Brickos

OAK: Bizneset kërkojnë anulimin e menjëhershëm të vendimit për taksat nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti

OAK: Bizneset kërkojnë anulimin e menjëhershëm të vendimit për taksat nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Diskutimi lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës, me ç’rast televizionet dhe radiot detyrohen nga ky vit pandemik të paguajnë shtesë taksën komunale prej 1000€ në vit, taksë kjo e cila u cilësua shumë e lartë për këto biznese, ishte qëllimi kryesor i takimit të zhvilluar në mes të përfaqësuesve të OAK-së me sektorin medial.

Përgjatë këtij takimi u bashkëbisedua lidhur me sfidat me të cilat sektori medial po përballet aktualisht, me ç’ rast u theksua që ngarkesa me një taksë të tillë të re është e papranueshme, sidomos kur industria mediale paguajnë disa lloje të taksave. Kjo ngarkesë u cilësua si një barrë shumë e madhe, sidomos krahas vështirësive të krijuara si pasojë e pandemisë, ku ky sektor si i tillë është në gjendje shumë të rëndë.

Fazli Veliu, kryetar i Institutit të Medias së Kosovës, theksoi që si institut kanë kërkuar që ky vendim të anulohet meqenëse taksa që parashihet të paguhet është shumë e lartë dhe e papërballueshme për shumë media lokale dhe nacionale. Fazliu tha që industria mediale aktualisht është në gjendje të rëndë, e si të tilla nuk gëzojnë përkrahje, andaj duhet të punojmë së bashku në kundërshtimin e kësaj takse dhe të lobohet që e njejta të suspendohet.

Zamir Qeriqi nga TV Dielli theksoi që tashmë kanë pranuar faturën pa asnjë arsyetim se pse është marrë ky vendim. Qeriqi potencoi gjithashtu rëndësinë që nëse vendoset një taksë duhet të bëhet kategorizimi, e jo e njejta të vlejë si për mediat e vogla si për ato më të mëdha. Andaj, rivlerësimi i këtij vendimi është i domosdoshëm.

Ndërsa, Ekrem Citaku nga Radio Vala Rinore kërkoi që kjo taksë të largohet e të mos ngarkohen mediumet në periudhë pandemie edhe më tepër.

Arbana Gashi nga Radio Kosova e Lirë theksoi që ky vendim është marrë pa asnjë paralajmërim paraprak. Andaj,  kërkoi që të suspendohet për periudhën 3-5 vjet, me qëllim të diskutimit paraprak, kategorizimit dhe zvogëlimit të tarifës aktuale të vendosur.

Përparim Namani përfaqësues nga Radio Plus tha që krahasuar me taksat e tjera që sektori medial paguajnë, kjo i bie të jetë më e larta, duke tejkaluar kështu edhe atë të licencës që paguajnë në KPM.

Kurse, Leart Hoxha nga ATV potencoi që vendimi në një shabllon si i tillë është i gabueshëm, andaj duhet të jepen sqarime për mënyrën se si kanë arritur deri tek kjo shifër. Hoxha e cilësoi të domosdoshme që Komuna të nis një round të ri të negociatave, në mënyrë që të merren disa parametra tjerë më normal qoftë sipas qarkullimit apo numrit të të punësuarve. Meqenëse Komuna e Prishtinës nuk ofron asgjë për mdiat, as prona, as parking e as hapësira për pajisje, andaj për cfarë arsye po taksohen bizneset në këtë rast dhe të jepen sqarime se ku do të destinohen këto para.

Në fund të këtij takimi palët u dakorduan që të kërkohet suspendimi i këtij vendimi, pastaj të krijohet një grup punues që do të analizojë këto tarifa dhe të bëhet kategorizimi i tyre në bazë të fitimit të deklaruar, të ndalohet dërgimi i faturave tek mediat si dhe të ofrohet shërbim për bizneset që detyrohen të paguajnë këtë taksë në të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …