Nuhi Haxhi Elezaj (27.4.1981 – 29.3.1999)

Nuhi Haxhi Elezaj (27.4.1981 – 29.3.1999)

Dëshmori i kombit Nuhi Elezaj, u lind më 27 prill 1981, në fshatin Lugishtë e Hasit, komuna e Prizrenit, në një familje të ndershme e punëtore. Vendlindja e Nuhiut, Lugishta e Hasit, gjatë periudhave të ndryshme historike, e veçmas gjatë periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), ka luajtur një rol të rëndësishëm. Këso kohe, biri i madh i Lugishtës, Dervish Salihu (Muçaj) ishte një ndër figurat më të rëndësishme të kësaj periudhe dhe të kësaj ngjarjeje me përmasa të mëdha kombëtare.

Lugishta e Hasit dhe njerëzit e saj pa dyshim luajtën rol të rëndësishëm edhe gjatë luftës së UÇK-së (1998-1999), ku djemtë më të mirë të këtij fshati që në ditët e para të kushtrimit të lirisë iu bashkuan radhëve të UÇK-së, tetë prej tyre patën fatin e shenjtë të bien dëshmorë. Janë edhe dyzet e tetë martirë të këtij fshati, të vrarë e të masakruar gjatë luftës nga forcat pushtuese serbe.

Prindërit e dëshmorit, Haxhi e Zarife Elezaj i lindën e i rritën dymbëdhjetë fëmijë (gjashtë djem e gjashtë vajza). Nuhiu ishte fëmija i dhjetë me radhë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, por nuk e vazhdoi më tutje, por vendosi ta vazhdojë traditën e familjes, të punojë në zejen e bukëpjekësit. Që nga viti 1996, punoi në Tetovë, ku edhe familja e tij e kishte furrën e vet.

Me t’u dhënë kushtrimi i luftës në Kosovë, Nuhiu, ndonëse i ri në moshë, kishte vendosur t’u bashkohej radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë qëllim udhëtoi nga Tetova në Dibër, ku kishte vendosur që ta kalonte ilegalisht kufirin dhe të shkonte në Shqipëri, ku do t’u bashkohej radhëve të UÇK-së e prej andej të hynte në Kosovë.

Gjatë këtij tentimi për kalimin e kufirit, Nuhiu kapet dhe burgoset nga ushtria maqedonase, e cila e dërgoi në burgun e Dibrës, ku për një javë radhazi e morën në pyetje. Falë angazhimit dhe ndërmjetësimit të një kushëriri të tij, bukëpjekës nga fshati Planejë i Prizrenit, që punonte në Maqedoni, Nuhiu arrin të lirohet nga burgu dhe të kthehet sërish në Tetovë. Por, as kjo përvojë e keqe, dhe vështirësitë në kalimin e kufirit, Nuhiun nuk e penguan dot t’u bashkohet radhëve të luftëtarëve të lirisë. Nuhiu ishte këmbëngulës që me çdo kusht të bëhej krushk i lirisë.

Më 7 mars 1999, i vetëm arriti ta kalojë kufirin Maqedoni-Shqipëri dhe arriti në Tiranë, e prej andej kaloi në Vlahnë të Krumës, ku takoi shumë vullnetarë që po përgatiteshin të hynin në Kosovë. Pasi i kreu stërvitjet ushtarake, Nuhiu iu bashkua grupit prej 44 luftëtarëve që do të hynin në Kosovë. Pas një përpjekjeje të pasuksesshme për të hyrë në Kosovë, më 22 mars, në një periudhë tepër të vështirë të luftës, ky grup u nis sërish për të hyrë në Kosovë, në natën e 28 marsit 1999, mirëpo në orët e hershme të 29 marsit, në vendin e quajtur Qerret, sipër fshatit Shishman i Bokës, ndeshen në pritën e forcave serbe. Në këtë përleshje tepër të rreptë e të pabarabartë, në luftë për jetë a vdekje, bien për të mos vdekur kurrë 14 luftëtarë lirie. Në mesin e tyre ishte edhe Nuhi Elezaj, më i riu për nga mosha, ende pa i mbushur 18 vjet.

Dëshmori Nuhi Elezaj është varrosur në varrin e përbashkët së bashku me trembëdhjetë bashkëluftëtarët e tij, në varrezat e Gjakovës.

Familja Elezaj është nderuar me mirënjohje të shumta për të birin dëshmor, si nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …