Pakënaqësia shpërthen brenda LDK-së, degët në Pejë dhe Lipjan kërkojnë dorëheqjen e Lumir Abdixhikut

Pakënaqësitë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po dalin gjithnjë e më hapur në sipërfaqe pas rezultatit të zgjedhjeve të qershorit. Degët e LDK-së në Pejë dhe Lipjan kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar këtë si një akt të domosdoshëm të përgjegjësisë politike dhe morale. Kryesia e Degës së LDK-së në Pejë, pas analizës së rezultateve zgjedhore, ka vlerësuar se rezultati kërkon reflektim të thellë politik dhe marrje të përgjegjësisë nga lidershipi qendror. Sipas saj, dorëheqja e drejtuesve do të ishte një standard demokratik në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të demokracisë së brendshme në parti. Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe Dega e LDK-së në Lipjan, e udhëhequr nga Imri Ahmeti. Pas një analize të detajuar të rezultateve në të gjitha qendrat e votimit, kryesia e kësaj dege ka kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut, duke theksuar se rezultati zgjedhor duhet të shërbejë si moment reflektimi dhe përgjegjësie politike ndaj mesazhit të qytetarëve. Kërkesat e dy degëve përbëjnë kritikat më të drejtpërdrejta ndaj udhëheqjes së LDK-së që nga përfundimi i zgjedhjeve, duke sinjalizuar rritjen e pakënaqësive brenda partisë dhe hapjen e debatit për përgjegjësinë e lidershipit pas rezultatit zgjedhor.

Kontrolloni gjithashtu

Mazllum Baraliu: Zgjedhja e presidentit duhet të jetë prioritet, dështimi brenda 60 ditësh e çon vendin në zgjedhje të reja

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se pas konstituimit të Kuvendit, prioritet …