Në Ferizaj u promovua libri “Kujtesa, historia, identiteti” i Isuf Berishës

Në Galerinë e Arteve në Ferizaj u mbajt promovimi i librit “Kujtesa, historia, identiteti” të autorit Isuf Berisha. Ky studim trajton problematikën e identiteteve në Kosovën e pasluftës, me theks të veçantë në marrëdhënien ndërmjet identitetit kombëtar shqiptar dhe atij kosovar.

Promovimi nisi me leximin e recensionit të Prof. dr. Lino Veljakut nga Universiteti i Zagrebit, recensent i librit, i cili e vlerëson veprën për qasjen e saj filozofike dhe metodologjike, si dhe për kontributin në shqyrtimin kritik të çështjeve të identitetit.

Për librin folën Prof. dr. Astrit Salihu, profesor në Universitetin e Prishtinës, dhe Enver Zhinipotoku, profesor i filozofisë.

Në kumtesën e tij, Prof. Salihu u ndal te karakteri dinamik dhe kompleks i identitetit, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje përfshirëse, e cila nuk i vendos identitetin kombëtar shqiptar dhe atë kosovar në marrëdhënie përjashtuese, por i shqyrton në kontekstin e ndryshimeve historike, politike dhe shoqërore.

Ndërkaq, profesori Zhinipotoku e trajtoi këtë problematikë nga këndvështrimi historik dhe politik, duke sjellë në vëmendje debatet publike rreth identitetit kosovar, qëndrimet e ndryshme të intelektualëve dhe zhvillimet që kanë ndikuar në formësimin e kësaj çështjeje në Kosovë.

Në përmbyllje të aktivitetit, të pranishmëve iu drejtua edhe autori i librit, Isuf Berisha, i cili ndau me të pranishmit pikëpamjet dhe motivet që qëndrojnë pas kësaj vepre.

Aktiviteti u moderua nga Zyrafete Shala, fotografitë dhe videoincizimet u realizuan nga Fatmir Vata, ndërsa për zërimin u përkujdes Kujtim Shabani.

Promovimi vuri në pah rëndësinë e trajtimit të çështjeve të identitetit përmes studimit, argumentimit shkencor dhe mendimit kritik, duke dëshmuar nevojën për një debat të hapur dhe të përgjegjshëm mbi këto problematika.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti nderoi me mirënjohje drejtorin Raif Musliu me rastin e pensionimit

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit, Arta Ajeti, …