Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është diskutuar rezultati i zgjedhjeve të fundit parlamentare, sfidat me të cilat është përballur partia dhe hapat e ardhshëm politikë e organizativë. Në vlerësimin e saj, Kryesia e PDK-së theksoi se pjesëmarrja dukshëm më e ulët në zgjedhje, me rreth 200 mijë votues më pak krahasuar me ciklet e kaluara, paraqet një sinjal shqetësues për gjendjen politike në vend. Sipas saj, kjo rënie reflekton lodhjen e qytetarëve nga krizat e njëpasnjëshme politike, polarizimin e thelluar shoqëror dhe zhgënjimin e akumuluar ndër vite. Gjatë mbledhjes u diskutua edhe ndikimi i rrethanave politike dhe ekonomike në rezultatin zgjedhor. Kryesia vlerësoi se masat financiare dhe subvencionet e shpërndara nga Qeveria në prag të zgjedhjeve kanë krijuar te një pjesë e elektoratit opozitar bindjen se rezultati ishte i paracaktuar, duke ndikuar në uljen e motivimit për pjesëmarrje në votime. PDK-ja konsideron se ka ruajtur pozitën e subjektit më të madh opozitar në vend, duke mbajtur nivelin e përfaqësimit politik dhe duke lënë të hapur mundësinë e rritjes së numrit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se partia është përballur me procese të njëpasnjëshme zgjedhore, të cilat nuk kanë lënë hapësirën e nevojshme për riorganizim dhe konsolidim të strukturave partiake.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
