Nezir Myrtaj: Portreti i luftëtarit të tri luftërave çlirimtare, Bedri Rama

Nezir Myrtaj: Portreti i luftëtarit të tri luftërave çlirimtare, Bedri Rama

 “Uniforma e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më ishte bërë fiksion, dëshirë e flaktë dhe do të mbetesha i lumtur edhe po qe se do të vritesha në atë uniformë“-janë fjalët e luftëtarit Bedri Rama.

Fundshekulli 20 dhe fillim shekulli 21 shënojnë epokën e përpjekjeve të shqiptarëve në trojet e tyre të mbetura nën sundimin e popujve jugosllavë për t’u çliruar një herë e përgjithmonë nga thundra e robëruesve. Ata iu kishin përgjigjur imperativit të kohës për ta pavarësuar Kosovën nga Serbia, por edhe për t’i çliruar trojet e tjera të mbetura nën Serbi dhe ato nën pushtetin e krijesës artificiale jugosllave e quajtur Maqedoni, me qëllim të krijimit të parakushteve për realizimin e synimit shekullor të bashkimit kombëtar si e drejtë e natyrshme dhe e ligjshme e popullit shqiptar. Në këto përpjekje atdhetare nuk ishte i vogël as numri i atyre të rinjve shqiptarë të cilët u bënë pjesë e maratonës çlirimtare nën emblemën e tri ushtrive çlirimtare: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Njëri prej tyre, që madje aktivitetin e tij luftarak e vazhdoi edhe pas nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve për ndërprerjen e aktivitetit çlirimtar, siç ishin Marrëveshja e Kumanovës në qershor të vitit 1999; Marrëveshja e Konçulit në mars të vitit 2001 dhe Marrëveshja e Ohrit në gusht 2001, si pjesë e Armatës Kombëtare Shqiptare është luftëtari,  Bedri Jashar Rama.

Bedri Rama ka lindur më 20 tetor të vitit 1978 në fshatin Uçë të komunës së Burimit. Nga rrethi i tij familjar, pak a shumë ai kishte arritur ta kuptonte historinë e mbetjes nën Jugosllavi të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, pasi në përpjekje për ta penguar këtë ripushtim të trojeve shqiptare, në fund të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, në përballje me forcat e partizanëve pushtues serbë, në bjeshkën e Uçës, Lipë, kishte rënë anëtari i familjes së tij, Ramiz Alush Rama. Mirëpo, një ndikim të drejtpërdejtë në kultivimin e urrejtjes së këtij të riu ndaj pushtuesit serb kishin ushtruar edhe rrethanat e sundimit të egër serb gjatë viteve ’90 të shekullit njëzet, kur mbi popullin shqiptar të Kosovës u zbatua shtypja dhe segregacioni racist. Këto rrethana kishin bërë që pas formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bedriu të shohë te ajo, jo vetëm shpresën për shpëtim, por edhe vendin ku ai duhej ta kishte. Për këtë qëllim interesimin e vet për t’u bërë pjesë e UÇK-së shpesh ia kishte shprehur edhe babait të tij, Jasharit, duke thënë se do të mbetej i lumtur edhe po të vdiste në uniformën e kësaj ushtrie.

Për shkak të specifikave të caktuara, shtrirja e organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në disa pjesë të trevës së Burimit ishte bërë më vonë se në trevat e tjera, megjithatë Bedriu po e përcillte situatën me vëmendje duke pritur çastin kur ai do të mund t’i krijonte lidhjet me pjesëtarët e kësaj ushtrie. Por, ky çast do të krijohej vetëm pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi pushtuesin serb, kur edhe familjarët e Bedriut, sikurse gjithë banorët e fshatit Uçë, në fund marsin e vitit 1999 ishin detyruar të largohen nga shtëpia e tyre, duke u strehuar disa ditë me radhë në pyjet dhe grykat e bjeshkës Fusha e Madhe e pastaj kishin arritur të largohen së andejmi për në Shqipëri. Pas arritjes në Tiranë Bedriu nuk kishte qëndruar më shumë se dy ditë dhe kishte hulumtuar mundësitë për t’u takuar me strukturat e UÇK-së që ishin atje e që po merreshin me aspektet e rekrutimit të ushtarëve të rinj, trajtimit të luftëtarëve të plagosur në front, apo me çështje të tjera të organizimit ushtarak.

Rasti kishte mundësuar që atje ta takonte pjesëtarin e UÇK-së, Asdren Halilaj nga Potërçi i Klinës, i cili, po ashtu e kishte sjellë familjen e vet në Tiranë me qëllim që sërish të kthehej në front. Pas këtij kontakti të parë, Bedriu arrin ta kontaktojë edhe veprimtarin e UÇK-së Jashar Salihu dhe bashkëveprimtarë të tij, të cilëve ua shprehë dëshirën dhe gatishmërinë për t’u inkuadruar në radhët e UÇK-së, e cila dëshirë edhe i plotësohet. Për të kryer procedurat e rekrutimit ai shkon në Durrës, prej nga pastaj me shumë rekrutë të tjerë dërgohet në qendrën e stërvitjeve ushtarake në Fiken të Dajtit. Pas serisë së stërvitjeve të nevojshme, në fillim të muajit maj të vitit 1999, luftëtarët e stërvitur, në mesin e të cilëve edhe Bedriu, të shoqëruar nga eprori Bilall Syla dërgohen në Cahan të Hasit e pastaj në Pashtrik ku do të merrnin pjesë në operacionin Shigjeta. Bedriu ishte sistemuar në Togën e Parë të Kompanisë së Parë të brigadës së angazhuar në këët operacion. Ishte i pajisur me armatim kallashnikov e me bomba, por njësiti kishte në dispozicion edhe mitralozin e rëndë. Në front për thyerjen e kufirit në Pashtrik qëndron deri në përfundim të luftimeve dhe në njoftimin për arritjen e marrëveshjes së Komanovës, më 9 qershor 1999.

Pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe rekomandimit nga struktura komanduese e brigadës që pjesëtarët e UÇK-së të ktheheshin secili në trevën e vet, Bedriu ishte kthyer në Burim, ku pas vënies së kontaktit me eprorin, Azem Veseli ishte paraqitur në radhët e Brigadës 133 Adrian Krasniqi, pjesë e së cilës qëndron deri në momentin e transformimit të UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, në shtator të vitit 1999. Në periudhën e demobilizimit, merret me punë të ndryshme duke ndihmuar familjen për mbijetesë ekonomike dhe për sanimin e pasojave të luftës.

Me fillimin e luftës çlirimtare nga Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, në fillim të vitit 2001, Bedriu do ta vrasë mendjen si ta gjejë rrugën për t’iu bashkuar asaj. Dhe kjo rrugë ishte gjetur së shpejti, pasi fqinji dhe kushëriri i tij, Dinë Imer Behlulaj i kishte propozuar që t’u bashkoheshin radhëve të UÇPMB, ngase ai tashmë kishte një lidhje përmes një familjeje nga fshati kufitar i Bujanovcit Dobrasin. Mirëpo, që të sigurohej lidhja e duhur për shkuarje në UÇPMB së pari duhej shkuar në kazermën e TMK-së në Gjilan. Prandaj, së bashku me Dinën, Bedriu niset për në Dobrasin ku kontakton për herë të arë pjesëtarët e UÇPMB. Në pikën ushtarake të këtij fshati e cila ishte nën komandën e eprorit Hajzer Çitaku nga fshati Çitak i Skënderajt, ai takon dy luftëtarë, të cilëve u bashkohet edhe vetë duke marrë dhe detyrën e komandantit të togës. Kishte në dispozicion armatimin kallashnikov, revole dhe zollë.

Në tre muajt e parë pas inkuadrimit në UÇPMB, Bedriu nuk ishte kthyer asnjëherë në gjirin e familjes në Uçë. Familja e tij nuk kishte qenë në dijeni për shkuarjen e tij në frontin e UÇPMB deri në momentin kur në patikat që ai i kishte lënë në shtëpi e kishte gjetur pusullën të shkruar nga ai me të cilën kishte njoftuar se po shkonte në luftë.

Më vonë pjesë e luftës së UÇPMB-së ishte bërë edhe kushëriri i afërt i Bedriut, nipi i martirit të atdheut, Ramiz Rama, Nexhdeti. Nexhdeti edhe pse i ri vetëm 17-vjeçar, një kohë kishte qenë edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Dukagjinit, në kuadrin e Brigadës 134, Bedri Shala. Mirëpo, pas dezertimit të komandantit të kësaj zone Tahir Zema, në shtator të vitit 1998, Nexhdeti kthehet në familjen e tij në fshatin Uçë. Më vonë bëhet bashkudhëtar i Bedriut edhe në periudhën e vazhdimit të veprimtarisë në kuadrin e Armatës Kombëtare Shqiptare.

Ndërkohë, pasi ishte sëmurë, kushëriri tjetër i Bedriut, Dina, nga zona e luftës e UÇPMB-së ishte kthyer në vendlindje.

Në përkujtim të ngjarjeve të përjetuara në këtë zone të luftimeve, Bedriu përshkruan rastin e humbjes së tre bashkëluftëtarëve në pikat e tyre të vëzhgimit: Shkëlzenit, Betimit dhe luftëtarit nga Prizreni, por edhe hakmarrjen për vrasjen e tyre, pak kohë më vonë.

Pas disa muajsh qëndrimi në frontin e Dobrasinit, Bedri Rama ishte kthyer në familje për një pushim të shkurtër. Gjatë kthimit për në Dobrasin, në Gjilan takohet me bashkëluftëtarët e tij: “Hoxhën” e Radafcit; Asimin nga Vushtrria; Blerim Musliun nga Gjilani e të tjerë. Prej tyre informohet lidhur me hapjen e frontit të luftimeve edhe në viset shqiptare nën Maqedoni, nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe se ishte shtruar nevoja urgjente për të shkuar atje. Pasi merret vendimi, ata nisen në drejtim të Kumanovës, por fillimisht shkojnë në Viti, te hoteli “Drenica” pronar i të cilit ishte Xhavit Hasani nga fshati Tanushë i Shkupit. Ky hotel, në njëfarë mënyre ishte edhe vendtakimi i luftëtarëve që kishin për destinacion frontin e luftimeve në Maqedoni. Nga kjo zonë drejt kufirit po bartej edhe municioni me ngarkesë kuajsh.

Nga Vitia Bedriu kishte kaluar në vendin e luftimeve në Likovë të Kumanovës, ku sistemohet në njësitin e eprorit Xhavit Morina nga Drenoci i Malishevës, bashkëluftëtar i mëhershëm i tij, i cili njëherësh ishte edhe përgjegjës për çështje të armatimit. Në këtë pikë luftimi ai ngarkohet me përgjegjësi në kuadrin e policisë ushtarake.

Në luftimet e njohura në fshatin Sllupçan, gjatë shkëmbimit të zjarrit, Bedriu plagoset. Bashkëluftëtarët arrijnë ta dërgojnë në spitalin ushtarak të Likovës, prej nga nëpërmjet fshatit kufitar Stanqiç me dokumente të rrejshme në emrin e Selami Kadriut nga fshati Llopat i Kumanovës, dërgohet për shërim në bazën ushtarake, Bondstill. Shërimi kishte zgjatur dhjetë ditë dhe pas lirimit nga Bondstilli ai bëhet sikur do të shkojë në Viti me qëllim që të kthehet në Maqedoni, qytetar i të cilit shtet “ishte”. Mirëpo, në realitet, nga Vitia Bedriu shkon në Uçë.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, më 13 gusht 2001, kishte përcaktuar ndërprerjen e luftimeve ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave militare e paramilitare maqedonase dhe fillimin e një procesi normalizimi, siç dihet pa u arritur objektivat për të cilat populli shqiptar në Maqedoni kishte filluar luftën atje. Me këtë fakt nuk kishte arritur të pajtohej një numër i caktuar i luftëtarëve pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, prandaj ata kishin vendosur ta vazhdonin rezistencën dhe aktivitetin çlirimtar, por tashmë në kuadrin e një formacioni të ri ushtarak siç u bë Armata Kombëtare Shqiptare.

Disa muaj pasi ishte kthyer nga fronti i UÇK-së në zonën e Kumanovës, në vendlindje, te Bedri Rama kishte ardhur bashkëluftëtari i tij, Xhavit Morina nga Drenoci i Malishevës. Qëllimi i ardhjes së tij kishte qenë mobilizimi i bashkëluftëtarëve të tij, të cilët nuk ishin pajtuar me ndërprerjen e aktivitetit çlirimtar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, për t’u aktivizuar në kuadrin e AKSH. Ata kishin rënë dakord që ta kontaktonin edhe bashkëluftëtarin tjetër Hajriz Çitakun, te i cili kishin shkuar bashkërisht për ta diskutuar çështjen.

Pas marrjes së vendimit, Bedriu ishte angazhuar në njësitin e AKSH në Pejë. Atij i ishte bashkuar edhe kushëriri Nexhdeti, i cili tashmë kishte regjistruar studimet në Shkollën e lartë në Gjakovë, në drejtimin Kimi-Biologji. Pjesë e këtij njësiti ishin: Bedri Rama, Hajzer Çitaku, Xhavit Morina, Nexhdet Rama, Kastriot Vokshi nga Gjilani, Avni Beqiri nga Açareva e Skënderajt, Faruk Zeka nga Abria e Skënderajt, Arben Spahiu nga Mitrovica, Shkëlzen Gashi nga Prigoda e Burimit, Imer Gavazi nga Ferizaj, Metë Mushkolaj nga Deçani etj. Aktivitetin e tij ushtarak njësiti duhej ta zhvillonte në zonat e Maqedonisë, kryesisht në fshatrat e Tetovës, por edhe në Gostivar. Bedriut i kujtohen shumë ngjarje të zhvilluara në këtë periudhë, në fshatrat Reçicë e Vogël, Reçicë e Madhe, Lesec, Bogovinë, Zhelinë e të tjera, duke përfshirë edhe rënien e bashkëluftëtarit të tij Avni Beqiri nga Açareva. Avniu ishte sulmuar nga pusia e kurdisur në momentin kur ai ishte duke udhëtuar me automjetin Golf 2, ndërkohë që me vete kishte edhe topin e dorës. Të plagosur rendë atë e kishte dërguar Bedriu në spitalin e Tetovës, por pa mundësi shpëtimi. Varrimi i Avniut ishte bërë në fshatin Reçicë e Madhe të Tetovës, ku ndodhej edhe shtabi udhëheqës i AKSh-së.

Kjo ngjarje dhe ato që e kishin pasuar atë kishin bërë që Bedriu të tërhiqej për një kohë të caktuar, me ç’rast ishte kthyer në Kosovë. Mirëpo, pas një kohe sërish ishte kthyer në të njëjtën zonë, për ta vazhduar aktivitetin me një taktikë të re të veprimit në formën e aksioneve guerile kundër policisë maqedonase, e cila tashmë me vrazhdësi po e kontrollonte zonën. Njësiti kishte ndërmarrë aksione të njëpasnjëshme, si ai në stacionin policor të fshatit Bogovinë; bllokimi i autostradës Tetovë-Shkup, ku arrestohet guvernatori i Maqedonisë, i rast ishte shfrytëzuar për lirimin e disa pjesëtarëve të arrestuar të AKSH, duke bërë shkëmbimin me guvernatorin; sulmi ndaj punktit policor në Gostivar e të tjera.

Episodi i cili do ta mbyllë kapitullin e veprimtarisë së Bedriut dhe bashkëveprimtarëve të tij në kuadrin e AKSH në Maqedoni, do të jetë ngjarja e ndodhur në fshatin Çallopek, ku atyre do t’u kurdiset prita kobzezë nga një dorë spiuni. Ajo kishte ndodhur në momentin kur dy grupe pjesëtarë të AKSH ishin nisur në aksionin për kapjen e një krimineli i cili kishte vrarë shqiptarë. Shkuarja në aksion ishte planifikuar të bëhej me automjete, ku në një njërën veturë ndodheshin Bedri Rama, Nexhdet Rama dhe Kastriot Vokshi me pseudonimin “Kingji” nga Gjilani, ndërsa në veturën tjetër gjendeshin Sahit Rushiti nga Tetova; Halil Hyseni nga Tetova; Dan Dërvishi nga Kasterci i Skënderajt dhe i riu nga Prizreni me emrin, Vendim. Dy grupet e guerilëve kishin me vete edhe armatimin e nevojshëm. Mirëpo, brenda grupit të dytë kishte arritur të depërtojë spiuni, i cili në hyrje të fshatit Çallopek të Tetovës e kishte njoftuar grupin e Bedriut se ishte i rrethuar ndaj të cilit kishte filluar edhe sulmi i rreptë me automatik. Sulmit i ishin kundërpërgjigjur guerilët e rënë në pritë derisa në luftime e sipër kishte rënë Kastriot Vokshi- “Kingji”, ndërsa ishin plagosur rendë: Bedri Rama e Nexhdet Rama. Bedriu kishte marrë plagë në këmbë e në krah, ndërsa Nexhdeti në kurriz.

Duke qenë pjesë e organizimit të pusisë, në vendin e ngjarjes arrin shpejt njësia special e policisë së maqedonase, me ç’rast i arreston dy të plagosurit dhe i dërgon në spitalin e Shkupit. Pavarësisht prej gjendjes së rendë shëndetësore, ndaj tyre fillon zhvillimi i hetimeve të akuzuar për veprimtari terroriste kundër shtetit të Maqedonisë, të cilat kishin zgjatur për pesëmbëdhjetë muaj rresht deri në shtator të vitit 2002, në burgun hetues të Shutkës.

Procesi hetimor i shoqëruar me tortura të rënda e të pandërprera kishte rezultuar me organizimin e procesit gjyqësor, në të cilin Bedriu dhe Nexhdeti u dënuan me burgim të gjatë për veprat e cilësuara si terrorizëm, marrje e mbajtje pengu dhe vrasje. Bedriu u dënua me 31 vite burg, ndërsa Nexhdeti me 21 vite burg. Pjesën më të madhe të dënimit ata e mbajtën në burgun e Idrizovës në Maqedoni (nëntë vite), ndërsa katër vitet e fundit i mbajtën në burgun e Dubravës, pasi ishin transferuar në Kosovë. Marathonomaku i lirisë, Bedri Rama, së bashku me shoqëruesin e tij, Nexhdetin, u liruan nga burgu në vitin 2015, si rezultat i zbritjes së dënimit në përputhje me rregullat ligjore.

Sot këta dy burra të Uçës, me një histori interesante të jetës e të veprimtarisë së tyre, jetojnë në fshatin e tyre të lindjes. Ata gëzojnë statusin e kategorive të luftës të UÇK-së.

Bedri Rama siguron ekzistencën ekonomike me punën e vet fizike në sektorin privat. Ai jeton në kushte modeste ekonomike, në një shtëpi të vogël gjysmë të meremetuar, së bashku me gruan dhe çupën simpatike e cila s’i shqitet nga prehri sa herë ai ka kohë të lirë.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …