leoni

Përpjekja për injorimin e Betejës së Kosovës, nga disa studiues është përpjekje për ta deformuar historinë shqiptare

Përpjekja për injorimin e Betejës së Kosovës, nga disa studiues është përpjekje për ta deformuar historinë shqiptare

Përpjekja për deformimin  e së vërtetës së  Betejës së Kosovës të vitit 1389, nga disa studiues e historianë shqiptarë, është përpjekje për ta mohuar historinë tonë autoktone të krishtere-ortodokse të Mesjetës, sidomos në Lindje e verilindje të principatave shqiptare.

Nuk kërkon Turqia të mohohet Beteja e Kosovës, as pushtimi i saj në tri kontinentet.

Ajo me kohë ka vendosur  shenja fizikë të Betejës së Kosovës,  në Gazimestan.

Po ashtu Turqisë nuk i ka bërë as i bën përshtypje fakti se çfarë përkatësie kishte pasur, Milush Kopiliqi, sepse para së gjithash, sipas saj, ai kishte qenë i krishterë, kaur, vrasës tinëzar.

Sa herë vjen 28 qershori, Serbia ngrihet me vellon e temjanit të dendur mitik, për ta kujtuar humbjen faktike, si një fitore virtuale të Betejës së Kosovës së vitit 1389. Edhe ndonjë studiues i vonuar shqiptar del në sipërfaqe, për ta shënuar këtë ngjarje, jo sipas kalendarit gregorian, të cilin që moti e kanë përvetësuar edhe shqiptarët, por sipas kalendarit Julian, të cilin e shënon Lindja ortodokse, ashtu edhe Serbia, në mënyrë që krejt kjo histori të tingëllojë, ekskluzivisht si serbe.

Shumica e historianëve shqiptarë e mohojnë madje edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve të krishterë ortodoksë të Kosovës e më gjerë në këtë Betejë, e mohojnë edhe përkatësinë shqiptare ortodokse të Milush Nikollë Kopiliqit, sepse kështu kanë mësuar në shkolla dhe në fakultetet e ish – Jugosllavisë, mjerisht kështu mësojnë edhe sot.

Atyre nuk u bën përshtypje fare,  cikli i këngëve historike me elemente legjendare të Betejës së Kosovës, të cilin e ka ruajtur memoria kombëtare për më shumë se gjashtë shekuj.

Këta, ta themi historianë, mendojnë se  këngëtarët shqiptarë kanë kënduar kot, edhe pse kështu nuk mendon asnjë historian aspo shkencëtar i mirëfilltë në botë. Se po të logjikohej  kështu edhe “Iliada e Odiseja” e Homerit të Madh do të quhej histori koti.

E vërteta e memories kombëtare, për mendimin tim është primare, sepse nuk do të kishte kurrë farë logjike të ruhej nga shqiptarët, për gjashtë shekuj një epos i përcjellë brez pas brezi për një popull tjetër, për një kryetrim tjetër, në këtë rast për një kryetrim serb, sikur pretendon historia zyrtare shqiptare, në Tiranë, Prishtinë e në Shkup.

Injorimi i kujtesës së popullit, kur shumica e popujve të botës kanë ruajtur eposet e veta shtron një dilemë të madhe, e cila mund të përkufizohet kështu:

Ose shqiptarët e çmendur dhe pa kokë i kanë kënduar trimave sllave e serbë të mesjetës, edhe pse kishin armiqësi 13 shekullore  me ta, e cila ende po zgjat, ose këta historianët tanë syleshë të shkollës së Kumrovcit, mendojnë se kemi të bëjmë me një mit, për të iu kundërvënë pa nevojë  Serbisë dhe për t’ ia ruajtur “namuzin” Turqisë.

Pretendimet për ta mjegulluar të vërtetën e Betejës së Kosovës së vitit 1389 nga disa studiues shqiptarë bëhen me qëllime politike për ta ruajtur miqësinë dhe marrëdhëniet shumë të mira që i ka Kosova me Turqinë, që nuk është më Sulltanat, por një shtet i fortë  modern, i cili radhitet i teti në mesin e dhjetë shteteve më të forta ekonomikisht dhe ushtarakisht të botës.

Turqia kurrë nuk e ka mohuar të vërtetën e Luftës së Kosovës, as vrasjen e Sulltan Muradit të Parë nga Milush Kopiliqi. Po ashtu Turqia as e ka mohuar as e mohon faktin se  ata kanë qenë pushtues edhe në vendet e Ballkanit,  ashtu sikur edhe në tri kontinentet, Evropë, Azi Afrikë, ku e kishte shtrirë sundimin shumë shekullor.

Turqia nuk e fsheh faktin se Sulltan Mehmedi, zaptuesi Kostandinopojës, ka qenë pushtues, Fatih Sulltan Mehmed, ( Sulltan Mehmed Pushtuesi). Andaj pse do të hidhërohej Turqia nëse ne themi pushtimi turk, edhe pse, mirë apo keq, i kemi shërbyer si askush tjetër disa shekuj rresht. Janë mijëra fakte kokëforta që dëshmojnë…

Pse pra lejohet të  mjegullohet, të deformohet, të injorohet  Beteja e Kosovës nga historianët e shkollës titiste, apo nga shkolla e stome, ( pa shkollë dhe pa kokë) e shumicës së historianëve tanë?

Realisht, një pjesë e madhe e historianëve shqiptarë,  nuk e kanë gjurmuar këtë histori, as kanë ndonjë interesim për të, sepse  në mendjet dhe logjikën e tyre ajo betejë nuk i bën nder shqiptarëve islamë, as marrëdhënieve të mira me Turqinë.

Është edhe një e vërtetë tjetër, të cilën e kishte publikuar  shkrimtari, Ismail Kadare në vitet 90-të shekullit të kaluar, kur kishte deklaruar se nuk është për t u lavdëruar  e për t’ u mburrur me një person mitik, si Milush Kopiliqi, i cili kishte vrarë një perandor, sikur kishte qenë Sulltan Muradi i parë. Ky  “qortim” i Kadaresë u shkoi për shtati disa historianëve parazitë e djerrakohës.

Nuk mund të kuptohet e të zbulohet  e vërteta për Betejën e Kosovës së vitit 1389, pa lexuar këto histori:

Historia e Perandorisë  Osmane e historianit austriak, Josef von Hammer dhe histori  turke, greke, serbe, bullgare e të tjera të qindra autorëve.

Nuk mund të kuptohet as të zbulohet e vërteta për popullsinë shqiptare ortodokse të Mesjetës, pa lexuar dhe pa e studiuar, veprën gjeniale të profesor, doktor Muhamet Tërnavës, (tani i ndjerë), me titull: “Popullsia e Kosovës në shekujt XIV-XVI”.

Profesor Tërnava, duke i studiuar me një metodologji të avansuar shkencore dokumentet e  Mesjetës,  kishte zbuluar se  mbaresat gramatikore të emrave e mbiemrave në defterët turq të Vilajetit Vëllk, dëshmojnë përkatësinë dhe praninë 80 për qind të  shqiptarëve ortodoksë në mesjetë në territorin e Vilajetit Vëllk, që ishin prona të despotit vasal serbe, Vuk Brankoviq.

Zbulimi i tij historik ka këtë formulë: Nuk janë të njëjtë për nga përkatësia etnike emrat e mbiemrat e mëposhtëm :

Dimitër Dimitri,

Dimitar Dimitrijeviq,

Dimitar Dimitrov

Dhimitris Dhimitraqis.

Prania e mbaresa të patronimeve në defterë, ishte dhe mbetet përcaktues i përkatësisë etnike të popujve të në shekujt, 14-të 16-të. Historiografia serbe të gjithë emrat ortodoksë i konsideron se emra serbë e sllavë dhe mohon përkatësinë e dikurshme të krishtere shqiptare, duke e konsideruar si serbe.

Ky zbulim epokal e gjenial i dr, Muhamet Tërnavës bëri që regjimi titist  ta injorojë, të burgos, ta dënojë me burg, ta anatemojë si falsifikator. Instituti i Historisë, në Prishtinë nuk ia kishte pranuar tezën e magjistraturës,  por ai e mbrojti në Zarë, pastaj doktoroi në Zagreb.

Duhet marrë parasysh urrejtjen, smirën, xhelozinë, ekskomunikmin e dëmin  që i kishin  shkaktuar Muhamet Tërnavës, historianët zyrtarë të politikës së kohës titiste e rankoviqiste. Ata edhe sot mohojnë pjesën më vitale të gjurmimeve e studimeve historike të këtij historiani.

Muhamet Tërnava pas daljes nga burgu, në vitin 1983 për një kohë ruajti bagëtinë në Lismir, pastaj shiti pronat që i kishte trashëguar nga i ati, për t’ i shkolluar bijat e për ta mbajtur familjen. Nuk u pranua kurrë në punë, prej vitit 1983 deri në vitin 2003.

Kjo është arsyeja pse e vërteta  e tij për Mesjetën edhe sot e kësaj dite heshtet, në mënyrën më të padrejtë, heshtet dhe vazhdon të heshtet, sepse  vepra e tij, me gjuhën e fakteve, trondit historinë zyrtare serbe dhe historinë zyrtare shqiptare.

Andaj edhe heshtet vepra e Tërnavës, andaj, mohohet Beteja e Kosovës, andaj Milush Kopiliqi quhet serb, andaj deformohet dhe abortohet historia e Mesjetës, ashtu sikur pretendohet të abortohet edhe historia e 45-vjeçare e Shqipërisë Socialiste nga historianë gjysmakë e sharlatanë.

Nuk kuptohet Beteja e Kosovës, pa lexuar veprën studimore të Muhamet Tërnavës dhe pa u bindur me gjuhën e fakteve se në atë kohë, në Kosovë, popullata dërrmuese shqiptare ishte e besimit ortodoks, në të cilën e kishte konvertuar me dhunë Dinastia Nemanjide. Pikërisht kjo popullatë më vonë, në kushte dhe rrethana që dihen, është konvertuar në islam.

Nuk është fare i vërtetë konstatimi se katolikët e krishterë nuk kishin marrë pjesë në Betejën e Kosovës, duke pasur parasysh faktin e konvertimit të dhunshëm të katolikëve në ortodoksë. Në atë betejës kanë marrë pjesë edhe kroatët me Komandantin Ivan Palish, pastaj disa njësite elite raguziane, hungareze, polake etj. Balshajt në atë kohë ishin edhe katolikë. Në betejë sipas historianit të mirënjohur kudo në botë, Hammer, ka marrë pjesë dhe Gjon Kastrioti.

Përpjekja për ta paraqitur Betejën e Kosovës si një  Betejë vetëm serbe, si një luftë të brendshme mes prijësve, është krejtësisht e paqëndrueshme, po qe se iu referohemi fakteve historike  të kohës.

Fakti se shqiptarët nuk morën pjesë në Betejën e Dytë të Kosovës, të cilën e kishte ndërmarrë katoliku hungarez, Janosh Hunjadi në vitin 1448, po në fushë të Kosovës, dhe kishte dështuar shumë fish më keq sesa të krishterët lindorë e perëndimorë në vitin 1389, zbulon më së miri se ajo ishte lufta e Evropës kundër Turqisë. Shqiptarët nuk i kënduan kësaj lufte, në të cilën nuk kishte marrë pjesë as Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, edhe pse kishte qenë i ftuar nga Hunjadi, por ai nuk e kishte pritur forcën e Skënderbeut, duke pretenduar ta marrë për vete fitoren e paragjykuar.

Përpjekja antihistorike për të konsideruar se shqiptarët dhe katolikët  e Evropës nuk kanë marrë pjesë në dy betejat e Kosovës, më së paku nuk janë fare historike, as mund të argumentohen me një studim të mirëfilltë.

Nuk ka pse na hidhërohet Turqia e sotme për luftën që kemi bërë kundër saj në disa periudha historike.

Historia turke nuk e mohon Betejën e Kosovës, nuk e  mohon luftën e Skënderbeut, nuk e mohon historinë e Rilindjes Shqiptare, as luftën për pavarësi, sepse këto janë fakte të njohura.

Nuk mund të deformohet historia e një kombi për shkaqe të politikeve aktuale, sepse e kaluara ka ndodhur, ajo dëshmohet e faktohet shkencërisht dhe në asnjë mënyrë nuk guxon të deformohet për interesa politike të akujt.

Ahmet Qeriqi

Krojmir

  1. 6. 2021

 

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: Nuk është kjo LV-ja që e kam përkrahur kur të gjithë e kanë sharë dhe sulmuar e tani janë në listën për deputetë...

BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: Ndërhyrja në Maqedoni të Veriut, e pamoralshme dhe politikisht e dëmshme

Kurrë nuk ka qenë një situatë më dyfytyrëshe sa i përket të kaluarës së lavdishme …