Nebih Rexhepi

Nebih Rexhepi: Përçarjet politike të LDK-ës dhe të tjerave nxorën fituese LVV-ën

Zgjedhjet e fundit, parlamentare të mbajtura me 14 Shkurt sollën një risi politike në Republikën e Kosovës, sepse pas shumë vitesh një parti mund të qeverisë pa ndihmën e listës serbe. LVV fal përçarjes politike të subjekteve tjera arriti këtë fitore, por në mas të madhe ndikoi edhe urrejtja e ish grupit të Ferit  konvertuar në PSD dhe “analist” të cilët në mënyrë vulgare shpërthyen kundër Albin Kurtit,  në masë të madhe e irrituan elektoratin e pa përcaktuar të cilët ishin në hamendje të dalin apo jo në zgjedhje, dolën dhe bukur mirë ndihmuan LVV me këtë përqindje. Ky grup që në fillim kishin hyrë si “kamikaz” në LVV me ç’rast ishin rehatuar secili më mirë se tjetri. Kulminacioni erdhi kur Shpend Ahmeti fiton në mënyrë spektakulare në bastionin e LDK-ës Prishtinë. Me këtë fitore ata menduan se arritën në majën e Ajsbergut. Ajsbergu është një copë akulli i shkëputur  nga shkëmbinjtë e akullit dhe lëvizë sipas rrymave të ujit deri në shkrirje. Ky grup nga maja e Ajsbergut kishin një qëllim t’a eliminojnë Albin Kurtin nga gara për lider, ku e pësuan keq, me ç’rast filluan të shkrihen si Ajsbergu në fund të oqeanit. Por as këtu nuk mblodhën mend, sepse nga fundi i “oqeanit” përmes disa kanaleve televizive e sidomos T7 përsëri u vërsulën me urrejtje patologjike. Urrejtja fillimisht i bën dëm vetëvetes, dhe rrjedhimisht i bën mirë tjetrit, kjo u vërtetua në mënyrë praktike.

Fatmirësisht fitues kryesor i këtyre zgjedhjeve është populli, i cili me një kulturë të lartë e kreu obligimin e vetë. Këtë shembull duhet ndjekur edhe populli i Shqipërisë, ku siq dihet atje shumë shpejt do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, në një atmosferë bukur të acaruar. Befasia më e mirë ishte kur të gjitha partitë e pranuan rezultatin e votimit  e uruan partinë fituese dhe Albin Kurtin, i pari këtë e bëri lideri i PDK-ës Enver Hoxhaj, dhe gjithë të tjerët. Po ashtu ky duhet të jetë një mesazh i mirë për partitë politike në Shqipëri.

 Në Kosovë urgjentisht duhet një reformë zgjedhore me shumë zona ku partitë politike të përfaqësohen vetëm me nga një kandidat, pastaj të hiqen ato 10 vende të rezervuara. Kjo do e lehtësonte mënyrën e votimit, sepse shumë votues përveç partisë nuk kanë ditur cilin kandidat e kanë votuar, si dhe mundësia fare e lehtë për manipulimin e votës brenda subjektit politik tashmë e njohur si vjedhje industriale.  Edhe mërgatës ti mundësohen lehtësira për votim, duke hapur qendra votimi nëpër konsulata dhe ambasada. Mënyra më e lehtë do ishte votimi elektronik por për këtë duhen shumë pregaditje, sidoqoftë duhet hequr këto vështirësi me postë, pastaj verifikimi i pa nevojshëm me telefon ku janë bërë shpenzime të mëdha.

Humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve pa dyshim është LDK-ja për shkak të përçarjeve dhe fraksioneve të ndryshme. Përçarjet politike janë shumë të dëmshme, kjo i ka përcjellur gjatë gjithë këtyre dy dekadave të gjitha partitë politike. Por më së keqi pësoi LDK-ja. Me vdekjen e Ibrahim Rugovës kjo parti pësoi një plasaritje të pariparueshme politike, sepse erdhi në shprehje egoja për pushtet në hierarkinë e kësaj partie. Fillimisht garë e ashpër u zhvillua për kreun e partisë,  dihet ballafaqimi mjaft i ashpër mes Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit ku në atë mbledhje nuk u kursyen as karriget, hidheshin mbi koka si pjatat fluturuese. Fatmir Sejdiu më në fundë zgjedhet si lider i LDK-ës, por grupi tjetër i udhëhequr nga Nexhat Daci krijojnë parti të re LDD e cila nuk mundi të mbijetojë. LDK-ja çdo herë e dëshironte postin e Presidentit, Fatmir Sejdiu e merr këtë post, duke e “ngrirë” postin e liderit. Mirëpo ky veprim i tijë doli të jetë jo kushtetues. Nga ky moment fillojnë përplasjet politike mes tij dhe Isa Mustafës. Isa Mustafa si kryebashkiak i Prishtinës me lehtësi mbante këtë post. Duke fituar një vetbesim të tepruar politik madje edhe me tallje se mund të fitojë me duar në xhepa. I vërsulet Fatmir Sejdiut i cili vet e kishte angazhuar për kryebashkiak të Prishtinës. Pas disa mosmarrëveshjeve Isa Mustafa zgjidhet lider i LDK-ës. Nga ky moment Isa Mustafa mendon se arriti në majën e Ajsbergut, notonte politikisht në mënyrë komode. Por ky komoditet shumë shpejt ju kthye si bumerang. Fillimisht e humbi Prishtinën, pastaj i radhiten humbjet njëra pas tjetrës si në zgjedhjet lokale ashtu në ato të përgjithshme, por as që i shkonte mendja të largohet nga kreu partiak. Në zgjedhjet paraprake LVV del partia e parë, ajo i afron koalicion LDK-ës për bashkëqeverisje. Kreu i LDK-ës Isa Mustafa pas shumë konsultave pranoj koalicion me LVV-ën, në këtë koalicion influencë pati Vjosa Osmani. Pasi për shkaqe shëndetësore Isa Mustafa nuk përfshihej ai angazhon në qeveri për ministër kryebashkiakun Llapjan Agim Veliun i cili ishte kundër koalicionit me LVV. Këto kalkulime politike të Isa Mustafës dhe Agim Veliut ishin mjaft të gabuara sepse jo njëherë binin ndesh me Vjosa Osmanin. Vjosa Osmani kishte qendrimet tjera, me ç’rast erdhi deri te një përplasje ndarëse, ku nuk i mbeti rrugë tjetër pos të krijojë një grupim të ri politik me çrast ju bashkangjit LVV-ës. LDK-ja gabim më të madh e bëri duke i dhënë hapsirë të tepruar Agim Veliut, të cilin nga posti i kryebashkiakut të Besianës e avancojnë në ministër, duke e lënë qytetin Llapjan pa kryetar. Këtë më së miri e shfrytëzon Albin Kurti, ku e zgjedh pikërisht ish deputetin e LDK-ës Shpejtim Bulliqin, për t’iprirë Llapit. Fillon një garë mjaft e ashpër politike ball për ball. Llapjanët njihen si mikpritësit më të njohur në të gjitha trevat shqiptare, për shkakun se kanë qenë në konflikt permanent me serbët e Kushumlisë, Prokuples dhe Nishit. Kështu që ç’do mysafir shqipëtar që ka hyrë në konakun e tyre e kanë konsideruar si anëtar të familjes, dhe kur e kanë përcjellur mysafirin nuk e kanë lëshuar duarthatë. Këtë Albin Kurti e shfrytëzon duke shkuar mysafir nëpër shumë shtëpi llapjane, i cili hante bukë shtëpiakë sikur të ishte anëtar i familjes. Kjo ishte vendimtare ku llapjanët nuk e lëshuan duarthatë por e votuan Shpejtim Bulliqin me një përqindje të lartë, që në rrethin e parë. Ky ishte një sinjal i qartë se LDK po fundoset si anija Titaniku në Oqeanin Atlantik. Anija kur fillon të fundoset nuk ka forcë tokësore që e shpëton. LDK në vend se të reflektojë për humbjen e pësuar në Llap ajo mendonte se ishte një humbje e rastit,me pretendime se prapë do e marrim pushtetin. LDK-ës grushtin e fundit politikë ja dhanë LVV dhe Vjosa Osmani të cilët e përgjysmuan duke e tkurrur politikisht buzë një gremine politike që vështirë ka për të dalur.

Në këto zgjedhje edhe krahu i Luftës i ndarë në tri grupe politike nuk dolën ashtu siç pritnin. E vetmja risi ishte se PDK-ja nga vendi i tretë që ishte herën e kaluar kësajë rradhe doli e dyta. Por ishte shumë e habitshme një fushatë me kritika mjaft të ashpëra mes partive të dalura nga lufta PDK, AAK dhe Nismës. Kjo zatën ju kushtojë shtrenjtë, Nisma nuk kalon pragun zgjedhor, AAK mezi mbijetoi, PDK doli e dyta, çfarë të thuhet tjetër pos të marrin mësim nga ky pësim. Krahu i Luftës urgjentisht duhet të mendojnë mirë dhe të ri grupohen në një parti, ndryshe do pësojnë akoma më keq si LDK-ja. PDK si parti kryesore e krahut të Luftës patjetër fillimisht të demokratizohet nga brenda, të riformatizohet politikisht. Kjo nënkupton një hierarki kompletë të re, t’u japë shans të rinjve e që fatmirësisht janë të shumtë. Por në këtë parti ende ka eksponentë të cilët me vështirësi reformohen, çdo vonesë PDK-ës do t’i kushtojë.

E vetmja fituese e këtyre zgjedhjeve është LVV e cila i kaloi të gjitha fazat politike. Jashtë parlamentit, në opozitë dhe tani në qeverisjen e vendit. Deri këtu kaloi një rrugë ngjashëm me atë të Mahatma Gandit si: “Së pari ata ju injorojnë, pastaj ata qeshin me ju, pastaj ju luftojnë, pastaj ti fiton”. Kur garoi për herë të parë shumë kush ishte skeptik se a do të kalojnë pragun zgjedhor, lëre që e kaloj pragun por doli e treta për t’u forcuar në opozitë duke mos pushuar për asnjë çast së kritikuar qeverinë. Pas çdo zgjedhjeve dilte gjithnjë e ma lartë për të kulmuar në këto të fundit. Për këtë fitore bindëse asnjë parti  tjetër nuk e kishte parashikuar, por LVV e priste këtë rezultat.

Sidoqoftë  zgjedhjet përfunduan, tashi në radhë vjen konstituimi i institucioneve relevante shtetërore, edhe këtu priten mjaft vështirësi. Nëse larg asaj nuk krijohen institucionet brenda afateve kushtetuese  përsëri rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, por nëse shkohet Kosova mund të ketë një strukturë politike me vetëm dy subjekte LVV dhe PDK. LDK dhe AAK duhet t’a kenë parasysh këtë fakt. Po ashtu zgjedhje të reja nuk janë zgjidhje e duhur kur dihet kostoja e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …