Organizohet punëtoria me temën “Të drejtat e grave në pronë dhe trashëgimi”

Zyra për Barazi Gjinore e komunës së Deçanit organizoi punëtorinë me temën “Të drejtat e grave në pronë dhe trashëgimi”, ku u diskutua për rëndësinë e informimit juridik dhe fuqizimit të grave në realizimin e të drejtave të tyre pronësore dhe trashëgimore.

Të pranishmet i njoftuan noterja znj. Shemsije Lladrovci dhe drejtoresha për Gjeodezi dhe Kadastër znj. Laureta Zejnaj, të cilat ndanë përvoja profesionale dhe sqarime lidhur me të drejtat ligjore të grave në pronë dhe trashëgimi.

Në këtë punëtori morën pjesë përfaqësuese nga Stacioni Policor në Deçan, drejtuese institucionale, avokate, si dhe gra të interesuara për të drejtat e tyre pronësore dhe trashëgimore.

Në fjalën e saj, noterja znj. Shemsije Lladrovci theksoi se e drejta e gruas për të trashëguar dhe për të zotëruar pronë është e drejtë themelore njerëzore, e garantuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi. Ajo potencoi se shpesh gratë heqin dorë nga trashëgimia për shkak të presionit familjar apo shoqëror, duke nënvizuar se heshtja nuk duhet të jetë zgjidhje, por se gratë duhet të jenë të informuara dhe të mbrojtura në ushtrimin e të drejtave të tyre.

Tutje, ajo theksoi se fuqizimi i grave në pronë dhe trashëgimi ndikon drejtpërdrejt në pavarësinë ekonomike të tyre dhe në zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi, duke shtuar se një grua ekonomikisht e pavarur është më e sigurt dhe një mbështetje më e madhe për familjen dhe komunitetin.

Duke pasur parasysh se Komuna e Deçanit është kryesisht zonë rurale, ku bujqësia zë vend të rëndësishëm, u diskutua edhe për mundësitë që gratë kanë për përfitim nga grantet, subvencionet dhe investimet në bujqësi, të cilat ndikojnë në fuqizimin ekonomik të tyre.

Në përfundim të punëtorisë, pjesëmarrëset kërkuan organizimin e takimeve të tjera informuese me qëllim të avancimit të njohurive juridike dhe garantimit të qasjes së barabartë të grave në trashëgimi dhe pronë.

Kontrolloni gjithashtu

Shërbime më të lehta dhe më efikase për qytetarët ​

Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi priti në takim përfaqësuesit e OJQ-së “EC …