Në moshën 97-vjeçare ka ndërruar jetë, Vito Kapo
EPSON DSC picture

Në moshën 97-vjeçare ka ndërruar jetë, Vito Kapo

Tre ditë pas vdekjes së Nexhmije Hoxhës, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare edhe Vito Kapo. Ajo ka mbajtur disa poste të rëndësishme gjatë periudhës komuniste. Ajo ishte bashkëshortja e Hysni Kapos, një nga figurat më të rëndësishme të PPSH-së. Vito Kapo ka qenë ish-ministre e industrisë së lehtë në vitet 1987-1990 si dhe ish-kryetare e Bashkimit të Grave para viteve ‘90. Kapo, gjithashtu u angazhua në formacionet partizane, fillimisht si sekretare e Enver Hoxhës pranë Shtabit të Përgjithshëm në Helmës dhe Odriçan, në nëntor 1944 deri në maj të 1945 në Komitetin Qendror të PK-së.

Ajo mbylli sytë sot pranë familjarëve të saj në Tiranë.

Kush ishte Vito Kapo?

U lind më 9 nëntor 1922 në Nivan të Zagorisë, e bija e dr. Stathi Kondit dhe Krisanthisë; motër e Pirro, Alqiut dhe Tanës.Më 1941 mbaroi Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” të Tiranës. Në vitet 1942-43 ra në kontakt me grupet komuniste dhe u bë pjesë e Grupit Komunist të Shkodrës. Në shkurt-maj 1942 shërbeu si mësuese në fshatin e lindjes. Gjatë luftës u ndodh në Nivan, Konispol e Përmet. Më 1943-44 qe anëtare e sekretare organizative e Komitetit Rajonal të Partisë Komuniste për Gjirokastrën. Në korrik-nëntor 1944 punoi si sekretare e Enver Hoxhës pranë shtabit të përgjithshëm në Helmës dhe Odriçan. Në nëntor 1944 gjer në maj të 1945 qe në Komitetin Qendror të PK-së dhe e ngarkuar me Bashkimin e Grave Antifashiste Shqiptare.

Pas marrjes së fuqi të komunistëve, në korrik 1945 gjer në maj 1946 punoi atashe shtypi në legatën shqiptare në Beograd, ku i shoqi shërbeu si ambasador. Më vonë u emërua Drejtoreshë e Arsimit të Lartë dhe për një kohë shumë të gjatë ka drejtuar Bashkimin e Grave të Shqipërisë. Më 1960-1965 ndoqi Fakultetin Histori-Filologji.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria shënon rritje të hyrjeve të shtetasve të huaj, 1.9 milionë vetëm në korrik

Shqipëria vijon të shënojë rritje të flukseve të shtetasve të huaj, me rreth 1.9 milionë …