Në prag të fillimit të negociatave, shtohen masat e sigurisë në Kosovë

 


Sa më shumë që po afron koha, kur pritet të fillojnë negociatat në mes të ekipeve negociatore të Prishtinës dhe Beogradit, aq më shumë po shtohen masat e sigurisë nga organet përgjegjëse për sigurinë në Kosovë.
Edhe komandanti Suprem i Forcave të NATO-s, gjenerali amerikan Xhejms Xhons, pas takimit që pati në Tiranë me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka deklaruar se Forcat ushtarake të NATO-s janë të gatshme të reagojnë për të mundësuar sigurinë në Kosovë gjatë negociatave për statusin e ardhshëm, por ai nuk pret ndonjë problem të madh. Ndërkohë, bëhet e ditur se pikërisht tani kur pritet të fillojnë bisedimet lidhur me zgjidhjen e statusit, Qeverisë edhe ashtu pa kompetenca ekzekutive të Bajram Kosumit do të t’i shtohen edhe dy t’i quajmë ministri, ajo e Rendit dhe e Drejtësisë.
Dhënia e kompetencave të tjera Qeverisë së Kosovës, në prag të fillimit të bisedimeve, është karota joshëse për qeveritarët tanë, të cilët duhet të hyjnë në finalen e procesit, të përgatitur për kompromis dhe për të pranuar paraprakisht formulën lidhur me statusin, që do t’ia përcaktojë fillimisht Kosovës, ekipi i OKB-së në krye me Marti Ahtisarin dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi përfaqësuesish të lartë ndërkombëtarë.
Përderisa faktori vendimmarrës ndërkombëtar ka arritur ta bind ekipin negociator të Kosovës në domosdonë e fillimit të bisedimeve me palën serbe për statusin e ardhshëm të Kosovës, ky faktor nuk ka arritur ta bind Serbinë për të hequr dorë nga kolonializmi dhe ëndrra paranoike për ta kthyer sundimin në Kosovë. Beogradi tashmë është më i trimëruar se asnjëherë më parë, meqë të gjitha shtetet sllave të Ballkanit, por edhe Evropës, përkrahin qëndrimin e Beogradit për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kryetari Tadiq, kryeministri Koshtunica, Drashkoviq, Sandra Iviq e të tjerë janë unikë në qëndrimin për të mos i njohur Kosovës as njëlloj pavarësie, madje as pavarësi të kushtëzuar. Për ta bindur faktorin vendimmarrës ndërkombëtar, Qeveria e Beogradit, në prag të fillimit të takimit të parë, me siguri se do t’ ia dorëzojë Hagës Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mladiqin, të cilët i ka strehuar dhe i ka përgatitur për t’i bërë kurban pikërisht për këtë moment.
Kështu kishte vepruar afër 180 vjet më parë vozhdi serb, Milosh Obrenoviq, i cili për të arritur një marrëveshje me Marashli Ali Pashën e Beogradit, me të vetmin qëllim për të fituar një qeverisje vasale, kishte këputur kokën e kryengritësit antiturk, Karagjorgje Petroviq, dhe të mbështjellë në një calik, ia kishte qitur përpara, në sini, Marashli Ali Pashës, në Beograd.
Serbët për të ruajtur hegjemonizmin dhe kolonializmin në Kosovë janë në gjendje të bëjnë edhe sakrifica të tjera më të dhembshme, sesa dy kokat e kërkuara kahmos nga Karla del Ponte. Kësaj radhe bashkësia ndërkombëtare nuk kërkon si kompensim për negociata kokat e shqiptarëve, meqë eshtrat edhe të afër 2500 shqiptarëve të vrarë e të pushkatuar gjatë luftës në Kosovë nga forcat ushtarake e policore serbe ende ndodhen diku në humbëtirat e Serbisë dhe si duket, Serbia është ngopur me koka dhe eshtra të shqiptarëve, sepse ajo tash kërkon ta ruajë me çdo kusht atë që e quan “tokë serbe”, atë tokë dhe ato troje ku gjithnjë kanë jetuar dhe aktualisht jetojnë 90 për qind popullatë vendëse shqiptare.
Po çfarë sakrifica janë në gjendje të bëjnë anëtarët e ekipit negociator të Kosovës për ta bindur bashkësinë ndërkombëtare, se ata nuk do të pranojnë asgjë më pak se pavarësinë e Kosovës? Ekipi negociator ka sakrifikuar para kohe kërkesën për bashkim me Shqipërinë, kërkesë këtë, të cilën e ka injoruar edhe vetë Shqipëria dhe përgjithësisht tërë politika aktuale, poltrone, shqiptare.
Ekipit negociator të Kosovës do t’i imponohet kompromisi dhe pikërisht për këtë arsye merren masa emergjente, shtohen masat e sigurisë në vend, ndërsa në anën tjetër bëhet propagandë për akordimin edhe të dy ministrive të reja, të cilat do të jenë ministri në letër, pa asnjë kompetencë të duhur ekzekutive, por vetëm edhe një shans për të futur në ingranazhe të politikës aktuale edhe shumë shqiptarë, të cilët do të përfitojnë favore dhe poste improvizuese, do të marrin rroga të majme, do të blejnë vetura të blinduara qindra milionëshe dhe do ta varfërojnë edhe më shumë këtë popull fatkeq, të cilin, të gjithë nga pak, po e shtyjnë drejtë varfërisë ekstreme dhe kataklizmës sociale. A.Qeriqi.

Kontrolloni gjithashtu

DASH: Qeveria e Kosovës është treguar e pasuksesshme në përpjekjet për të hetuar dhe luftuar individët e korruptuar

DASh, është shprehur i zhgënjyer pasi dy persona të sanksionuar nga ShBA janë propozuar për të qenë pjesë e qeverisë së re në Serbi

Departamenti Amerikan i Shtetit ka  bërë e ditur se pozicioni i tyre për ish-shefin e …