Brickos

Daut Zenun Halilaj (16.10.1933-29.3.1999)

Daut Zenun Halilaj (16.10.1933 – 29.3.1999)

Familja e Zenun Halilajt nga fshati Grykas (ish-Tërdec) i Drenicës, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë tre dëshmorë: Daut Halilaj dhe dy bijtë e tij: Alban Halilaj dhe Besim Halilaj, të cilët ranë trimërisht në luftë kundër forcave policore e ushtarake serbe. Nga arma serbe janë martirizuar edhe dy vëllezër të Daut Halilajt, Ajet Zenun Halilaj dhe Sefedin Zenun Halilaj. Kjo familje patriotike është shquar për rezistencë qysh prej kohës së depërtimit të hordhive okupatore serbe në vendin tonë. Gjyshi i Dautit, Xhemajl Halilaj, ka qenë bashkëluftëtar i kryetrimit të çetave çlirimtare të Kosovës, Azem Galica. Në Luftën e Dytë Botërore, babai i Dautit, Zenun Halilaj me vëllezërit kishte luftuar në radhët e formacioneve luftarake të Shaban Polluzhës.
Dauti lindi më 16 tetor të vitit 1933 në fshatin Grykas (ish-Tërdec) të komunës së Drenasit. Shkollën fillore e kreu në Likoc me sukses të shkëlqyeshëm.
Në shtator të vitit 1950, regjistrohet në Shkollën e Ulët dyvjeçare të Bujqësisë në Gjakovë, të cilën e kryen po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. I etur për dije dhe arsim, më 1 shtator të vitit 1952 regjistrohet në Normalen e Prishtinës. Gjatë kohës sa ishte normalist, Dauti shquhet për angazhim serioz në mësime. Lexon vepra të ndryshme me përmbajtje kombëtare dhe i përkushtohet idesë së arsimimit dhe përparimit të popullit shqiptar. Në vitin 1957, ka kryer me sukses shkollën normale dhe po atë vit fillon punën në arsimimin e nxënësve në shkollën fillore të fshatit Prilluzhë. Aty punoi deri më 31 gusht të vitit 1958. Në vitin vijues shkollor 1958 e deri më 31 gusht të vitit 1963 ka punuar në shkollën e fshatit Tërstenik. Prej vitit 1963 e deri në verë të vitit 1981, ka qenë mësues në shkollën fillore “Shote Galica”, në fshatin Abri e Epërme të Drenicës.
Për shkak të përkrahjes që iu kishte bërë kërkesave të rinisë studentore për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, gjatë demonstratave që u zhvilluan në mars dhe prill të atij viti, në Prishtinë dhe në shumë qytete të Kosovës, strukturat politike titiste Daut Halilajn së bashku me pesë kolegë të tij i pezullojnë nga puna.
Për 24 vjet rresht kishte kryer me nder dhe dashuri detyrën e mësuesit të popullit nëpër fshatrat e Drenicës. Ngjarjet revolucionare të marsit dhe të prillit të vitit 1981, nuk mund të mos e preknin sedrën kombëtare të mësuesit të popullit, i cili jo vetëm që nuk pranoi të dënoheshin demonstruesit, por u vu në mbrojtje të kërkesave të tyre të drejta për liri dhe barazi.
Vendimi për pezullim nga vendi i punës shfuqizohet në saje të ankesës që ai kishte ushtruar dhe në vitin shkollor 1982/1983, mësuesi i popullit, Daut Halilaj, sërish merr ditarin në dorë dhe fillon punën e tij edukative arsimore në shkollën e fshatit Tërstenik, ndërsa në vitin 1984 kthehet në vendin e mëparshëm të punës, në shkollën “Shote Galica” të Abrisë së Epërme.
Përveç angazhimeve në arsimimin e brezave, Daut Halilaj rëndësi të veçantë i kishte dhënë edukimit patriotik të nxënësve, por edhe bijve, bijave dhe të tjerëve. Aktiviteti i tij edukativ, arsimor dhe atdhetar ka lënë gjurmë të thellë në kujtesën e të gjithë nxënësve, të cilëve iu kishte dhënë mësim.
Edhe në vitet ’90, Dauti merr pjesë në shprehjen e rezistencës popullore aktive kundër pushtuesit serb. Në jetën e tij bashkëshortore me Elfijen pati dhjetë fëmijë, të cilët i edukoi dhe i frymëzoi me atdhetarizëm të përkushtuar në idenë çlirimtare.
Në nëntor të vitit 1997, Daut Halilaj kontakton luftëtarët e lirisë, të cilët po bënin përgatitje intensive për krijimin e formacioneve të para të luftës çlirimtare. Ishte në dijeni të këtij aktiviteti përmes luftëtarit të përkushtuar Rasim Kiçina (dëshmor i kombit), Ragip Halilajt e shumë të tjerëve.
Në radhët e ushtrisë çlirimtare, së bashku me bijtë Besimin, Albanin dhe me disa kushërinj, inkuadrohet në pranverë të vitit 1998. Shtëpia e tij në Grykas u bë bazë e sigurt strehimi dhe furnizimi për luftëtarët e Drenicës. Dauti asokohe me autoritetin e tij dhe shembullin e tij ushtronte ndikim vendimtar për forcimin dhe konsolidimin e radhëve çlirimtare. Ishin qindra nxënës që i kishte mësuar, edukuar dhe frymëzuar me idealin e lirisë, të cilët i rrëmbyen armët dhe iu dolën ballë për ballë forcave okupatore serbe.
Më 9 maj 1998, djali i tij Besimi, së bashku me bashkëluftëtarë të tjerë merr pjesë në zënien e Grykës së Llapushnikut, me ç’rast edhe bie dëshmor. Rënia e të birit nuk e ligështon. Me qëndresën e tij burrërore kaliti edhe më shumë idealin e lirisë në radhët e popullatës. Ai, jo vetëm që nuk u zmbraps nga lufta, por u sul me të gjitha forcat duke e vënë krejt familjen në shërbim të luftës çlirimtare, si dhe tërë pasurinë e grumbulluar me mund dhe djersë gjatë tërë jetës së tij.
Në fillim të aktivitetit të tij luftarak në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sistemohet në kuadër të njësitit GURI 2, që operonte në malet e Kozmaçit. Ka bashkëvepruar në mesin e luftëtarëve: Vesel Demaku, Ilaz Selimi, Ramadan Krasniqi, Isë Xhemajli dhe shumë të tjerë.
Edhe pse në moshën e tij 66-vjeçare, ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në Baicë, në Abri dhe Likoc, pastaj në Tërstenik e Açarevë. Vendluftimi i tij i përhershëm ishte vendlindja e tij e dashur, Grykasi heroik, ku kishin thyer kokat të gjithë armiqtë e popullit shqiptar. Grykat dhe malet e Kozmaçit, në kohën e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë qenë bërë bedene të pakalueshme për ushtrinë dhe policinë okupatore. Gjithnjë i gatshëm për t`i mbrojtur ato bedene, mësuesi dhe luftëtari çlirimtar, Daut Halilaj, qe bërë emër i njohur i rezistencës në tërë Drenicën.
Në gjysmën e dytë të janarit të vitit 1999, reporteri i luftës i Radios Kosova e Lirë, Martin Çuni, kishte zhvilluar një bisedë me luftëtarin Daut Halilaj. Në intervistën e tij, ndër të tjera, ai ka theksuar: Unë e njoh pak historinë, sepse kam qenë arsimtar i historisë, por as në kohët e vjetra për kësi njerëz të egër, pa kurrfarë ndjenjash njerëzore, sikur këta, unë nuk kam lexuar në histori, e lëre më t’i shoh me sy të mi. Vetë kam dëgjuar kur polici serb i ka thënë nënës së fëmijës: M’i jep 50 marka në dash me ta falë djalin. Nuk ka pasur e ngrata, ka lypur diku mbase edhe i ka gjetur ndër shoqet e veta. Këso rastesh historia nuk ka shënuar.
Më 26 janar të vitit 1999, djali i Dautit, luftëtari Alban Halilaj bie heroikisht duke luftuar kundër forcave serbe afër magjistralit Prishtinë-Pejë, në fshatin Vukoc. As kësaj radhe Daut Halilaj nuk jepet. Për 25 vjet rresht i kishte mësuar dhe edukuar brezat çlirimtarë se Kosova don liri, por për ta fituar lirinë duheshin edhe dëshmorë. Edhe kësaj radhe qëndron burrërisht. Nuk ka kthim prapa nga rruga e lirisë,-iu thoshte bashkëluftëtarëve dhe atyre që e rrethonin.
Me rastin e intervenimit të forcave të NATO-s kundër makinerisë serbe më 24 mars të vitit 1999, Daut Halilaj ndodhet në Bjeshkët e Kozmaçit në mbrojtje të istikameve dhe të popullatës civile, e cila ishte kërcënuar fatalisht nga masakruesit serbë. Asokohe ka qenë i sistemuar në radhët e brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Kriminelët, mllefin e tyre kundër bombardimeve të NATO-s e derdhnin mbi popullatën civile shqiptare. Në ditën e fundit të marsit të atij viti, forcat e motorizuara serbe kishin marrë ofensivë të ashpër, sidomos lundër istikameve të pozicionuara në Bjeshkët e Kosmaçit, në fshatrat Abri, Baicë, Domanek, Krajkovë, Tërdec e fshtra të tjera. Daut Halilaj ishte vënë në mbrojtje të popullatës civile, e cila qe rrethuar nga të gjitha anët. Luftëtarët bënin përpjekje për të krijuar korridore të kalimit për popullatën civile nga Bjeshkët e Kozmaçit në Malet e Berishës.
Më 29 mars të vitit 1999, Daut Halilaj, pasatj Asllan Halilaj e të tjerë po bënin përpjekje për të nxjerrë nga rrethimi 16 civilë, të cilët kërcënoheshin të masakroheshin nga bandat serbe. Në vendin e quajtur Bregu i Rasujës kishte rënë dëshmor duke luftuar trimërisht, Daut Zenun Halilaj, mësuesi i popullit, luftëtari sypatrembur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, babai i dy dëshmorëve të kombit (Besimit dhe Albanit), vëllai i dy martirëve të lirisë (Ajetit dhe Sefedinit).
Luftëtarët e brigadës 111 “Adem Jashari” trupin e dëshmorit e varrosin më 30 mars në varrezat e fshatit Grykas.
Dauti ka lënë bijtë: Destanin, Skënderin, Dardanin, Ardianin dhe Dalmatin, si dhe bijat: Bukurien, Violetën e Samiren.
Për jetën dhe veprën e tij heroike ka marrë “Mirënjohje” nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Kuvendi Komunal i Drenasit, si dhe nga shkolla fillore “Shote Galica” e fshatit Abri, ku ai me vite të tëra i edukoi dhe i kaliti moralisht luftëtarët e ardhshëm të lirisë. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …