Abdixhiku shpërthen ndaj kritikëve në LDK: Sabotues të qëllimshëm, pres dorëheqjet e Muhaxherit dhe Ahmetit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër pasi degët e partisë në Pejë dhe Lipjan kërkuan dorëheqjen e tij, duke i cilësuar drejtuesit e tyre si “sabotues të qëllimshëm” dhe duke kërkuar dorëheqjet e Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti. Abdixhiku tha se do të kishte qenë më korrekte që kërkesa për dorëheqjen e tij t’i ishte bërë ballë për ballë, duke kujtuar bashkëpunimin e gjatë me dy kryetarët e degëve. Ai pranoi se rezultati zgjedhor në Pejë dhe Lipjan nuk ka qenë i kënaqshëm, por fajin e lidhi me atë që e quajti “sabotim të thellë” dhe një projekt që, sipas tij, nuk i shërben LDK-së. Abdixhiku ritheksoi se çështja e dorëheqjes së tij është mbyllur në Kuvendin e partisë më 31 janar dhe se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i LDK-së. Përkundrazi, ai kërkoi dorëheqjen morale të Muhaxherit dhe Ahmetit, duke thënë se do t’i pranonte menjëherë. “E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë. Ato dështuan më 31 janar, dështuan në zgjedhje dhe do të dështojnë edhe tash”, ka shkruar Abdixhiku. Ai theksoi se LDK-ja nuk është “konfederatë e interesave lokale” dhe as “platformë e karrierave individuale”, por një parti me karakter kombëtar, duke u bërë thirrje anëtarëve të ruajnë qetësinë dhe unitetin përballë zhvillimeve të fundit.

Kontrolloni gjithashtu

Xhafer Gashi ka bërë me dije se do të kandidojë edhe për nja mandat për kryetar të Komunës së Kastriotit

“Atdheu përpara vetes” – Xhafer Gashi jep dorëheqje nga të gjitha pozitat në LDK

Bashkëluftëtari i Heroit Agim Ramadani, ish-kryetari i Kastriotit dhe kryetari i Degës së LDK-së në …