Aktakuza pretendon se të akuzuarit, në periudhën nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në komunat veriore të Kosovës, kanë vepruar në bashkëkryerje për të penguar institucionet shtetërore në ushtrimin e autoritetit dhe zbatimin e rendit kushtetues. Sipas dosjes së Prokurorisë, ata kanë organizuar bllokimin e rrugëve kryesore duke përdorur automjete dhe makineri të rënda, përfshirë kamionë me zhavorr, ekskavatorë, autobusë, autoambulanca dhe mjete të tjera.

Prokuroria thekson se ekzistojnë dyshime se pjesëtarët e grupit kanë qenë të përgatitur të kundërshtonin me forcë çdo ndërhyrje të Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes në zonë.

Ndërkohë, hetimet ndaj 11 personave të tjerë, A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R. dhe tre persona me inicialet M.R., janë pezulluar përkohësisht, pasi ata vazhdojnë të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se procedurat ligjore ndaj të akuzuarve do të vazhdojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa për personat e pakapshëm do të ndërmerren veprimet e nevojshme me qëllim sigurimin e pranisë së tyre para organeve kompetente.