Në Ratkoc, u përkujtua heroi NASER KRASNIQIN

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, familjarë dhe përfaqësues të OVL-UÇK-së, u mblodhën për të përkujtuar 22- vjetorin e rënies në fushë të nderit të njërit prej prijatarëve të luftës në rajonin e Anadrinisë NASER KRASNIQIN.  Prandaj, ky përvjetor i rënies së tij është edhe një dëshmi e epokës së luftës dhe qëndresës tonë kolektive kundër poshtërimit e përbuzjes. Me këtë rast kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka thënë: Heroin e kombit, Naser Krasniqin, deri në aktin e rënies, do ta shohim kudo nëpër aksione e fushëbeteja luftarake, si në Drenoc, Bratotin, Ratkoc, Zatriq, Vrajakë, Dejnë, Malësi e Vogël, Gradish, etj., ai, nuk iu frikësua vdekjes dhe nuk i bëri lak asaj. Naser Krasniqi, duke qenë në krye të detyrës, si çdoherë në mbrëmjen e 4 qershorit 1998 kur filloi një ofensivë e madhe altilerike serbe e kombinuar me shumë forma lufte, pikërisht aty edhe ku lindi, në Ratkoc, në përballje me forcat serbe, bie heroikisht, duke mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe lirinë e atdheut. Lufta për çlirim është një ndër aktet më madhore të një populli, prandaj të gjithë ata që u rreshtuan drejt dhe që i bënë rezistencë armikut, duhet të ndjehen krenar. Ndër këta djem ishte edhe Naseri ynë, trim dhe zemërzjarr për Kosovën. Rrugëtoi me dinjitet e pa u tundur, i shërbeu besnikërisht deri në frymën e fundit luftës tonë çlirimtare. Padyshim, liria e Kosovës mban vulën e gjakut dhe sakrificave të luftëtarëve tanë trima. Si shokë të idealit të përbashkët, ëndërruam të nesërmen ku shqiptarët do të jenë të lirë, sovran dhe zotë të këtij trualli. Hyrja në përjetësi është akti më madhor për një luftëtar lirie, prandaj Naseri mund të konsiderohet si hero i vërtetë dhe njeri që nuk bëri kompromise me lirinë e atdheut. Do të mbahet mend e nderohet për sakrificën e vetëdijshme, duke u bërë simbol i luftës dhe i qëndresës tonë kolektive. Figura e tij do të shkëlqejë në vargun e dëshmorëve të tjerë të kombit që i bënë nder vetes, familjes e atdheut dhe që mbeten përherë në kujtesën tonë. Andaj, sot të gjithë bashkë, kudo që jemi, kemi detyrim të punojmë çdo ditë për ta jetësuar idealin e dëshmorëve të kombit.

Përjetësisht nderime dhe lavdi heroit, NASER VELI KRASNIQIT!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të atdheut! Ka thënë Kryetari Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …