Mehmet Bislimi: Të hapën, apo të mos hapën dosjet?!

 


Në kontestin kohor, mendoj se shoqëria jonë në Kosovë nuk guxon të jetë përjashtuese e proceseve politike e filozofike që përcjellin zhvillimin normal të proceseve gjithëpërfshirëse shoqërore, për të mos e futur ndërgjegjen më në hipotekën e së kaluarës, ndryshe, kjo do të ishte edhe një herë vrasje e proceseve demokratike. Kohët kanë avancuar e së bashku më këtë koha ka vrarë edhe hijet e zeza të errësirës së pushteteve diktatoriale sllavo-komuniste, ideologjike e hegjemoniste të cilat, tani ngadalë, pa eufori duhet t’i zhveshim deri në një, dhe këtë jo për t’u hakmarrë, por për ta vënë drejtësinë dhe ligjin në vend, për t’ia kthyer të dënuarit, të vuajturit dhe të përbuzurit moralin në vend. Pra ky është një borxh moral ndaj të gjithë atyre që kanë vuajtur nga sistemi i Lidhjes Komuniste të ish Jugosllavisë dhe nga UDB-ia, si instrument i saj dhune! Ndaj mendimin e pa tundur se vetëm kështu, duke e demaskuar të kaluarën e errët me fakte e pa eufori, shoqëria jonë demokratike mund të avancohet edhe më dhe as sesi duke e mbuluar errësirën e kaluar me petkun e sotëm të demokracive të rrejshme gjoja për hir të stabilitetit, veprim i cili u shkon për shtati vetëm intrigantëve të llojit të vet të të gjitha kohërave dhe askujt tjetër.
Ka të atillë, dhe atë me bollëk, që edhe sot kërkojnë nga të përvuajturit që të heshtin, gjoja në emër të lojalitetit e të mos hakmarrjes. JO! Unë mendoj se nuk duhet të heshtim! Ju kujtoi këtu një mesele të urtë. Në një shtëpi të madhe të konakut të dikurshëm, një vajze të vogël i thanë:
– “ Hesht se je e vogël dhe është marre, kur u rrit i thanë hesht se je rritur dhe je bërë për martesë, kur u martua i thanë heshtë se tani je nuse, kur lindi fëmijë i thanë heshtë se tani je nënë, kur i martoi fëmijët i thanë heshtë se tani je vjehërr, kur i lindën fëmijët i thanë heshtë se tani je bërë gjyshe, dhe kur u plak i thanë hesht se tani je plakë dhe është marre!”…
Dikush u dashka të heshti tërë jetën, dikush paska të drejtë të llapi tërë jetën. Në këtë mes kërkohet që viktima të luaj rolin e viktimës dhe shtypësi të shtyp vazhdimisht. Aristoteli dikur thoshte: “Skllevërit lindin si të tillë, pra si skllevër!”… por ajo kohë i takonte hapësirave të filozofëve naivë, tani është kohë e zhvillimeve shoqërore e filozofike më të avancuara, kohë e demokracive dhe e një rendi të ri shoqërorë.
Nëse nuk i demaskojmë njerëzit me fakte e mençuri, ata në mesin e llojit të vet dukën si të gjithë të tjerët- një soj! Pra; hajdutët, kriminelët, spiunët, matrapazët, llaskuçë etj. në mesin e njerëzve duken si të gjithë njerëzit tjerë, janë bamat e tyre që dallojnë karakteret e tyre që në kohë marrin konotacionin e gabuar, ose të prapët, dhe këtu qëndron pika e dobët e “humanistëve” tanë, pavarësisht ngjyrave të tyre. Është nonsens, kur insistohet në atë që gjërat e shëmtuara të një shoqëri të futën nën rrogoz! Me këtë akt, rangut të njerëzve që ndërgjegjen e kanë hipotekë të ish sistemeve ideologjike pretendohet t’iu zgjatët jeta, pikërisht duke shkelur mbi rregullat më elementare të demokracisë dhe mbi parimet më elementare të të drejtave të njeriut të mbrojtura me konventë ndërkombëtare.
Ka plot e përplot shembuj, por duke mos dashur që të gërmoi shumë, po bëj vetëm disa pyetje:
A mund të më thotë dikush se ku duhet të përkulemi para varreve të të ekzekutuarve shqiptarë në Tivar të Malit të Zi? Kush ishin Prokurorët, Gjyqtarët, Ekzekutorët atë botë, ku ishin udhëheqësit tanë, kush ishin ata? Kush më thotë sa veta u vranë në Drenicë, sa u mbyten me torturë, sa i masakruan me rastin e shuarjes me gjak të kryengritjes së saj prirë nga Shaban Polluzha? Kush përgjoi e spiunoi mësuesit, profesorët, punëtorët, nxënësit, studentët, intelektualët? Kush i burgosi ata, sa shqiptarë të dënuar vdiqën në Goli Otokun e tmerrshëm dhe në burgjet tjera serb, kush i dërmoi me dajak ata, kush ua mori shpirtin atyre në qelitë e burgut si Fazli Graiqevcit, Xhemajli Berishës e dhjetëra tjerëve? Kush i vrau me qindra shqiptarë të rinj e të moshuar që nga Ymer Berisha e deri tek demonstruesit e rendomë, madje edhe fëmijë duarthatë? Kush përgjoi e spiunoi për parullat, për antenat televizive të kthyer nga Shqipëria deri të ndalimi i pagëzimit të fëmijëve tanë me emra shqip? Kush përgjoi shqiptarët në dasma, në ahengje dhe në mort? Kush ndaloi flamurin dhe shkollat shqipe në Kosovë, kush e ndihmoi planin famëkeq të Rankoviqit në Kosovë? Kush mund të më thotë: Sa të burgosur politikë shqiptarë kishte gjatë sundimit të nomenklaturës Komuniste Jugosllave, sa i kthyen në arkivole e sa nuk dihen as sot se ku i kanë varret? Kush më thotë sa shqiptarë kishin kaluar në për hetuesi; në mesin e tyre rini, nxënës, studentë, punëtorë, profesor, e figura tjera të njohura nga një anë dhe sa polic, gjyqtarë, prokurorë, gardian,spiunë e hetues shqiptarë kishte pushtuesi në shërbim nga ana tjetër për t’i shtypur shqiptarët?!

Sa për ilustrim po shënojmë dy raste këtu:
Ta zëmë Mehmet Gradica i anatemuar gjatë gjithë sundimit të LKJ-së, si ballist, që nënkupton bashkëpunimin e tij me pushtuesit Gjerman e Italian për të luftuar kundër Komunistëve Jugosllav për çlirimin e vendit të tij- Kosovës dhe nga ana tjetër Fadil Hoxha, Ali Shukriu, Sinan Hasani, Veli Deva e plotë të tjerë, të avancuar e privilegjuar për shkak se ata bashkëpunuan me pushtuesin Jugosllav që ta sundonte Kosovën! Pra që të dy palët bashkëpunëtor të pushtueseve, për dallim i pari me shpresë të një ndihme në shërbim të çlirimit të vendit tonë dhe të dytët me vetëdije të plotë në shërbim të pushtimit të vendit tonë për t’ia zgjatur jetën robërisë nën pushtimin Jugosllav!
Për të parin, as sot nuk mbahet në mend se e kujtuan diku- të dytët i varrosën me nderime, ceremoni televizive dhe me prezencë të trupave të TMK-së!!!

Nuk do më shumë koment, nga se do të pallte edhe gomari mu në mes të parlamentit!
Krejt e natyrshme, ujqërit duan që të zgjatë sa më shumë mjegulla, ngase kështu zgjatët mundësia për gjahun e tyre të preferuar; më tej; kush më thotë: sot, në krye të Prokurorisë së Kosovës cilët janë? Në krye të Gjykatave të Kosovës cilët janë? Në krye të policisë së Kosovës cilët janë? Në krye të hetuesisë së Kosovës cilët janë? Në shërbim të huaj sot në Kosovë cilët janë të angazhuar e sa e sa tjerë vullnetarë?!…
Të hapen, apo të mos hapen dosjet, kjo është çështja! Ka kohë që ndër vete është ndotur ndërgjegjja e kësaj shoqërie, të përndjekurit një jetë po e përfundojnë me status të të përndjekurve!…
Gjatë gjithë përpjekjeve tona për liri e bashkim kombëtarë, Kosova në gjirin e vet pati dy kategori njerëzish: Një kategori me karakter e vullnet të çeliktë të gatshme për të dhënë gjithçka në shërbim të atdheut, dhe një kategori tjetër më karakter e vullnet të ulët të gatshme për të bërë çdo gjë në shërbim të pushtuesit e në dëm të atdheut tonë!
Të parët ia kanë zgjuar shpresat atdheut për liri e bashkim kombëtar, duke ia shkurtuar jetën pushtuesit, të dytët ia kanë vrarë shpresat e lirisë atdheut tanë, duke ia zgjatur jetën pushtuesit T’i heshtësh këto plagë është mëkat i madh, është padrejtësi e madhe, as robi e as zoti nuk thotë kështu!
Unë jam që dosjet të mos hapën, ngase në përvjetorët e vrasjes së Grajqevcit, Gërvallajve, Zekës, Nuhisë, Malës, Fazliut, Zhitisë e qindra martirëve tjerë, nuk mund të marrin pjesë pastaj vrasësit e tyre!!!

Kontrolloni gjithashtu

Edward Joseph

Edward P. Joseph: Agresioni i Rusisë në Ukrainë dhe efekti i tij në Ballkan

Profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Washington, në një artikull të botuar …