Brickos

Pali Nito: Shqiptarët duan një president dinjitoz dhe jo një gërrmërraxhi të pandreqshëm si Ilir Meta

Pali Nito: Shqiptarët duan një president dinjitoz dhe jo një gërrmërraxhi të pandreqshëm si Ilir Meta

Është një rast unik dhe pothuajse i paprecedentë që në këta 30 vjet demokraci marrëdhëniet midis presidentëve, qeverive respektive dhe kryeministrave kanë qenë përherë konfliktuale, acaruese e madje tepër të nxehta e shqetësuese. Këtu bën përjashtim vetëm koha kur ishte president i republikës Alfred Moisiu.

Jo se nuk kishte kundërshti e mos dakordësi midis palëve, por presidenti Moisiu ishte një president dinjitoz, jo konfliktual, sherrxhi e gërrmërraxhi, por ishte parimor, i drejtë e që vepronte përherë sipas ligjit e Kushtetutës e me durim e gjakftohtësi që e kishte në natyrën dhe karakterin e tij si burrë shteti dinjitoz, korrekt e shembullor. Ndërsa presidenti aktual Ilir Meta është e kundërta e zotit Moisiu.

Karakteristikë dalluese e Ilir Metës është se ai merret shumë me gërrmërre, konflikte, sherrnaja, presione e shantazhe recidiviste e sidomos ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama. Madje edhe kur kryeministri Edi Rama ka bërë e po bën plot gjëra tëra të mira për të cilat është vlerësuar nga SHBA-ja presidenti Ilir Meta do gjejë ndonjë kleçkë, sebep apo minus për ta kontestuar, bërë vërejtje apo kritikuar duke bërë kritizerin e sëmurë dhe nihilistin shembullor e të pandreqshëm që nuk i shkon fare, po fare ama, një presidenti që duhet të ushtrojë detyrën jo me sherrnaje, por vetëm në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

Mendoj se nuk është aspak normale që presidenti ynë Ilir Meta ka braktisur mantelin e tij si President i Republikës parlamentare e që duhet të qëndrojë mbi palët ka marrë në revansh e yxhym të papërmbajtur rolin e opozitarit madje të kryeopozitarit e të përçarit madje arrin deri atje sa të bëjë thirrje për tension dhe destabilitet politik të situatës e që paralajmëron dhe u bën thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protesta për mosbindje civile. Pra gjithë këtë uragan sulmesh, shpifjesh akuzash dhe kërcënimesh permanente ai i bën veç të tjerave për të shpëtuar partinë e tij familjare, e cila rrëshqet nga dita në ditë drejt humanes së pashmangshme.

Në vargun e akuzave nga më të çuditshmet nga më të pabesueshmet ai e akuzon qeverinë e mazhorancës dhe kryeministrin Edi Rama se po qeveris dhe drejton me juntë ushtarake, me dorë të hekurt dhe jo me ligje e me Kushtetutë. Po kështu presidenti për vërejtjet, pakënaqësitë dhe kritikat që ka ndaj kryeministrit Edi Rama shpesh ankohet para ambasadorëve të akredituar në Tiranë dhe personaliteteve të rëndësishme europiane, sesa e dëgjojnë dhe besojnë këta është tjetër gjë dhe harron thënien e mençur të popullit tonë se “hallet dhe problematikat e shtëpisë nuk nxirren në breg të xhamisë” të bëhen objekt diskutimesh e zgjidhjesh me të huajt, përkundrazi ato mund e duhet të zgjidhen me aktorët dhe faktorët e brendshëm e në formë institucionale e sidomos me aktorët politikë. Mahatma Gandi ka thënë: “Lufta është art i zhdukjes së njerëzve ; politika është i mashtrimit të njerëzve për fat të keq presidenti ynë i diskredituar tashmë me sjelljet dhe veprimet e tij anormale e ka në metodologjinë dhe stilin e tij mashtrimin dhe mosarsyetimin e tij logjik çka e bën atë që shpesh e rëndom ta braktisë arsyeja dhe objektiviteti në shpjegimin dhe arsyetimin e problematikave e të fenomeneve me të cilat përballemi përherë e në vazhdimësi.

Në gjykimin tim dhe jo vetëm vërej dhe konstatoj me keqardhje se jo rrallë herë presidenti demonstron anormalitet mendor e nervozizëm të tejskajshëm e gati të pakontrolluar dhe dukshëm një gjendje depresive të çuditshme. Tashmë është e qartë dhe dihet nga të gjithë qytetarët se Ilir Meta erdhi në detyrën e presidentit me mbështetjen dhe përkrahjen e partisë socialiste, por çuditërisht ai nuk i është aspak mirënjohës kësaj force politike dhe vazhdon të na befasojë me sjellje dhe veprime alla elene e dredharake e tejet djallëzore. Koha e mandatit presidencial po shkon drejt përfundimit, pra për kohën që ka mbetur presidenti të përmirësojë ç’mund të përmirësojë dhe i sugjerohet ta shfrytëzojë këtë kohë që i ka mbetur për të përmirësuar imazhin e tij si politikan larg gërrmëreve, kritizërllëkut të sëmurë, konfliktualitetit dhe nihilizmit të pafre e të papranueshëm nga opinioni qytetar. (Gazeta Sot)

Kontrolloni gjithashtu

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15.02.1961 - 20.04.2017)

Fidaim Lushi: Në kujtim të Flakadanit të Lirisë, atdhetarit, veprimtarit dhe ish-burgosurit politik të vitit 1981, Remzi Lushi (15. 02.1961 – 20. 04.2017)

Me 20 prill bëhen shtatë vite nga ikja e vëllait Remzi nga kjo botë. Gjithmonë …