Brickos

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti e krahason Albin Kurtin me Neronin

Pasi ka dhënë disa këshilla të urta, në një shkrim të publikuar në portalin “Telegraf”, “babaxhani” jo vetëm moral i PDK-së, Xhavit Haliti, duke folur për tymin lotsjellës në Kuvend, po pa përmendur freskimin me një gotë ujë që ia kishte derdhur fytyrës, deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë përpjekje të tregohet si gjithnjë i matur dhe largpamës.  Megjithatë, kësaj radhe, urrejtja duket se ka qenë aq e thellë dhe aq bizare sa veprimet e Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës,  Xhaviti i krahason hiç më pak sesa veprimet e Neronit, i cili e dogji Romën, sipas mendimit të tij, vetëm për  u bërë i paharrueshëm. Historia e thotë ndryshe, por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka fakti se Xhavit Haliti i hakmerret Albin Kurtit duke e quajtur Neron. Se shitet apo nuk shitet ky konstatim në pazarin e portaleve të lara e të palara, kjo nuk ka rëndësi, më rëndësi është që ai ka arritur ta zbraz deri diku  një valvul të zemërimit.  Por shumë valvula të tjera duket se i kanë mbetur të tendosura.


Xhavit Haliti thotë për veten e tij se është themelues i UÇK-së, por dihet se  këmba e tij nuk ka shkelur asnjëherë në Kosovë prej fillimit e mbarimit të luftës. Ai ka plot të drejtë të zemërohet me veprimin e Albin Kurtit, ashtu sikur ka qenë i zemëruar edhe Albin Kurti në të dhe në Kryesinë e Kuvendit. Ka të drejtë t’ i thotë edhe Neron, por nuk ka aspak të drejtë t’i mohojë shkaqet që çuan deri atje sa pakënaqësia e gati 40 deputetëve, të shprehet me revoltë të nivelit të tillë në Kuvend, lidhur me lëshimet fatale që iu bënë Serbisë e Malit të Zi nga Kryesia e Kuvendit, Qeveria dhe kreu i saj.


Xhavit Haliti luan rolin e viktimës, sepse ashtu pretendon të tregohet i matur, i urtë, i mençur, i durueshëm madje më i durueshëm sesa ishte durimtari historik i Kosovës, Ibrahim Rugova. Po të ishte gjallë Rugova do t’ i  kishte shprehur lakmi këtij Xhavitit, për mënyrën si paraqitet para opinionit, e sidomos para ndërkombëtarëve.


 


Se Xhavit Haliti ia do të mirën Kosovës, kjo mund edhe të jetë e vërtetë, por që ka treguar me vepër se e do atdheun më shumë se ish-Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj dhe shumë të tjerë nga radhët e opozitës, kjo nuk ka fare të bëjë me të vërtetën. Ramushit i dhimbset edhe një gur i Kosovës, sepse për ata gurë, ato pyje e livadhe, ato ara e brigje, edhe  nën tymin dhe granatat e serbit, ato i ka larë me djersë e gjak, i ka larë me gjakun  e vëllait dëshmor, duke e bartur mbi supe, për të mos ia lënë trupin gjakatarëve serbë, në kohën kur Xhavit Haliti e të tjerë bënin  gjumin e vonë të natës në Rogner të Tiranës dhe në hotele të tjera në Gjermani, Zvicër e gjithandej. Nuk them se ata nuk kanë bërë punë në dobi të Kosovës, por ka dallime të mëdha në këtë mes.


Xhavit Halitit duket se vetëm njëherë në jetë ia kanë tymosur hundët me gaz lotsjellës, ndërsa Albin Kurti është mësuar me gazin lotsjellës të policisë vrastare të  Milosheviqit, të policisë së UNMIK-ut, të Policisë së Rumanisë, të Policisë së Kosovës e të EULEX-it. 


Krahasimi, që ka zgjedhur me këtë rast Xhavit Haliti, duke krahasuar Albin Kurtin me Neronin, me Sali Berishën e të tjerë, është krahasim i papjekur, që nuk i ka hije një durimtari, madje as një mëkatari të përfolur, sepse unë nuk besoj në ato mëkate  që përfliten dhe i përshkruhen  Xhavit Halitit. Nuk dyshoj se  është angazhuar me krejt mundësitë e tij për mbarëvajtjen e luftës së UÇK-së, por dyshoj në seriozitetin, apo aftësitë e demonstruara  të trajtimit të drejtë dhe realist të  çështjes së Kosovës prej qershorit të vitit 1999 e deri më sot. 


 


Meqë Xhavit Haliti shërbehet me fjalë të urta, i preferoj ta lexojë “Talmudin” i cili mjerisht, me sa di unë, ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe.


Një fjalë e urtë në “Talmudin” e urtësisë hebraike thotë: “Mos u fryj gacave të mëkatarëve sepse ka rrezik të digjesh në flakën e zjarrit të tyre”. Albin Kurti, e simpatizojmë apo jo, e duam apo e urrejmë, ka treguar me vepër se ka shkelur dhe  shkel në zjarrin e mëkatarëve, pa droje se digjet në flakën e zjarrit të tyre. Kështu si Albini kanë bërë dhe bëjnë ata që dinë çka duan dhe dinë rrugën që shpie në realizimin e aspiratave të tyre. Tani, Albini nuk është më trim i madh me disa shokë, por është trimi i mirë me shokë shumë, andaj, Xhavit Haliti dhe ata që e kanë shumë begeni vetveten, narcisët e llojit të tij duhet të shkunden sa nuk janë shkundur e përlotur nga gazi lotsjellës jo vetëm në Kuvend. Kosova është e të gjithëve, por meritat për lirinë e pavarësinë e saj nuk janë të njëjta. Gjakimi për lirinë e pavarësinë matet me kontribut konkret dhe jo me lavde e aureola që i qëndisim vetvetes apo që na qëndisin të tjerët.


Ahmet Qeriqi


19. 10. 2015

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …