Në Rahovec hapet ekspozita e parë personale e piktores Zara Popaj

Në galerinë e arteve të Qendrës kulturore ” Mensur Zyberaj” në Rahovec, u hap ekspozita e parë personale e piktores rahovecase, Zara Popaj, ku ishin të pranishëm numër i konsiderueshëm i dashamirëve të artit pamor, gjegjësisht të kulturës, si dhe mysafirë të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, nga Suhareka, në krye me drejtorin Nuhi Llugaxhiu.

Në fjalën hyrëse, Shedat Ukaj, menaxher i kulturës, i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre, duke uruar Ditën e Grave, 8 Marsin, ndërkaq drejtori i Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport, Gardalin Shtavica, thotë : ” Së pari shfrytëzoj rastin që zonjave, motrave dhe nënave tona t’i uroj Ditën e Grave, 8 Marsin, kam kënaqësinë e veçantë që sot të bëj hapjen e ekspozitës personale të piktores nga komuna jonë, Zara Popaj, përshëndes edhe mysafirët nga Theranda, drejtorin për Kulturë Rini dhe Sport, Nuhi  Llugaxhiju, artistin Refki Gallopeni si dhe Fehmi Hoxha, drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Rahovec, i cili edhe vet është piktor”.

Për ekspozitën dhe fotografitë e ekspozuara të piktores, në mënyrë profesionale dhe kritike foli piktori nga Theranda, Refki Gallopeni, i cili në vazhdim thotë : ” Gjithmonë para artdashësve të Rahovecit jam i gëzuar, sepse jam shpesh në aktivitete të ndryshme kulturore në qytetin tuaj, shfrytëzoj edhe unë rastin të uroj grave 8 Marsin, e posaçërisht përshëndes drejtorin e ri, z. Shtavica. Para një kohë të shkurtër, Fehmi Hoxha, koleg i imi dhe artist, bashkë me disa koleg të tjerë, më dha një detyrë që t’i zgjedh disa fotografi që Zara ka punuar në karrierë dhe si studente. Mua mu dha nderi që të jem kurator, gjegjësisht përzgjedhës i fotografive për këtë ekspozitë, dhe përzgjedhjen e kam bërë në mesin e 100 fotografive të piktores. Simbolika e paraqitur përmes këtyre fotografive është shumë e rëndësishme, sepse ne nganjëherë e harrojmë të kaluarën, ndërkaq Zara sikur u kthehet përmes fotografive, atyre vendbanimeve dhe fshatrave, mjeteve të punës, shtëpive të vjetra dhe arkitekturës.

Autorja e ekspozitës, piktorja Zara Popaj, thotë shkurt se kjo ekspozitë ndonëse është e para e saj, premtoj se në të ardhmen do të ketë edhe më shumë ekspozita, duke falënderuar kolegët e saj, Fehmi Hoxhën dhe Refki Gallopenin.

Në orët e pasdites, ekspozita do të jetë e hapur edhe në Therandë, në Qendrën Rinore ” Shtëpia e Fellbahut”, duke filluar nga ora 17 : 00.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …