Brickos

Nuk dola n’ mal për të mirën time, po për të mirën e Atdheut tim

( Frank Shkreli: Në 99-vjetorin e vrasjes në pabesi të Isa Boletinit dhe  familjarëve e bashkëluftëtarëve të tij)

99 vjet më parë u vra nga xhandarët serbo-malazezë, Isa Boletini, njëri prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar, dorë e djathtë e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, i cili gjithmonë kishte pushkën në dorë dhe dorën në pushkë, në mbrojtje të Atdheut.  Isai posedonte vlerat më të mira të kombit shqiptar, vlerat fisnore të tij, nderin dhe burrërinë — por mbi të gjitha atdhedashurinë — të jetuara, të zbatuara dhe të mishëruara në qenien e shqiptarit me shekuj, e të cilat janë trashëgimi e shenjt[ e patriotëve dhe herojve të kombit shqiptar si Isa Boletini.

Isa Boletini ishte në krye të përpjekjeve luftarake dhe diplomatike të shqiptarëve për sigurimin e lirisë dhe të pavarësisë së Atdheut të tyre.  Kur ai nuk ishte duke lobuar në zyrat kryesore të diplomacisë evropiane — ku përpiqej të bindte të bindte fuqitë europiane të kohës që të heqnin dorë nga ndarja e tokave autoktone shqiptare, ai gjëndej në mal, në front të luftës për çlirimin, për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut kundër forcave turke dhe serbo-malazeze.  Mesazhi i Isa Boletinit, në zyrat e diplomacisë europiane të kohës, por edhe në fushën e betejës, ishte se  “Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e Atdheut tim, për lirinë e popullit tim.   Në qoftse Europa nuk do të zgjidhë drejtë çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë qetësi kurr, dhe për këtë, faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë, derisa të çlirohemi.’’  Isa Boletini nuk i ishte futur kësaj pune për interesa personale, për ndonjë karrigë,  për ndonjë  interes që sot mund të konsiderohej si interes partiak ose ekonomiko-financiar, por ai ka thënë se ishte në krye të këtyre përpjekjeve duke pohuar se, “Unë kam ngrit krye për hakin e Shqipnisë.  Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqypnia!”

Kur njeriu lexon sot lajmet e prëditëshme në mediat dhe portalet e internetit anë e mbanë trojeve autoktone shqiptare, besoj se Isa Boletini, në këtë përvjetor të  vrasjes së tij, kam drojën se sot do të thonte se Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë mirë, ose të pakën nuk janë ashtu siç do t’i dëshironte ai dhe bashkohasit e tij rilindas.  Nuk besoj se ai do konsideronte se shqiptarët sot, “lënë një përshtypje të shkëlqyer” në botë, siç kishte lënë ai me shokët e tij në Angli, fillim shekullin e kaluar.  Fatkeqsisht, po t’i hidhte një sy botës shqiptare, Isa Boletini do të lexonte sot mbi protestat anë e mbanë trojeve shqiptare, kryesisht kundër vetvetes; do të lexonte për bojkote dhe përçarje midis partive dhe në radhët e klasës politike në mbarë autoktoninë shqiptare, pa dallim. Do të lexonte për mosmarrveshje politike dhe për sharje midis përfaqsuesve politikë të shqiptarëve dhe jo vetëm midis tyre — një diskurs politik që do të turpëronte atë dhe të gjithë rilindasit dhe bashkohasit e Isa Boletinit.

Ndonëse me dy shtete shqiptare të pavarura, do të lexonte për atë që disa media shqiptare e cilësojnë si falimentim shteti, kryesisht falë klasës politike dhe jo aq shumë për arsye të ndërhyrjes së Europës ose fqinjve që historikisht nuk ia kanë dashur të mirën kombit shqiptar, e të cilët i luftonte dikurë Isa Boletini.  Isa Boletini do lexonte mbi akuzat dhe kundër akuzat e ndërsjellta për korrupsion dhe për tregti me droga, si dhe mbi  lidhjet e përfaqsuesve të popullit me botën e krimit.  Do të lexonte fatkeqsisht, se ndonëse në liri e demokraci, pas shumë vuajtjesh e sakrificash në një diktaturë të egër, shumica e shqiptarëve kudo në trojet autoktone, se po të kishin mundësinë do të largoheshin nga trojet e veta — dhe ata që e gjejnë mundësinë largohen çdo ditë me autobusa drejtë Europës.

Isa Boletini, në këtë përvjetor të vrasjes së tij do të thoshte se megjithë përparimet e bëra, Shqipënia, Kosova  dhe shqiptarët nuk janë mirë, ose të pakën nuk janë  ashtu si do t’i dëshironte ai. Dhe si rrjedhim ai do të thoshte se as ai vet nuk është mirë dhe nuk besoj se do mburrej me gjëndjen e krijuar sot në tokat autoktone shqiptare.

Përball kësaj situate,  besoj se Isa Boletini do të ishte në krye të përpjekjeve për të ndryshuar për më miër gjëndjen në trojet shqiptare duke bërë thirrje me Gjon Kamsin (Scodrensis), “Zgjonju Shqiptarë”, do të bënte thirrje — sipas një artikulli të tij të shkruar  gjatë viteve 1930, për krijimin e një organizate të madhe “Bijtë e Shqipnisë”, do të thoshte se “Jam për nji bashkim me nji mendje e me nji zemër, nën nji flàmur të vetëm, ai i kombit, që bashkon dhe vëllaznon popuj të nji gjaku e të njij fisi.”  Isa Boletini do të këshillonte se, “Shqiptari, thotë historia, kje i fortë gjithë sa herë kje i bashkuem”,  dhe se “Flàmuri i ynë, i kuq, âsht shêjë dashnije dhe jo ndasije…..Shqipja dykrenëshe e flàmurit tonë, mban në kthetra fjalën e të parëve tonë: Besa-Besën….Të lidhun me besa-besë, “Bijt e Shqipnisë”, duhet t’ecin me flàmurin e kuq me shqipe para, shêj i kombit dhe i nderit tonë.”

Isa Boletini do të pajtohej me  Gjon Kamsin i cili shkruante në fillim të shekullit të kaluar se  “Kështu na pat folë Apostulli i jonë, deshmori kombtar: Luigj Gurakuqi; kështu na flasin shokët e tij lufte e lirije….Duhet të gjemë vetvehten, por si Nietzsche, kur gjet ligjen e evolucjonit të vet, là të shkruem: “banu ai që ti jé”, që për né do me thanë, të bahemi shqiptarë me at kuptim që kjo fjalë pat për të parët tonë e që e kemi trashigue për me ia kalue pa njollë pasardhësve tonë.  E për me u bâ ata qi jemi, duhet t’i hapim luftë të gjithë atyne qi po mbyllin me rrasen e mohimit dhe të zhvleftsimit, vepren e deshmorëvet tonë, të luftarëve të lirís sonë.”

Për të përmirësuar gjëndjen e sotme të shqiptarëve në torjte autoktone, Isa Boletini do të shpallte, “Luftë, pra, kundra anmiqëve të kombit, luftë kundra shkatrrimit, luftë kundra zíshartuesve, luftë rreziqeve qi po i kërcnohen kombit dhe fisit, luftë kusarëve të pasunísë kombëtare, të pares së popullit, luftë të gjithë atyne që, edhè pse të huej i nderuem me êmnin shqiptar e na trathtuen në bukë e kripë:muhaxhirët.

Luftë dokeve të mbrapshta, njerzëve të natës e të turpit, klikave dhe shoqënive të mshehta.  Luftë fjalëve të mëdhaja dhe rrence, diletantizmit dhe reklamit.  Ketë misjon duhet ta kryejnë sot të mbledhun me besa-besë, “Bijt e Shqipnise”, sidomos bijt e atyne që punuen, luftuen dhe vdiqen për Atme e lirí.” (Marrë nga artikulli i Gjon Kamsit (Scodrensis) botuar në vitet 1930 e ribotuar në revistën Phoenix, ne. 1-2, 2000)

Besoj se Isa Boletini do të pajtohej me përmbajtjen e shkrimit të Gjon Kamsit, ndonëse i shkruar pothuaj një shekull më parë, nuk është shumë larg realitetit të sotëm.  Kështuqë, ndërsa kombi shqiptar ende përpiqet të shkundë nga kujtimi këtë periudhë të errët të historisë së tij, është shembulli i jetës dhe i veprimtarisë së patriotëve si Isa Boletini, ai i cili duhet të frymëzojë brezin e sotëm dhe brezat e ardhëshëm të shqiptarëve për të arritur objekivat e larta të vëllazërimit shqiptar, për të cilat Isa Boletini luftoi dhe sakrifikoi veten dhe familjen e tij — dhe që në këtë 99-vjetor të vrasjes së si — me plot bindje të ketë mundësi të pohojë nga ajo jetë se më në fund, ai është mirë sepse është mirë Shqipëria dhe shqiptarët!

Frank Shkreli

23. 1. 2014

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …