Partia Demokratike e Kosovës, ka shprehur shqetësim të thellë pas publikimit të raportit të organizatës ““Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Avokatisë i Anglisë dhe Uellsit.”i cili trajton proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në gjykatën speciale në Hagë. Sipas PDK-së, raporti i kësaj organizate me reputacion ndërkombëtar në fushën e të drejtave të njeriut ngre shqetësime serioze për respektimin e standardeve të një gjykimi të drejtë, duke përmendur rreziqe që lidhen me paraburgimin e gjatë, kufizimet për lirimin e përkohshëm, barazinë e palëve në proces dhe transparencën e provave. Në reagimin e saj, PDK thekson se këto gjetje prekin drejtpërdrejt parimet themelore të drejtësisë ndërkombëtare dhe kërkon që ato të trajtohen me seriozitet nga institucionet përgjegjëse, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Partia opozitare ka kërkuar gjithashtu krijimin e një mekanizmi të pavarur monitorimi që do të garantonte respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare dhe rritjen e transparencës në proces. PDK u ka bërë thirrje shteteve financuese të Gjykatës Speciale, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve të drejtësisë që të mos heshtin ndaj këtyre shqetësimeve, duke paralajmëruar se injorimi i tyre mund të dëmtojë besueshmërinë e drejtësisë ndërkombëtare. Në fund, PDK ka ritheksuar bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe ka kërkuar që procesi gjyqësor të përmbyllet me një vendim të drejtë dhe pa vonesa të mëtejshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
