NESIP KAÇI: SALI VRANISHTI, MONUMENT I ATDHETARISË DHE I TRIMËRISË LABE I

Sali Vranishti,  lindi në fshatin Vranisht të Vlorës,  më 20 mars të vitit 1880. I ati I tij Murat Mamani  nga mëhalla Gjokaj kishte marrë pjesë në luftën kundër pushtuesve osmanë në fund të shekullit të kaluar. Si gjithë fshatarët e tjerë të Vranishtit, ai u muar një jetë të tërë me blegtori dhe punoi ato pak toka që kishte në Shënepremte në kufi me fshatin Tërbaç. Murat Mamani dhe bashkëshortja e tij Sara lindën katër fëmijë. Saliu ishte fëmija i parë. Sa u rrit, ai që ishte fëmija i parë, u bë krah në punët e shtëpisë kur ndihmonte herë të ëmën e herë të atin për të përballuar jetën e vështirë të atyre kohëve. Kur u bë 12 vjeç i ati e mori me vete pas bagëtive. Jeta në male e kaliti Saliun me trup të fuqishëm dhe rrezistent.

Saliu mësoi shumë legjenda dhe histori. Jeta e Vranishtit nuk mund të kuptohet pa malin. Në marrëdhëniet shoqërore në fëmijërinë dhe rininë e tij mbahet mend si njeri i drejtë. Ai nuk njihte zënka dhe mëri të moshës. Ishte një i ri që e donte të drejtën. Kur populli ynë u ngrit në këmbë kundër Tanzimatit, gjyshi i Saliut, kishte luftuar kundër taboreve  osmane me parullën: ” Nizam e xhelepe s’ka, është vëndi fukara ”. Sali Murati, ose, siç do ta quajmë më tutje, Sali Vranishti e urrente pushtimin osman se fshati i tij ishte katandisur keq e mos më keq. Gjëndja ishte e mjerueshme, iknin djemtë nizamë larg nëpër shkretëtira dhe më të shumtët nuk ktheheshin më të gjallë. Saliu nuk shkoi nizam. Vranishti paguante vergji, të dhjetat, xhelep e taksa të tjera, si taksa e përjashtimit nga shërbimi ushtarak, taksa e martesës dhe e kullotës. Vranishti i asaj kohe vlonte nga urrejtja kundër rregjimit pushtues osman.

Një ditë Saliun e ofendoi  një suvari (kalorës osman) dhe Saliu i tha c’farë të bëra ? Pse më ofendon ? Erdhi puna që suvariu i drejtoi armën ta vriste. Saliu e çarmatosi, i mori dhe kalin. Në këto kushte i ati i Saliut, Murat Mamani, s’mundte më ta mbante djalin në fshat. Kështu që Saliu mori lart malin e Shashicës e zbriti në Dukat. E kërkuan koshallet ( organet e ndjekjes turke ) Saliun nëpër Topalli por nuk e gjetën. Koshallet goditën me pëllëmbë kryeplakun e fshatit. Këtë e mori vesh dhe Saliu dhe djemtë e fshatit, u përleshën me mylazimin ( togerin) dhe koshallet, të cilët morrën në krahë komandantin e tyre të plagosur dhe ikën. Kjo ishte një ditë e shënuar për Sali Muratin (Vranishtin), i cili doli komit. Të tillë rini kaloi Saliu, me halle, vuajtje e ndjekje nga armiku. Në gushtin e vitit 1902 Sali Murati ( Vranishti) doli komit në moshën 22 vjeç me veshjen karakteristike të Labërisë, po përqafohej me njerëzit e vëllezërinë e tij. Të nesërmen e ngrysi në shpellat e Alizogës në majë të Çikës. Ditën e tretë kaloi në majën e Merimerit. Me muaj e vite ai u bë banor i malit, i shpellave të malit.

Mylazimi (togeri), me shumë forca u kthye sërish në Vranisht dhe kërkonte maleve e staneve Sali Vranishtin, por nuk ra në gjurmët e tij. Ai u inatos shumë kur mori vesh se kishte dalë malit komit. “ Edhe në fund të dynjasë të vejë, unë do ta gjej, nuk më shpëton, ore Sali, shfrynte Mylazimi ”. I ati i Saliut vdiq në kohën që i biri kishte dalë komit. Saliu kur filloi dimri zbriti nga mali, u takua me njerzit e tij dhe mori rrugën e emigracionit në Janinë, për të humbur gjurmët dhe për të mos dëmtuar të afërmit nga autoritete osmane. Në Vranisht la nënën, gruan dhe dy djem të vegjël. Në emigracion, në  Janinë, Saliu u kacafyt me një oficer tjetër turk, se ky i fundit e shau i tha  “pis arnaut” – “ Pis shqiptar “  Ne, ca shokë shqiptarë, këndonim një këngë labçe, këngë trimash, dhe turkut nuk i pëlqeu kjo këngë, tregon Sali Vranishti dhe na shau “pis arnaut”. Saliu iu afrua turkut dhe i tha kujt i thua ti “pis arnaut”, e di c’të bëj unë, të luaj tepelekun. Turku u trëmb, nxorri koburen desh e qëlloi Saliun, i cili  për vetëmbrojtje, i futi turkut duart në fyt, i mori armën dhe e vrau.

 Saliu, për t’i shpëtuar organeve të policisë, u kthye në Shqipëri, në Vranisht, por një spiun, kish lajmëruar autoritetet, që e rrethuan dhe e futën në burg. Vranishti ra në zi, që Sali Murati u kap tradhëtisht. Saliun e arrestuan dhe brënda natës e shoqëruan me 12  xhandarë dhe e çuan në burgun e Beratit e pas një jave e dërguan në Janinë. Në Janinë atdhetarët e ndihmuan Sali Vranishtin, Ahmet Mestanin nga Staravecka e Skraparit dhe Jaup Feratin nga Brataj i Vlorës, tw cilët, që të tre dolën nga burgu i Janinës. Që këtej, nga Janina Sali Vranishti kaloi në Leskovik – Kolonjë-Përmet- Labëri-Vranisht.

       Takimi me Ismail Qemalin. Pas arratisjes nga burgu, Sali Vranishti mori përsëri malet me dyfek në sup. Ky lajm u përhap në tërë krahinën e Mesaplikut. Ai ruhej se mos binte rishtaz në dorë të armikut. Mbledh rreth vetes një grup djemsh. Në shtator 1908 Ismail Qemali shkoi në Vranisht. Rrugën për Brataj e bëri fshehtazi. Bratajt me Memo Meton i dolën  në urën e fshatit dhe iu lutën të qëndronte mik në fshatin e tyre. Ai nuk ndejti. Përpara se të vinin në Vranisht bëri një vizitë në Shalëz-Mesaplik nën hijen e një rrapi shekullor në mes të fushës së Mesaplikut. Kuvendoi me parinë e lumit të Vlorës. Edhe sot i thonë rrapi i Ismail Qemalit, atje ku kuvëndoi ai me atdhetarët. Sali Vranishti kishte qënë në Vuno dhe të nesërmen sa mori haberin e ardhjes së Ismail Qemalit në Vranisht, u nis dhe mbriti atje që pagdhirë.

Pasi u takua me të, Ismail Qemali tha se më gëzon zemra që njoha këtu Sali Muratin (Vranishtin), që paska kaluar një odise të tërë vuajtjesh e përpjekjesh. Saliu rinte e dëgjonte, jo vetëm nga forca e zakonit, por ishte edhe më i riu në atë sofër burrash, pasi e kish zakon që të dëgjonte bashkëfolësin me kujdes, pastaj të fliste. Ismail Qemali bisedoi gjatë duke e vënë theksin te dituria, uniteti, trimëria, falja e hasmërive e të tjera. Midis të tjerëve foli edhe Sali Murati ku në esencë tha se porositë e Ismail Qemalit i kishin kuptuar.Ismail Qemali e përgëzoi Sali Muratin për trimërinë që kishte treguar deri atëhere, kundër pushtuesve osmanë. Ismail Qemali u prek shumë nga pritja dhe nga këngët e vallet dhe tha këto fjalë : Këngë e valle paçi për jetë o vranishiotë, se keni burra të pushkës, të kuvendit dhe të këngës. Para se të largohej Ismail Qemali iu la dy abetare. Disa djem i recituan Ismail Qemalit   pjesë nga “ Bagëti e Bujqësi” të Naim Frashërit dhe  “ Herveheja “ e Muhamet Çamit.

 

       Çeta patriotike e Kapedan Saliut. Jehonë të madhe në Labëri kishte bërë sidomos çeta e Çerçiz Topullit në Gjirokastër dhe ajo e Muharrem Rushitit në Çamëri. Në nëntor 1908 në fshatin Tërbaç shkoi për vizitë Çerçiz Topulli dhe takoi trimat e Tërbaçit dhe u foli për çetat e Labërisë që po formoheshin. Sali Murati kishte marrë armë në Himarë dhe i kishte fshehur në Shpellën e Hajdutëve mbi Vranisht. Qysh me krijimin e çetës, shoku i tij i armëve u bë trimi Azem Sulo nga Vranishti, Remzi Janji nga Kallarati, Selam Abazi nga Tërbaçi, Goxho Aliko  nga Brataj, Xhezo Balua e  Hito Dalani nga Tërbaçi, Tahir Myftari nga Kanina, Abedin Kanani nga Smokthina. Kjo çetë është thirrur  “ Firarët  e Sali Kapedanit “. Në këto vite , 1910-1911, Sali Murati bashkëpunoi edhe me luftëtarë të tjerë firarë si Pasho Ramadani, Nase Beni, Jani Rexho, Jani Kolori e të tjerë atdhetarë, të cilët grumbullonin armë për luftën kundër pushtuesve osmanë. Gazeta  “Liri e Shqipërisë” e 7 korrikut 1911 shkruan : “ Që në fund të Çipinit e deri në Delvinë janë mbushur malet me trima shqiptarë. Që në Karbunarë e gjer  në Dukat e Sarandë lëvizin çetat shqiptare “. “ Numëri i personave që kanë marrë pjesë në kryengritje është 2500 deri në 3000 vetë, i shkruante konsulli Frosord në Janinë Kontit Eventit. Klubet e organizatave të armatosura janë të lidhura me Ismail Qemalin, që është shpirti i lëvizjes “. Në rritjen e rrezistencës kundër pushtuesit, një rol të veçantë lozi dhe çeta e Sali Muratit, që kishte filluar nga kryerja e aksioneve në Polobuar të Shashicës, në Picar të Armenit, ku përsëri doli pa dëmtime.

 Në pranverë të vitit 1910 çeta e Sali Muratit kreu në Mifol një tjetër aksion, ku u shkoi në ndihmë fshatarëve për mbrojtjen e tokave të tyre, që donin t’ua grabitnin bejlerët dhe agallarët. Sali Murati mori pjesë në mitingun që u organizua në Urën e Shushicës ( Drashovicë ) në korrik 1911. Në miting morrën pjesë 3000 fshatarë, myslimanë e të krishterë. Nga këta 3000 vetë që morën pjesë në miting, u formuan katër çeta të armatosura mirë. Nga Vranishti në kuvendin e Drashovicës morrën pjesë 39 burra, të cilët u radhitën në kryengritjen e armatosur që shpërtheu në Vlorë, Mallakastër e Berat. Vera e vitit 1912  Ismail Qemalin e solli rishtaz në Vlorë. Atje shkoi Sali Murati, Mehmet Kuçi  e Alem Mehmeti dhe takuan Ismail Qemalin. Ishte gusht 1912. Ismail Qemali në takim me parinë e Vlorës, kishte kërkuar një mbledhje në Fier dhe lajmëroi personalitetet që do merrnin pjesë në atë mbledhje të Fierit. Në këtë mbledhje çeta e Sali Muratit bëri roje rreth ndërtesës ku u bë takimi.

Sali Murati ka qënë një trim i rrallë. Ai në rrethimin në Buzuk të Tërbaçit, çau mespërmes rrethimin e xhandërëve dhe populli i këndon Saliut kështu : “ Sali Murati vetëtimë, çau mespërmes pusinë”. Hapja e burgjeve në Vlorë dhe lufta e Qishbardhës ishte një nga aksionet e suksesshme të çetës së Sali Murat Vranishtit. Në këtë aksion çeta e Sali Muratit e çorientoi armikun turk megjithë përforcimet që erdhën nga Vlora , përsëri armiku dështoi. Populli i këndoi kështu kësaj fitoreje të çetës së Sali Muratit :  “Rrahën telat anë e mbanë, Të zini Sali Muranë, Jo të vdekur por të gjallë, Treqind asqerë i vanë, Po s’i qaseshin dot pranë “.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një ditë e zakonshme me shi dhe mjegull te Rrezja e Baliqit në Berishë. (E diel 25 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një ditë e zakonshme me shi dhe mjegull te Rrezja e Baliqit në Berishë. (E diel 25 prill, 1999)

Edhe pse dje u duk se do të përmirësohet moti, gjatë natës ndodhi një shtrëngatë …