leoni

Mehmet Bislimi

Përpjekja për diskreditimin e veprimtarit, Mehmet Bislimi, zbulon urrejtjen patologjike të neotitistëve kundër çlirimtarëve

Ka disa vjet, që një foto e veprimtarit të mirënjohur të çështjes kombëtare, Mehmet Bislimi, afishohet  në disa medie me prejardhje ideologjike e politike nga ish-RSFJ, nga jugo-nostalgjikët e sotëm, të cilët kurrsesi “nuk po i ngroh” Dielli i Kosovës së lirë dhe të pavarur, i krijuar me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të kombit dhe me mundin  djersën e dhjetëra mijëra shqiptarëve liridashës anë e kënd trojeve tona. “Diellit” të tyre nuk po i shkëlqejnë  më protuberancat, ato kanë filluar të shuhen, por jo edhe në mendjet e nostalgjinë e tyre.

Në foto shihet, Mehmet Bislimi, në çaste pushimi, këmbët mbi një tavolinë. Një çast pushimi të cilin e preferojnë kudo në botë njerëzit e zyrave, që tërë ditën duhet të rrinë ulur. Realisht, ajo foto nuk paraqet asnjë delikt, asnjë diçka që duhet të merret me seriozitet, por afishimi i fotos së tillë bëhet me qëllim për të etiketuar një zyrtar të konsullatës së Kosovës në Zvicër, i cili nuk është ambasador dhe të paktën do të duhej të ishte në atë post,  nëse është fjala për kontributin që për 40 vjet i ka dhënë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, por ai është vetëm një telefonist, në stafin teknik të konsullatës.

Afishimi i kësaj fotoje në, Bota Press, Insaider Kosovo, e Koha ditore zbulon urrejtjen patologjike që kanë këto medie kundër çlirimtarëve të Kosovës, në këtë rast,  kundër veprimtarit, Mehmet Bislimi, pjesëtar i një familjeje të njohur atdhetare të Prekazit, shok ideali i Tahir Mehës, pjesëmarrës ndër më militantët në protestat e demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981, i burgosur politik, bashkëveprimtar  i legjendarit, Adem Jashari dhe Hamëz Jashari, kuadër i dalluar politik LPK-së, në Zvicër, pjesëmarrës i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krijues i talentuar, i cili deri tani ka botuar 12 vepra publicistike, letrare e artistike.

Pretendimet, për ta diskredituar këtë veprimtar të çështjes kombëtare, përmes një fotoje, të cilën ata e afishojnë vazhdimisht  si ilustrim, zbulojnë një urrejtje patologjike, shpirtin kazmë të idiotësisë së tyre, jo sepse këtë veprim të rëndomtë nuk e bëjnë të gjithë, por sepse nuk kanë ku i kapën Mehmet Bislimit për ta diskredituar dhe mjaftohen me aq sa kanë, me aq sa mundën.

Por,  kjo flet shumë, dhe,  mjerisht zbulon fuqizimin e jugonostalgjikëve në Kosovë, në radhë të parë për shkak se një segment i çlirimtarëve të vendit pranoi bashkëpunimin me ish-ishët e ish- regjimeve antishqiptare, që nuk mund të themi se nuk ishte edhe kusht i vënë nga disa autoritete ndërkombëtare, me qëllim  për ngritjen e tyre në karrierë.

Kjo bëri që ata të ringjallen, të pozicionohen në poste e në krye të institucioneve dhe të fitojnë simpatinë e mbështetjen e ndërkombëtarëve, duke u paraqitur si viktima dhe të ndjekur nga UÇK-ja.

 

Ja cilët  janë disa nga këta kujdestarë të piketimeve, të cilët jo vetëm njëherë kanë treguar qëndrimet e tyre antikombëtare, anti UÇK, madje kanë shkuar  më larg se mediet në Serbi, apo nga politika zyrtare, antishqiptare e Beogradit zyrtar.

Veton Surroi: “Të gjithë anëtarët e PDK-së, më shumë se 200.000 syresh  që e kanë votuar Hashim Thaçin, janë njerëz që pajtohen me kulturën e krimit”. Kështu kishte shkruar Veton  Surroi, pasi ORA e tij iu kishte ndaluar në 4.7 dhe nuk po i ecën më. Një pretendim racist, kriminal,  që zbulon një urrejtje patologjike kundër shqiptarëve që nuk e kanë votuar atë, por PDK-në.

Parim Olluri: “Po të ishte gjallë Adem Jashari do ta kishte uzurpuar Z-mobile”… thotë një pizeveng i manipuluar, i shitur për para, që rend nga një redaksi në tjetrën, tani kullotë në Insaider Kosovo.

 Baton Haxhiu: “Rruga ime dhe e jotja e dashur  Ljiljana anashkalon çdo luftë çlirimtare” ( Letra Liljanës). Kjo është vetëm një fjali nga shumë sosh të jugo-robit drejtuar Lilës së tij, në Beograd, e cila mbanë qëndrim të fortë, antishqiptar. Çka të thuhet për robin e Stanishiqit, që ndërmjetëson shitjen e krundeve të skaduara  të Serbisë, në Shqipëri, përmes firmës Devolli. Pse të mos dyshojmë se edhe fitimet i ndanë me Edi Ramën e Hashim Thaçin, meqë përditë fërkohet me ta.

Arben Idrizi: “Adem Jashari është fajtor i vrasjes së familjes së tij, ai do të duhej të ishte dorëzuar”. Dhe jo vetëm kaq. Ky apatrid që shan e fyen gjakun e derdhur për liri, boton në Eskpress Kosovo shkrime fyese e denigruese kundër UÇK-së dhe lirisë së Kosovës.

Prej të tillëve, që nuk janë edhe aq shumë, sepse disa nga ky soj gazetarësh kanë filluar të kullosin në hambarin e Qeverisë, disa presin të riciklohen nëpër institucione  dhe natyrisht se tani ia kanë kthyer ndryshe. Prej “rodit” të tillë nuk mund të presësh tjetër, pos gjuhës së tyre të ndragur, piketimeve, shfaqjes së urrejtjes kundër çlirimtarëve, sepse kjo është gjella e “inteligjencies” dhe kulturës së tyre.

Mua personalisht më vjen keq prej shokut tim të burgut e të luftës, Mehmet Bislimi, pse i merr seriozisht piketimet  e këtyre mercenarëve dhe i paditë nëpër gjyqe të Kosovës, në të cilat lënda pret jo me vite por me decenie,  pse nuk i përmbahet atij veprimit  të urtë e kuptimplotë të Sokratit, të cilin në prani të nxënësve të tij e kishte sulmuar me fjalë e fyerje një përdercak i Athinës. Dhe kur nxënësit e tij reaguan, ai i ndali dhe u tha: Po kjo është sikur të kafshon qeni, tinëzisht, në këmbë. A mendoni se duhet kapur  qeni dhe për hakmarrje të kafshohet këmba e tij?

Ahmet Qeriqi

  1. 6. 2018

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …