Ngritet aktakuzë ndaj imamit kontrovers nga Prizreni

Më në fund, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj imamit kontrovers, Irfan Salihu. Aktakuza e ngarkon imamin në fjalë me dyshimin se ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mos-durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik të dënueshëm me Kodin Penal të Kosovës. Imami, Irfan Salihu në mars të vitit 2013 kishte mbajtur një ligjëratë plot urrejtje e me frymë intolerante, duke u shërbyer madje me hipotezat serbe për praninë shqiptare në Kosovë. Duke cituar pikë për pikë pretendimet serbe, imami Salihu kishte shkuar aq larg sa kishte thënë se “në periudha të ndryshme gjatë pushtimit të Perandorisë Osmane në trojet tona kanë qenë 1 % shqiptarë”. Publikimi i kësaj video kishte nxitur një varg kritikash në opinion, ndërkohë që fjalët e imamit, Irfan Salihu shumë shpejt do të nxisnin kureshtjen e medieve serbe. Në shumicën e medieve elektronike e të shkruara në Serbi, fjalët e imamit Salihu ishin cituar gjerësisht, duke e paraqitur këtë si fitore të versionit serb për Kosovën. Me një vonesë të konsiderueshme, në prill të vitit të kaluar, Bashkësia Islame e Kosovës kishte suspenduar Irfan Salihun nga detyra e imamit në xhaminë ‘Suzi Qelebiu’ në Prizren.

Kontrolloni gjithashtu

Adrian Gjini: Kryeministri Kurti, Ideologjikisht është tipik anti-amerikan

Nënkryetari i AAK-së, z. Adrian Gjini, ka kritikuar kryetarin  e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për …