OVL e UÇK-së në Deçan reagon lidhur me vrasjen e veteranit të luftës, Ilmi Lufaj

OVL e UÇK-së në Deçan reagon lidhur me vrasjen e veteranit të luftës, Ilmi Lufaj

Në natën ndërmjet 17 e 18 prillit 2016, rreth orës 2 pas mesnate, afërsisht 30 metra në largësi prej stacionit të policisë në Deçan, është ekzekutuar me armë zjarri veterani i luftës Ilmi Lufaj. Ekzekutimi është bërë nga rreshteri i Policisë së Kosovës, zëvendësshefi i Njësisë së Hetimeve në këtë stacion, Shefqet Kameraj, ish-milic i Jugosllavisë, i njohur si person i alkoolizuar, bastexhi, fajdexhi, frekuentues i lokaleve të natës. Për këtë vrasje që i ka tronditur rëndë jo vetëm bashkëluftëtarët por edhe të gjithë banorët e komunës së Deçanit, kuk kemi reaguar dhe nuk jemi prononcuar publikisht për një javë, për disa arsye:

Së pari, kemi pritur një sjellje profesionale nga ana e Policisë së Kosovës, edhe pse vrasja kriminale është kryer nga një pjesëtar i kësaj policie;

Së dyti, nuk kemi dashur që me asnjë veprim të ndikojmë në procesin e hetimeve;

Së treti, kemi dashur që t’i kryejmë ceremonitë mortore të bashkëluftëtarit tonë, Ilmi Lufaj, me nderimet më të larta të mundshme, për çka ka qenë meritor në luftë dhe në paqe.

Së katërti, nuk kemi dashur që me asnjë veprim të nxisim masën kundër policisë së shtetit tonë, për formimin e të cilës dhamë mund e gjak të gjithë, po ashtu edhe Ilmiu i cili çdo rast i ka respektuar institucionet e shtetit të vet.

Mirëpo, përkundër kësaj, deklarimet zyrtare të Policisë së Kosovës lidhur me vrasjen janë të pasakta, inkriminuese, tendencioze dhe të pavërteta. Edhe më tencencioz dhe më i rëndë është deklarimi para gjykatësit të procedurës paraprake, i policit vrasës kur deklaron se “nuk kam pas të bëj me një qytetar të thjeshtë dhe të ndershëm por me një të dyshuar i cili ka qenë 10 vjet i dënuar dhe ka shumë raste në policinë e Deçanit për vepra të ndryshme penale”.

Ky deklarim, ndonëse i pa vërtetë dhe tendencioz, është tregues i qartë se vrasja-ekzekutimi i veteranit Ilmi Lufaj është kryer me paramendim, shtytësit dhe arsyet e të cilit duhet t’i tregojë polici vrasës, i cili e ka kryer ekzekutimin duke e keqpërdorur detyrën zyrtare, armën zyrtare dhe funksionin.

Ua bëjmë me dije se me aktvendim të plotfuqishëm të gjyqit, Ilmiu është shpallur i pafajshëm dhe është liruar nga të gjitha akuzat, por ka marrë edhe dëmshpërblimin për qëndrimin në burg padrejtësisht. Pra, ka qenë qytetar i lirë. Aq më tepër, nuk ka pasë asnjë rast që akuzohet për vepra penale në stacionin policor të Deçanit apo diku tjetër. Por edhe sikur të kishte vepra penale, në një shtet ku funksionon rendi dhe ligji, policia duhet të ndjekë procedurat ligjore dhe jo t’i ekzekutojë qytetarët, siç ka ndodhur në këtë rast në Deçan.

Sipas dëshmitarëve dhe dëshmive që i kemi, natën kritike Ilmiu nuk ka paraqitur rrezik për jetën e askujt, as për stacionin policor as për policët. Sikur që ka mundur të veprojë secili qytetar i Deçanit, kur dikush nga ndonjë komunë tjetër kërkon ndihmë për një ndalesë, edhe Ilmiu në mirëbesim ka shkuar të interesohet për arsyen e ndalimit nga policia të një shoku të tij, nga komuna e Pejës pasi ai i kishte kërkuar ndihmë. Pasi që ka biseduar me policët dhe të njëjtit i kanë thënë se pas kontrollit do ta lirojnë Ilmiu është larguar nga stacioni i policisë dhe i ulur në shkallë larg stacionit të policisë po priste lirimin e shokut të tij.

Kur është ekzekutuar nuk ka qenë i armatosur, ka qenë larg stacionit policor, ka qenë i ulur në shkallët e njërit prej dyqaneve, kur polici vrasës ka dalë nga stacioni policor dhe ka shkuar në drejtim të Ilmiut. Ashtu ulur, me plumbin e parë e godet në kokë, me ç’rast Ilmiu rrëzohet. Pas kësaj polici, të shtrirë e godet edhe me një plumb në kokë dhe kur e kryen ekzekutimin, në mënyrë të qetë kthehet brenda në stacionin policor, duke e lënë të shtrirë për rreth 20 minuta pa i ofruar ndihmë asnjëri nga policët. Aq më keq, familja Lufaj nuk është njoftuar fare zyrtarisht nga ana e policisë për vrasjen e djalit të tyre.

Ish luftëtari i UÇK-së Ilmi Lufaj nuk e ka merituar një vrasje të tillë, nga policë që e mbajnë të veshur uniformën e policisë së shtetit të vet dhe që janë të thirrur të mbrojnë jetën e qytetarëve. Veterani i luftës Ilmi Zenel Lufaj (1980), nga Strellci i Poshtëm, komuna e Deçanit, në moshën 17-vjeçare u është bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit, ku deri në përfundim të luftës ka luftuar e vepruar me devotshmëri, si njëri ndër luftëtarët më të dalluar të UÇK-së. Ka qenë komandant togu i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, ku ka marrë pjesë në betejat më të rrepta që janë zhvilluar në Rrafshin e Dukagjinit. Ka marrë pjesë edhe në luftën për liri në Kosovën Lindore në kuadër të UÇPMB-së dhe në Maqedoni në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Pas transformimit të UÇK-së në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK), disa vite ka qenë epror në sektorin e personelit në Komandën e Zonës së Tretë të Mbrojtjes në Pejë. Ka marrë pjesë në të gjitha protestat dhe demonstratat që janë organizuar në mbrojtje të vlerave të luftës. Pas gjithë kontributit shumëvjeçar, Ilmiu regjistroi Fakultetin Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Përmes këtij reagimi, në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, dega në Deçan, kërkojmë që kryesi i vrasjes-ekzekutimit të merr dënimin e merituar. Kërkojmë nga Inspektorati Policor marrjen e masave adekuate ndaj të gjithë policëve të implikuar në këtë krim për mosprofesionalizëm dhe mospërgjegjësi në punë. Për këtë arsye kërkojmë dorëheqjen e komandantit të stacionit policor në Deçan, Sejdë Dobraj dhe të gjithë policëve të tjerë të inkriminuar në këtë krim

Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, nëDeçan

Më 25 prill 2016

Kolonel Abdyl Mushkolaj

Kontrolloni gjithashtu

Adrian Gjini: Kryeministri Kurti, Ideologjikisht është tipik anti-amerikan

Nënkryetari i AAK-së, z. Adrian Gjini, ka kritikuar kryetarin  e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për …