Edhe tri ditë kanë mbetur deri në dorëzimin e peticionit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në Gjykatën Speciale, ndërsa numri i nënshkrimeve ka kaluar shifrën prej 170 mijë dhe pritet të rritet edhe më tej. Kjo iniciativë, e nisur më 25 shkurt 2026, po shihet nga organizatorët si një reagim i drejtpërdrejtë qytetar ndaj mënyrës së funksionimit të kësaj gjykate. Megjithatë, përtej shifrave të larta dhe mobilizimit të gjerë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, mbetet e paqartë pesha reale që një peticion i tillë mund të ketë përballë një mekanizmi ndërkombëtar të drejtësisë. Kritikat ndaj Gjykatë Speciale nuk janë të reja, por kjo nismë i rikthen ato në qendër të debatit publik, duke vënë në pikëpyetje balancën mes drejtësisë ndërkombëtare dhe perceptimit lokal për drejtësi. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka theksuar se peticioni përfaqëson “zërin e qytetarëve” dhe pakënaqësinë ndaj proceseve gjyqësore që po zhvillohen në Hagë. Ai pret që vetëm nga Maqedonia e Veriut të shtohen edhe rreth 9 mijë nënshkrime, ndërsa një numër i konsiderueshëm ka ardhur edhe nga Shqipëria. Përkrahësit e peticionit argumentojnë se ai nuk synon të ndërhyjë në drejtësi, por të kërkojë standarde më të larta të drejtësisë dhe respektim të të drejtave themelore për ish-pjesëtarët e UÇK-së. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky reagim qytetar do të prodhojë efekt konkret apo do të mbetet një akt simbolik i pakënaqësisë kolektive.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
