Ministrja në Detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jurg Sprecher, kanë nënshkruar marrëveshjen pesëvjeçare për zbatimin e projektit “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë (GPEK)”.
Marrëveshja është realizuar ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), me bashkëfinancim nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), dhe do të zbatohet gjatë periudhës 2026–2031.
Përmes këtij projekti, me vlerë të përgjithshme prej 8.78 milionë frangash zvicerane, synohet mbështetja e tranzicionit të gjelbër të sektorit privat në Kosovë, me fokus në rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë klimatike të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Projekti do të kontribuojë në promovimin e teknologjive më të pastra, rritjen e efikasitetit të përdorimit të burimeve, adoptimin e praktikave të qëndrueshme të biznesit dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik.
Ministrja Kusari-Lila falënderoi Qeverinë e Zvicrës, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe partnerët e tjerë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe besimin në potencialin zhvillimor dhe ekonomik të vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
