Përmbledhja poetike, “Mos vdis nga errësira” e Avdyl Hajredinit, është shembull sesi shkruhet poezia

Përmbledhja poetike, “Mos vdis nga errësira” e Avdyl Hajredinit, është shembull sesi shkruhet poezia

Poezia e Avdyl Hajredinit është kryesisht meditative, por e një vokacioni përmasash të thella konceptesh, idesh e premisash, që janë prodhim i një përvoje të gjatë, vrojtuese e krijuese. Ato janë poezi bashkëkohore të  frymëzuara  jo vetëm nga tradita e poezisë shqiptare, por edhe e asaj botërore.

Duke qenë intelektual i formuar, profesor i gjuhës, veprimtar dhe krijues, në  krijimet e tij poetike, ai  ka segmentuar skica të shumta nga jeta e përditshme, nga ndeshtrashat me të cilat jemi ballafaquar e po ballafaqohemi, duke i kundruar ato me një pozicion kauzal, realist, qortues, por edhe duke i damkosur të ligat e nopranitë, që cilat jo rrallë herë ia kanë zënë dhe po ia zënë frymën jetës shqiptare, kudo ku ajo frymon.

I vetëdijshëm, i ndërgjegjshëm dhe i bindur në qëndrimet e tij të drejta, poeti Avdyl Hajredini, fjalën poetike e vë në funksion të shumanshëm, jo vetëm deklamues e vrojtues të një realiteti fiktiv, por në radhë të parë e vë në funksion të besimit në vlerat e vërteta, njerëzore, kombëtare, të cilat janë diga të forta që i kanë përballuar dhe i përballojnë errësirave, që kanë sjellë dhe kanë lënë si hije të zezë pushtuesit e ndryshëm. Lufta kundër asaj mjegullnaje errësirash është e domosdoshme, andaj poeti kërkon që të lirohemi prej pasojave saj, të mos vdesim në errësirën e së kaluarës, pasi kemi dritën e lirisë që na ndihmon ta mundim atë.

Përmbledhja poetike, “Mos vdis nga errësira” e Avdyl Hajredinit, është shembull sesi shkruhet poezia, se cila është porosia e saj dhe fuqia e fjalës që godet të ligën, që i heq maskën, me qëllim që të dallohet vlera nga antivlera, e mira nga e keqja, e bardha nga e zeza. Ai e bën zap fjalën, godet kur duhet goditur, por edhe përmbahet kur duhet përmbajtur, “për të mos u shembur nga pesha e durimit, pasi nata nuk është këmisha jonë dhe të mos vdesim në errësirë” ( Mos vdis nga errësira).

Secila nga poezitë e kësaj përmbledhjeje poetike na zbulon nga një pasqyrë kundrimi, na zbërthen nga një situatë, qoftë nga ato që ka përjetuar poeti,  apo nga ato situata që zakonisht përjetojnë njerëzit në përditshmërinë e tyre, si të pritura e të papritura të jetës. Poezitë e radhitura në këtë përmbledhje janë të shkapërderdhura, ashtu si vetë motivet, ashtu si preokupimet në një botë konfuze, së cilës vështirë se ia gjen fillin e ngatërruar gjatë shekujve.

Në librin e tij, Avdyl Hajredini,  ka sjellë një botë të tërë vrojtimesh, emocionesh pajtuese e refuzuese në raport me njerëzit, në raport me jetën dhe tëra ato me të cilat ballafaqohet ajo.

Duke jetuar  në një kohë  të mbizotërimit të gjatë,  “të luftës së të gjithëve kundër të gjithëve”, në një botë kaotike ku bashkëjetojnë të mirat e ligësitë, vlerat e antivlerat, ku secili ngutet për të marrë diçka, për të zhvatur atë që mund ta zhvatë, poeti nuk qëndron indiferent, në mos më shumë ai shkruan, kritikon, stigmatizon, me qëllim për të lënë gjumë në kohën plot me plagë e vurrata nga ato të së kaluarës, por edhe ato që i shkaktojmë vetes e njëri tjetrit. Në këtë ballafaqim ai i ka vënë vetës detyrë  mbi detyrat të jetë argat i së mirës, i së dobishmes, i së vërtetës, “i asaj të vërtete që qëndron në ballë të universit si digë e përjetshme, e patretshme”, sikur thoshte, Frederiku i Madh.

Poezia e Avdyl Hajredinit është një varg i pafund fjalësh të deklamuara e të shkruara me kujdes e seriozitet, të menduara mirë para se të vihen në letër, e jo si ata që në fillim shkruajnë e pastaj ndalen e mendojnë se çka kanë shkruar, apo si ata, që gjuajnë gurin pa e menduar mirë se kë do ta godasë.  I vetëdijshëm për fuqinë e fjalës dhe gjykimit të drejtë e të arsyeshëm, ai fjalën e tij të latuar  dhe të menduar mirë e vë në funksion të së drejtës, andaj edhe gjykon mbi këtë bazë, pavarësisht se si mendojnë të tjerët, sidomos pushtetarët, mujsharët, për të cilët iluministi i madh francez, Mishel Montenji, në kohën e tij  thoshte se “sundimtarët mendojnë se bota është krijuar vetëm  sepse ata janë të zgjedhur ta qeverisin e ta sundojnë”.  Janë pikërisht tiranët ata që e emitojnë Zotin, që presin me gërshërën e djallit… (Ferri i orëve të lirisë).

100 poezitë e përmbledhjes poetike, “Mos vdis nga errësira” të poetit, Avdyl Hajredini janë tharmi  i nxjerrë nga qindra poezi të tjera të shkruara e të pashkruara, të cilat frekuentojnë në mendjen gjithnjë zgjuar të poetit për ta kapur fjalën në fluturim, për ta vënë atë si  pasqyrimin subjektiv të realitetit objektiv, i cili gjithnjë të rrëshqet nga dora, sepse gjithnjë është në lëvizje dhe poetit i mbetet që në atë lëvizje ta formësojë imazhin, të cilin pastaj e zbërthen me fuqinë e intelektit duke i radhitur fjalët.

Secila poezi e kësaj përmbledhje ka një vulë të veten, ka një kumt, porosi, imazh, kuptim, synim, ide, që e tërheqin lexuesin e vëmendshëm, të cilit nganjëherë i duhet të mendojë mirë për ta zbuluar esencën e porosisë, meqë jo gjithherë ia arrijmë t’ia rrëfejmë atë në nivelin, të cilin ai e kupton.

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …