leoni

Naxhije Doqi

Naxhije Doçi: 21 VJET NGA MASAKRA USHTARAKE SERBE E 2 PRILLIT 1999 NË FAMILJEN VEJSA NË GJAKOVË

-Fragment nga libri „SHPIRTI I DËRMUAR-Dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999“-Naxhije Doçi – Prishtinë, janar 2001.

Rrëfimin për masakrën e tmerrshme në Familjen Vejsa, në Gjakovë, të bërë nga forcat ushtarake kriminele serbe, në bashkëpunim me banorët vendorë serbë të veshur si paramilitarë, e kam marrë menjëherë pas luftës 1999 në Kosovë, nga Znj. Nesrete Vejsa-Nuka nga Gjakova, atëherë grua 42 vjeçe.

-Sipas Znj. Nesrete Vejsa- Nuka, gjatë luftës që e bënë forcat ushtarake dhe paramilitare serbe në tre muajt e pranverës së vitit 1999 në Gjakovë, u vranë shumë banorë shqiptarë nëpër shtëpitë e tyre, u masakruan në mënyrat më mizore dhe u dogjën për së gjalli bashkë edhe me shtëpitë. Fashistët kriminelë serbë më 2 prill 1999 i kishin masakruan dhe djegur, bashkë me shtëpinë edhe familjarët e saj, më të dashurit e zemrës së saj: nënën Fetije 60 vjeçe, nusen e vëllait (Lulzim Vejsa), Tringën 30 vjeçe bashkë edhe me pesë fëmijët e saj: Dorinën 10 vjeçe, Marigonën 8 vjeçe, Sihanën 6 vjeçe, Arlindin 4 vjeç dhe Ritën një vjeçe. Rita e vogël kishte qenë duke e thithur qumshtin e mëmë Tringës kur kriminelët ushtarakë serbë me thika të mprefta ia kishin ndarë përgjysmë kafkën e kresë. Tringa e tmerruar nga krimi i bërë mbi ta, ishte përpjekur me tërë qenjen shpirtërore dhe me tërë forcën e saj të fundit që ta mbrojë krijesën e shpirtit të vet, por kriminelët edhe atë e kishin vrarë me breshëri plumbash dhe e kishin masakruar me thika, duke ia prerë copë-copë shtatin e hedhur dhe të bukur të saj.

-Aty e kishin vrarë edhe motrën e Nesretes, Valbona Vejsa-Haxhiavdija, 38 vjeçe, bashkë me tre fëmijët e saj: Doruntinën 9 vjeçe, Egzonën 4 vjeçe dhe Rinën 3 vjeçe. Të gjithë i kishin vrarë dhe njëkohësisht edhe djegur e bërë shkrumb e hi. Nesretes dhe krejt më të dashurve të tyre, që kishin mbetur gjallë, iu kishte tharë shpirti përgjithmonë.

-Tani kemi mbetur vetëm unë e vëllai im Lulëzimi 35 vjeç, që t’i kujtojmë të rënët e martirizuar…Ku ta gjejmë vallë forcën unë e vëllai, që t’i përballojmë dhimbjet e mëdha për kobin e rëndë që na ka rënë në votër?! Si ta qetësojmë shpirtin tonë të përvëluar dhe të dërmuar, pa zërat e fëmijëve tanë të shtrenjtë, në pranverat që do të vijnë –Thotë Nesrete Vejsa Nuka..?!

-Motra e Nesretes, Valbona Vejsa Haxhiavdia, në natën që e kishte kapluar zjarri i luftës Teçenë dhe shumë shtëpi të tjera përreth shtëpisë së saj, në lagjën e Hadumit në Gjakovë, ishte larguar nga shtëpia e vet dhe kishte shkuar që të strehohej në shtëpi të nënës së saj. Nuk kishte pasur rrugëdalje tjetër pos që të largohej, se fëmijët gati iu kishin çmendur kur e kishin parë zjarrin gjithëpërfshirës trishtues dhe kur i kishin dëgjuar krismat e shumta të armëve të ndryeshme mu para derës së shtëpisë së tyre. Zjarri dhe krismat e shumta nuk ishin ndalur gjatë tërë asaj nate të tmerrshme. Valbona ishte larguar nëpër plumba dhe ishte strehuar te shtëpia e nënës dhe e vëllait të saj, Lulzim Vejsa, duke menduar se atje ndoshta do të jetë më qetë. Nuk i kishte dalur ashtu siç kishte menduar Valbona… Në shtëpinë e nënës, në vend të qetësisë dhe të shpëtimit, e kishte gjetur trishtimin dhe vdekjen e tmerrshme. Kriminelët ushtarakë serbë aty e kishin bërë vendtherrtoren e krimit të paparë njerëzor…

-Gjithnjë sipas Znj. Nesrete Vejsa Nuka, në shtëpinë e vëllait të saj e kishin masakruar dhe e kishin djegur edhe rejen e hallës së saj, Valbona Caka 33 vjeçe, bashkë edhe me tri vajzat e saj: Dalinën 13 vjeçe, Delvinën 6 vjeçe dhe Dionën 2 vjeçe. Valbona Caka kishte shkuar me tri vajzat dhe me djalin e saj, Dren Caka, që të strehohej në podrumin e shtëpisë së re të dajve të burrit të saj, me mendim se shtëpia e posandërtuar do të jetë një vedstrehim më i fortë dhe më i sigurt për të iu rezistuar bombardimeve të fuqishme dhe të pandalura, që i bënin kriminelët serbë mbi qytetin e pambrojtur, mbi Gjakovën e dashur të saj. Kishte shkuar edhe me mendimin se duke ndenjur së bashku si shumicë, do t’i jepnin kurajo njëra-tjetrës për qendresë dhe për mbijetim mbi tmerret e pakrahasuara që beheshin mbi ta.

-Të strehuar të tjerë në shtëpinë e Lulzim Vejsës kishin qenë edhe nëna e Tringës – Shahindere Hoxha, 60 vjeçe, bashkë me vajzën, Flakën 16 vjeçe. Kurmi i bukur i Flaka Hoxhës sa çil e mbyllë sytë ishte përpëlitur duke u djegur flakë në zjarrin lëmeritës, që e kishte kapluar dhomën me shpejtësi rrufeje. Në atë shtëpi ishin strehuar edhe dajë Hyseni i Nesretes, i sëmurë dhe i vetmuar dhe dy fqinjet e nënës së saj, Shirine Nuçi 72 vjeçe, bashkë me të bijën e saj, Mandushen 52 vjeçe.

Të gjithë të strehuarit në shtëpinë therrëtore të Lulzim Vejsës në Gjakovë ishin gra moshash të ndryshme dhe fëmijë. Ishin 12 fëmijët, që në nismë të rritës së tyre fëmijërore iu kishin shuar përgjithëmonë shpresat për pranverat në bulim. Barbarisht i kishin vrarë kriminelët ushtarakë serbë dhe i kishin prerë edhe me thika. Rinës 4 vjeçe dhe Dionës 2 vjeçe, në ditën e lindjes së tyre, që e kishin atë natë, qirinjtë e ëndrrimeve fëmijërore iu kishin shuar, për të mos iu ndezur më kurrë në jetë. Ato as që e kishin shijuar jetën sa duhet, se kriminelët ushtarakë serbë, që në nismë ua kishin gurëzuar hapat e gëzimeve të tyre fëmijërore. Fëmijët nuk e kishin kuptuar asesi se për çfarë arsye “njerëzit” shuajnë jetëra njerëzish?! Pse piromanizoheshin dhe shuanin jetëra fëmijësh të pafajshëm, që ishin ende të vegjël dhe që nuk i njihnin e as nuk i kuptonin sa duhet vështirësitë e ecurive të tyre jetësore.

-Nga ajo kasaphane tmerri ka shpëtuar, i plagosur në krah, vetëm djaloshi 10 vjeç, Dren Caka, për ta dëshmuar ferrin e krimit të organizuar. Brenda asaj gjysmë ore sa kishte zgjatur ajo kaktrahurë e tmerrit trishtues në dhomën e ngrënjës së dajë Lulzim Vejsës, Dreni kishte parë se si kriminelët serbë derdhnin breshëri plumbash në mish të njeriut shqiptar. Kishte parë rrëke gjaku njerëzish të tij të dashur dhe të njohurish, që bënin rrugë gjerpërore nëpër dysheme, ndërsa pjesët e shumta trupore të njerëzve, të shpërndara gjithandej dhomës, digjeshin me të madhe nga flaka gjithëpërfshirëse e zjarrit përvëlues.

-Dreni kishte shpëtuar se kishte pasur fatin për të shpëtuar! Kur kriminelët kishin gjuajtur breshëri plumbash në dhomë, njëri plumb e kishte qëlluar në krah Drenin dhe e kishte shtrirë në dysheme.Të vrarët dhe të masakruarit të tjerë kishin rënë mbi të dhe ai kishte shpëtuar duke mbetur nën ta. Kur kriminelët kishin hyrë në dhomë ta kontrollonin suksesin e kriminalitetit të tyre, ai ishte bërë sikur ishte i vdekur. Duke dalur barbarët ushtarakë serbë ia kishin vënë flakën dhomës dhe shtëpisë së Lulzim Vejsës, që të digjeshin dhe të zhdukeshin të gjitha gjurmët e krimit të bërë. Dreni, që kishte shpëtuar gjallë, ngadalë me plagën që i kullonte pandërprerë gjak, ishte tërhequr zhagaz deri te dritarja e dhomës, që kishte qenë pak e hapur dhe ishte hudhur në oborr. Nuk ishte lënduar shumë gjatë kërcimit prej dritares, sepse nuk kishte rënë drejtë për së drejti në tokë, por kishte rënë në disa arka të bilardos së dajë Lulit të tij, që kishin qenë të mbështetura për muri, nën strehë. Nga se ishte fëmijë shumë i zdërvjelltë, edhe pse me plagën e rëndë në trup, kishte kapërcyer mur pas muri nëpër lagje dhe kishte arritur në shtëpi të vet, ku ishin gjysh Xhemil Caka dhe gjyshja Nakije Caka.

-Kur Dreni kishte shkuar në shtëpi, i kishte gjetur gjyshërit duke u sjellur nëpër dhomë dhe duke i shtrënguar duart të tmerruar nga brengosja e madhe për nusen dhe për fëmijët, që për çeshtje sigurie më të madhe ishin strehuar vetëm pesë-gjashtë shtëpi më largë shtëpisë së tyre, në kthesën harkore të rrugës së tyre të mbushur prej më së katër ditësh, me tanke të shumta dhe me këmbësori serbe të panumërt.

-Mos i pritni, se ata nuk janë më, i vranë dhe pasi i masakruan, i kallën krejtësisht kriminelët serbë…! – Iu kishte thënë Dreni gjyshërve, me dhëmbjen e hatashme që mund ta kishte vetëm një fëmijë tepër intelegjent, siç ishte ai, i burrëruar para pjekurisë së moshës që kishte… Ata vetëm e kishin shikuar të tmerruar djalin dhe nuk kishin mundur kurresi që të pajtoheshin me realitetin e hidhur. Mendonin se ndoshta Dreni po fliste përçartë nga agonia e plagës. Mendonin gjithçka gjyshërit e brengosur të Drenit…! Në të vërtetë Dren Caka nuk kishte qenë në agoni. Ai e kishte përballuar plagën stoikisht dhe kishte qenë shumë i kthielltë për atë që fliste, për vrasjen dhe djegien e më të dashurve të tij nga kriminelët ushtarakë serbë, në shtëpinë e dajë Lulzim Vejsës. Nuk kishte mundur që ta shpëtonte asnjërin, se të gjithë i kishin vrarë dhe plagosur për vdekje kriminelët. As mëmë Tringën e tij të dashur, e as Dionën e vogël nuk kishte mundur që t’i shpëtonte Dreni, që edhe tani thotë se i krijohet disi si jehonë zëri i saj fëmijëror: “Baca, mos më le në flakë…!”. Arlindin, djalin e dajë Lulit të tij të dashur, që e kishte pasur edhe shok të pandashëm të fëmijërisë dhe të cilin e kishte pasur afër gjatë kohës së krimit mbi ta. Ishte përpjekur që ta lëvizte dhe që ta zgjonte Arlindin për të ikur bashkë me të nga ajo kasaphane, por pas tri-katër herë frymëmarrjeje të thellë që kishte bërë Arlindi, nuk kishte dhënë më shënja jete. Ia kishte vënë pastaj Dreni dorën nën jakne Arlindit, që t’ia kontrollonte të rrahurat e zemrës, por ishte tmerruar, sepse i ishte qullur dora nga frushkujt e pandalur të gjakut.

-Gjyshërit të mbetur gojëhapur nga tmerri për atë që iu rrëfente nipi i tyre i dashur, Dreni dhe gati të çmendur nga dhëmbja për tragjikën e tmershme që iu kishte ngjarë, ishin vonuar shumë për t’ia dhënë ndihmën e shpejtë djalit. Ku ta dërgonin dhe kah të shkonin gjyshërit e gjorë, kur tërë qyteti i Gjakovës atë natë ishte në flakën e së keqës së madhe?! Si të kalonin përmes forcave të armatosura ushtarake serbe dhe përmes tankeve të shumta, që i ishin vërsulur qytetit dhe bënin kërdi duke qitur zjarrë predhash e granatash nga goja?!

Megjithatë, gjyshërit e Drenit kishin vendosur që ta bënin edhe të pamundurën, duke u mbështetur edhe në fatin dhe me djalin paraduarsh ishin nisur nëpër tym e flakë rrugës, kah qendra e qytetit. Me mundime të mëdha, duke u friguar shumë, se mos po i ndalin kriminelët ushtarakë serbë dhe po ua marrin djalin, apo mos po ua vrasin para syve, kishin mbërrijtur në spital, ku deri atë natë kishin qenë duke punuar ende disa mjekë shqiptarë. Mjekët shqiptarë me një përkujdesje të madhe prindore e profesionale, ia kishin nxjerrë plumbin dhe ia kishin lidhur plagën Dren Cakës…

-Aksioni i organizuar i tmerrit asaj natë në Gjakovë i kishte përfshirë pothuaj të gjitha lagjet e qytetit. Më së 75 vetë, kryesisht gra, fëmijë e pleq i kishin vrarë vetëm në lagjen “Mahalla e Qerimit”, rr. “Sadik Stavileci”?! Britma e lemëria e njerëzve që malltretoheshin aty ishte dëgjuar gjithë kah, nga një skaj në skajin tjetër të qytetit dhe jehona e asaj britme e kishte krijuar përshtypjen tek njerëzit se sikur mbërrinte edhe gjer në kupë të qiellit…!

-Nata e 2 prillit 1999 në qytetin e Gjakovës ishte natë e kobshme. Ishte natë Shën Bartholomeu…Në të gjitha anët e qytetit ishin shkaktuar skena të lloj-llojshme krimesh të trishtueshme dhe tym e flakë i kishte shkuar gjithkah qytetit nga djegia e shtëpive.

-Aksioni i tmerrit mbi popullatën e pambrojtur shqiptare në Gjakovë kishte filluar pas mesnatës, që në nismë të 2 prillit 1999. Kryesit e aksionit ishin të gjitha llojet e formacioneve ushtarako-policore dhe paramilitare serbe, që kishin hyrë çdokund, shtëpi më shtëpi nëpër qytet dhe kudo që kishin hyrë, kishin rrahur e vrarë shqiptarë dhe i kishin djegur shtëpitë.

Krimit në shtëpinë e Vesajve të Gjakovës i kanë prirë serbët lokalë, kryesisht banorë të lagjes, të veshur si paramilitarë. Llazar Drashkoviqi shka-magjup i Klinës, i quajtur Llaza i Zi, kishte hyrë derë më derë nëpër shtëpi dhe i kishte përzënë shqiptarët nga lagja dhe tërësishtë nga qyteti. Ai ka ditur të flas shqip pa gabime, dhe ishte milic i rregulltë prej moti në Gjakovë. Përherë mbahet mend për arrogancë ndaj shqiptarëve. Aty ku dilte në terren milici Llaza i Zi, patjetër derdhej gjaku i shqiptarit.

-Gjithnjë sipas rrëfyeses, Nesrete Vejsa Nuka, masakra në shtëpinë e familjes Vesaj në Gjakovë është një tragjedi e rëndë e luftës dhe një ngjarje enigmë më vete, e dëshifruar vetëm pjesërisht nga këndi i ngushtë i njohurive të një fëmije shumë inteligjent, e që ishte Dren Caka. Dëshmitarët të tjerë janë vrarë dhe djegur e bërë pluhur. -Gjatë tërë luftës tremujore, lagjeja kishte qenë nën kontrollin e rreptë të forcave serbe, nga se aty kishte qenë i përqëndruar edhe tërë armatimi i rëndë i tyre, i tërhequr nga kazermat, që të mbroheshin nga sulmet ajrore të NATO-s. Aty kishte qenë edhe shtabi kryesor i forcave ushtarake serbe dhe deri në tërheqjen e plotë të forcave serbe nga qyteti, këmbë shqiptari nuk kishte guxuar që të shkelte aty pari…

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …