Një mural kushtuar ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po realizohet në lagjen Ulpiana në Prishtinë, në një periudhë kur vëmendja publike është përqendruar te procesi gjyqësor në Hagë dhe aktgjykimi i paralajmëruar për 16 shtator. Në fasadën e një ndërtese janë duke u punuar portretet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa në pjesën e poshtme të muralit janë paraqitur edhe siluetat e tyre nga periudha e luftës. Realizimi i muralit përkon me ditët para protestës së paralajmëruar në Prishtinë, “Marshi për Liri”, që do të mbahet më 12 shtator në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Aktiviteti zhvillohet vetëm pak ditë para shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat të gjithë i kanë mohuar. Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi pas arrestimit dhe transferimit në Hagë në nëntor të vitit 2020, ndërsa gjykimi filloi në prill të vitit 2023. Pas përfundimit të fazës së provave dhe deklaratave përmbyllëse, çështja ka kaluar në fazën e vendimmarrjes, me trupin gjykues që më 16 shtator pritet të shpallë aktgjykimin e shkallës së parë për katër ish-krerët e UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
