edhe asaj krahinore. Kjo vlerë, këtë autor, e bënë më të veçuar nga shumë poetë të tjerë. Kështu poeti Isuf Ismaili,  në poezi  hyn me një formë piramide, duke e ruajtur  që nga vargu i parë e deri te ai i fundit tabanin e ndërtimit dhe të qëllimit të poezisë, si për nga aspekti motivues, ashtu edhe për nga ndërtimi i saj. Në tërë vargjet e tij shohim një porosi të qartë dhe atë intuitën e poetit në skalitjen dhe strukturimin e saj ndërtues. Andaj, në strofën e parë  sikur pëlcet poeti dhe sikur dialogun dhe me mllef e qartë e thotë:

 Më ke harruar, mos më thuaj,

Kurse në strofën e dytë në dy vargjet e fundit na del me një piramidë të dukshme, si :

se je rrënjë e gjak arbëror

Pjesë e çmuar e trungut tonë.

Isuf Ismaili padyshim hyn në radhën e atyre poetëve që me shpirt e krijon poezinë. Te ky poet përpos shpirtërores, ndërtimit, figurës, emocionit, sikur në të gjitha poezitë na del me vargje katërshe. Simetria e vargut të poezisë së tij është në normën e një poezie të kohës, si për nga tema, komunikimi, po ashtu edhe për nga ndërtimi dhe forma e saj.

Kur ndalemi te vepra e tij “Meditime të përmallshme” do cekur ciklet poetike, cikli a tufa e parë të këtij libri është  “Atdheu im”, cikli i dytë është “ Bashkimi kombëtar është ideali ynë” që përbëhet nga 16 poezi, i treti “Heronjve dhe dëshmorëve” cikël prej 10 poezi, aq ka edhe cikli tjetër “Artistëve, Poetëve dhe Mësuesve”, si dhe cikli i fundit “Fjalë Zemre” që përbëhej prej 11 poezive.

Cikli i parë ngërthen 14 vjersha më të ndryshme  duke filluar me poezinë e parë “Atdhe kemi veç Shqipërinë” e deri te poezia e fundit e  këtij cikli “Kisha ca vite, sa një shekull”

Atdhe kemi veç Shqipërinë

Te kjo poezi e shohim poetin, se sa është shpirtërisht i përkushtuar ndaj atdheut, megjithëkëtë duke ikur pak anës emocionale të poetit, dua të trajtoj pikëvështrimin e ndërtimit të poezisë, por edhe të ndalem te ana shpirtërore e asaj fizike të poetit.

Poet, Isuf Ismaili, është nga ata djem që me përkushtim vrapoi pas fatit të atdheut, pas kombit dhe pas bashkimit të tij në një Shqipëri si tërësi etnike. Ai siç e thotë edhe vetë, por siç del edhe nga vepra e tij:  tokën stërgjyshore e ka njëjtësuar me nënën, pra nënëmadhen Shqipëri. Është pjesëmarrës thuajse në të gjitha organizimet që bëheshin për kombin, është edhe njëri nga ata djem që bashkë me Heroin e Kombit Adem Jashari bëri stërvitje ushtarake në Shqipëri, prandaj pikërisht  i frymëzuar edhe nga ajo kohë i dalin natyrshëm poezitë, që jua ka kushtuar Heronjve, si Adem Jasharit, Komandant Kumanovës Ismet Jasharit, Indrit Carës, Shotës, Jusufit, por edhe artistit të madh Kadri Roshit dhe poetit të të gjitha kohërave Dritëro Agollit, po ashtu edhe mësuesve ushtarakë të tij, si Kolonelit të Ushtrisë Shqiptare, Hysen Ymeri-1991 etj.

Me këto cikle të përmbledhjes autori është përpjekur që përmes vargut ta lërë një testament për breza se kush është atdheu dhe kush janë heronjtë, mësuesit atdhetarë? Me këtë ai edhe ka ringjall jo vetëm shpirtin e poetit, por edhe i ka dhënë rëndësi emocionale atyre shkëndijave shkëlqimi e rrezeve të ngrohta atdhetare, që burojnë nga heronjtë, atdheu dhe mësuesit e Kombit, këtë më së miri e shohim te vargjet e  tij kur thotë:

Ju kujtohet mal vigan Isai,

Që atje në Londrën e madhe,

Me një të fuqishëm zë trimi,

Tha: “edhe Kosova është Shqipëri”.

 (Jeta për ty, o nënë Shqipëri)

   Me këto katër vargje të poetit, qoftë për nga aspekti i ndërtimit, rimës, përputhjes dhe fuqisë së saj artistike, po qoftë edhe nga aspekti historik e kombëtar ka arritur vlerën e një poezie me një porosi të qartë, një poezie me të gjitha elementet e saja artistike.

Edhe te poezia tjetër “Valle e Bashkimit”, poeti është i lidhur ngushtë me atdheun dhe bashkimin e kombit të tij, prandaj porosia del e qartë, se duhet bërë, madje edhe të pamundurën për jetësimin e këtij bashkimi, përndryshe frymëmarrja, liria, jeta pa të, sikur janë të tepërta dhe të panevojshme për njeriun shqiptar. Kështu natyrshëm shohim përkushtimin e poetit, i cili pa  mëdyshje me veprën e tij i vjen në ndihmë jetësimit të ribashkimit të Shqipërisë.

Valle e këngë në Kosovë,

Shqiponjë në fluturim,

Bashkë dhe me fustanellë,

Në Labëri e në Çamëri.

Hidhet vallja pa pushim

Dhe në Strugë e Preshevë,

Hapi krahët shqipja jonë,

Në Ulqin me plis të bardhë.

Shkodran Loce pret mall të shuajë,

Drejt Tiranës shqipja të na shkojë,

Atje në shesh para Skënderbeut,

Valle e bashkimit, le të jeta jonë.

Po kemi edhe një përkushtim të veçantë, kur shkruan për heroin e ditëve tona dhe duke mos i harruar heronjtë që hapën rrugën e nderit atdhetar drejt lirisë, ndonëse siç thotë edhe vetë poeti:-  deri këtu rruga jonë ka qenë e përgjakur dhe ende është në përgjakje deri te qëllimi i heroit.

Te poezia e ciklit të tretë “Komandant i Ribashkimit”, bukur përcakton dimensionet letraro-artistike dhe fuqizon vargun me emocionin dhe rimën. Te ky poet e shohim një varg të thjeshtë, ndonëse edhe jo edhe aq shumë figura si te disa poet, por ajo që e bënë të qëndrueshëm poezinë është forca, mjeshtëria, emocioni, rima, tema dhe shtjellimi i tërë  idesë në katër strofa.

   Ndërsa tek cikli i fundit “ Fjalë Zemre”, këtu poeti lidhet ngushtë  me familjen, mallin për atdheun, sofrën, babën, nënën, nipin, motrën, mbase sikur do ta mallkonte rrugën e mërgimit, si dhe shpesh e kritikon vetën pse ka mbetur pjesë e jetës së mërgimit.  Për të mërgimi është si një burg i përjetshëm mbase edhe e gjejmë në poezinë e tij “Malli, mallin e palosi”

Shkuan muaj edhe vite,

O bir ik nga i huaji dhe,

Dhimbja, dhimbjen e ndoqi,

E malli, mallin e palosi.

Një përmallim të tillë, gati çdo mërgimtarë e ndien, por mbase më tepër e ndjejnë poetët, të cilët shkrihen si qiriri, ndjejnë se dheu i huaj po i përpinë heshtur. Mallin nuk mund ta shuajë kurrë në dhe të huaj dhe me poezinë “ Ti o Nënë, o Nëna ime”, vëmë re sikur poeti është ligështuar dhe ka humbur forcën, gjë që është e vërtetë se emri nënë përpos forcës fizike dhe asaj mendore që të dhuron, kur ajo ik nga jeta  të ligështon. Mërgimtari sa herë e shqipton  emrin nënë sikur shkrihet në vaj. Vërtet vargu i Isufit të bënë të përmallshëm, por ka çaste kur të futë në buzëqeshje, e padyshim të kënaqë me vlerën e çmuar poetike, me një fjalë është poet që të shëtit pas vlerës,  sidomos kur  vargëzon për nënën, mungesën e saj, që nuk e ka, t’ia puthë duart, ta ledhatojë, e në anën tjetër sikur i mungojnë këshillat e saja sa herë ka nevojë për to.

Ah moj nën, o nënoja ime,

Shkuan vite, shkuan mote,

Veç kujtimeve që më ndjekin

Asgjë tjetër s’ më mbush shpirtin.

Poezi që të shkrin në emocione, meqë edhe vetë poeti është personazh i kësaj dhimbje të përmallshme, i cili me një klithmë të shpirtit lëshon një pasthirrmë në vargun e parë të kësaj strofe, por në pjesën e dytë kemi një përkëdhelje të fuqishme të autorit me përjetimin e kujtimeve për nënën, e sidomos në vargun e fundit del hapur dhe e shpreh çlirët anën shpirtërore të tij. Këtu kemi një poezi që vërtetë është ndërtuar sipas rimës, përkushtimit dhe metrika e saj shkon te AABB, po ka raste kur nuk respektohet kjo tërësi megjithëkëtë në të shumtën e poezive kemi AABB.

Poeti I. Ismaili sikur një skulptor i mirë e ka dizajnuar poezinë, e ka gdhendur dhe e ka fuqizuar me figura, mbase edhe e ka ngjyros me një muzikalitet të këndshëm, sipas muzikalitetit dhe rimës që i përgjigjet. Ai është njëri prej atyre autorëve që poezia e tij përbëhet prej katër vargjesh. Në poezinë e tij nuk e gjejmë vetëm të mirën e vargut, të figurës, melodisë, apo të rimës, po gjejmë dashurinë, dhimbjen, mallin, përkujdesjen, qasjen dhe mbi të gjitha përkushtimin dhe realizimin e qëllimit, në aspektin e ndërtimit të poezisë, me të gjitha elemente e një poezie standarde, që e bëjnë një poezi të përsosur. Te I. Ismaili hetojmë edhe një kujdesie të veçantë ndaj vargut të tij që padyshim respekton strukturën e fjalisë, si për nga forma ashtu edhe për nga ana gjuhësore.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …