Me nderime të larta ushtarake dhe në prani të shumë bashkëveprimtarëve dhe figurave të njohura publike është varrosur të enjten në Prishtinë veprimtari i çështjes kombëtare, Shasivar Makoll. Një ndër bashkëveprimtarët e tij, Shaban Muja, e ka kujtuar të ndjerin si një njeri që kishte vullnet të madh për të punuar për Kosovën ndërsa humbja e tij, sipas Mujës, do të lë boshllëk të madh në shoqëri. Shasivar Makolli gjatë vitit 1999 ka punuar në zyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së në Prishtinë, Adem Demaçit. Në emër të kësaj zyre një fjalë rasti ka mbajtur deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka qenë edhe zëdhënës i UÇK-së. Kurti e ka kujtuar Makollin si njërin ndër veprimtarët që ka rrezikuar jetën për lirinë e popullit. “Jemi mbledhur sot këtu që t’ia japim lamtumirën e fundit këtu ‘Çalit’, një njeriu dhe një shqiptari, këtij qytetari e këtij veprimtari, i cili jo vetëm që shpesh e rrezikoi jetën e vet për lirinë e popullit, por e rrezikoj atë vazhdimisht, sikur para luftës ashtu edhe pas luftës. Me rastin e vdekjes së veprimtarit Shasivar Makolli kanë arritur shumë telegrame ngushëllime nga të gjitha hapësirat shqiptare dhe nga diaspora. Telegrame ngushëllimi kanë ardhur nga Fondi “Nderi i Kombit, Adem Demaçi”, Shoqata Kulturore “Mëmëdheu” nga Zvicra, “Lëvizja për Integrime” e Luginës së Preshevës etj. Në varrim të Makollit kanë marrë pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës, ministra të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të partive politike.
