PhD (C). Miftar KURTI: USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS MES VLERËSIMEVE, SHANTAZHEVE DHE AKUZAVE II

PhD (C). Miftar KURTI: USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS MES VLERËSIMEVE, SHANTAZHEVE DHE AKUZAVE II

UÇK mes vlerësimeve, shantazheve dhe akuzave

Një monografi tjetër, me kryetemë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por me burime, literaturë, referenca të tjera, me strukturë e qasje tjetër është ajo e James Pettifer me titull “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit 1948-2001”, Botim “Onuri”, 2013. 

Shtrirja në kohë dhe hapësirë e UÇK-së, origjina dhe rrethanat e krijimit të saj, struktura, mënyra e funksionimit, strategjia, raportet e saj me subjektet politik e ushtarake (LPK, LDK, LKÇK, LBD, NATO) dhe me media; sfidat me të cilat ajo u ballafaqua gjatë ekzistencës së saj; imazhi i ushtarëve dhe komandantëve; përpjekjet e krerëve të saj për ta unifikuar faktorin shqiptar rreth qeverisë së luftës të udhëhequr nga ajo; raportet e saj me Adem Demaçin, etj., janë vetëm disa nga çështjet e trajtuara me shumë kujdes në këtë monografi.

Temën për luftën e UÇK-së e trajton në disa aspekte: në aspektin ideologjik, politik, historik, diplomatik, ushtarak, kombëtar e ndërkombëtar dhe mediatik. Të gjitha këto aspekte gjejnë shtrirje në rrafshin përmbajtjesor dhe formal të librit, në kapitujt dhe nënkapitujt e tij. Aspekte të caktuara herë dalin si tema, herë si nëntema, por edhe si njësi më të vogla që përbëjnë kryetemën UÇK, e cila është trajtuar edhe në kontekst të kohës dhe rrethanave. Të gjitha këto janë pjesë e strukturës së librit. Strukturës së jashtme dhe të brendshme. Mirëpo, si njësi e veçantë e strukturës së librit janë edhe disa “Shtojca”, të cilat, në të shumtën e rasteve e pasurojnë librin dhe mund të merren si referenca interesante që sjellin të dhëna të panjohura për këtë organizatë.

Për ata që nuk e njohin sa duhet historinë e popullit shqiptar dhe për ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme se në çfarë rrethanash u formua UÇK, titulli i këtij libri në shikim të parë duket jo shumë real dhe i ekzagjeruar, si në aspektin e shtrirjes kohore ashtu edhe hapsinore. Këtë “dilemë” e heq autori. Ai, gjenezën e UÇK-së e sheh te tradita luftarake shqiptare. Këtë e pohon duke ju referuar edhe disa historianëve shqiptarë, të cilët pohojnë me të drejtë se “kryengritjes” kundër sundimit të Beogradit asnjëherë nuk iu dha fund, se ajo ishte si një zjarr në pyll që s’mund të shuhej, se nga një zjarr që digjej përbrenda, mund të shpërthente në flakë pothuajse kurdo”. Sa i përket shtrirjes në hapësirë del se jehona e Luftës së UÇK-së, shprehur figurativisht kishte kaluar kufijtë e Kosovës, kufijtë kombëtar, duke u shndërrua në kryengritje të Ballkanit, siç shprehet autori, ngase lufta kishte prekur në një mënyrë a tjetër Kosovën e Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi.

Përveç me shtrirjen në kohë dhe hapësirë të temës që trajton, autori fokusohet edhe te mënyra e organizimit, strukturimit dhe funksionimit të kësaj organizate që në fillesat e saj. Sipas tij, UÇK-ja në praktikë kishte tri nivele autoriteti. Niveli i parë, dhe më i rëndësishmi, ishte autoriteti i komandantëve të UÇK-së në terren, të cilët shpeshherë kishin vetëm një marrëdhënie formale të paqartë me komandantët e zonave operative  të saj. Niveli i dytë, ishte SHP i UÇK-së në Drenicë, kurse niveli i tretë, ishte skuadra negociuese (James Pettifer, Ushtria Çlirimtare e Kosovës…, f.230). J. Pettifer e vlerëson mprehtësinë organizative të UÇK-së dhe strategjinë e saj. Kur flet për strategjinë e kësaj organizate politike dhe ushtarake, ka raste kur ai del pak ca kontradiktor. Një herë thotë: sulmi i UÇK-së në Rahovec është kritikuar shumë në Kosovën e pasluftës, por ai sulm gjithsesi kishte logjikë strategjike, kurse herën e dytë shprehet se Strategjia e UÇK-së, e marrjes dhe mbajtjes së qytezave të vogla (Rahovec, Malishevë etj.) ishte në favor të Beogradit në këtë rrafsh. Madje, ai e konsideron si gabim strategjik mospërdorimin e eksplozivëve lokalë kundër Ushtrisë Jugosllave. Këtë e konsideron si një nga dobësitë më serioze dhe irracionale të strategjisë të fillimit të fushatës së UÇK-së. E vlerëson faktin që SHP i UÇK-së prioritet kishte diplomacinë e zgjuar me komunitetin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin e mirë me media. Për bashkëpunimin e mirë me media, meritën kryesore ia atribuon LPK-së, duke e vlerësuar jashtëzakonisht profesionale komunikimin mediatik të saj, madje edhe më profesionale se pala jugosllave (Po aty, f.110, 169).  

Një aspekt tjetër i trajtuar në këtë vepër, është edhe sfida me të cilat është ballafaquar kjo organizatë gjatë veprimtarisë së saj. Shantazhi konsiderohet njëra nga sfidat kryesore me të cilat ishte ballafaquar ajo. Pettifer nuk ngurron t’i përmend kush ishin shantazhuesit dhe pse shantazhonin. Për shumëkënd mund të duket e pakuptueshme, por ja që edhe Londra e shantazhonte UÇK-në. Madje, prioritet në Londër, sipas autorit, ishte që të shmangej një kryengritje popullore në Kosovë sipas modelit shqiptar. Ushtria Britanike kishte “frikë” se mos UÇK mund të binte në duart e atyre që e konsideroheshin si grupime të së majtës ekstreme. Këtu ai e veçon Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), të cilën Londra e konsideronte element “komunist”. Ai thekson se emërimi i Agim Çekut si komandant i UÇK-së, ishte në thelb, një mjet për të dobësuar pushtetin e radikalëve politikë mbi orientimin e saj dhe për ta mbajtur peng atë për të ardhmen. Me këtë, britanikët, gjithnjë sipas autorit, po mendonin për të ardhmen, e Kosovës vetëm në aspektin e stabilizimit social të saj. Ata e mendonin një Kosove brenda një Jugosllavie të reformuar demokratike ngase nuk shihnin asnjë perspektivë për pavarësinë e Kosovës, aq më tepër që Kosova të bëhej me ushtri. Urdhrat politikë, që vinin nga Londra dhe Uashingtoni, sipas James Pettifer, jepeshin me qëllim që UÇK të mbahej nën kontroll, në mënyrë që ajo të mos lejohej të bëhej tepër dominuese në lokalitetet ku vepronte, duke mbajtur parasysh situatën e pasluftës. Megjithatë, nuk ishte vetëm Londra që shantazhonte UÇK-në. Atë e shantazhonin edhe një pjesë tjetër e bashkësisë ndërkombëtare. E shantazhonin edhe një pjesë e faktorit politik shqiptar të Kosovës. Përmes shantazheve, një pjesë e faktorit ndërkombëtar dhe vendor i kishin koontribuar edhe prishjes së “Qeverisë Thaçi” të dalë pas bombardimeve në Rambuje. Nuk lejohej assesi që rreth asaj qeverie të krijohej një front  uniteti, një front i përbashkët shqiptar. Edhe pse gjenerali Majk Xhekson, kishte marrë përsipër prishjen e “Qeverisë Thaçi” të dalë nga Rambujeja, mbase për shkak se nuk kishte raporte të mira personale me të, ishte në fakt Rugova dhe LDK-ja, nën tutelën kryesisht italiane dhe të Vatikanit, që e kishte arritur zhbërjen e Qeverisë Thaçi, duke refuzuar të merrte pjesë në një front të bashkuar shqiptar në përballje me bashkësinë ndërkombëtare”. (Po aty, 178-180, 236, 251).

Një vëmendje të veçantë, një hapësirë të konsiderueshme në libër u kushtohet edhe raporteve të UÇK-së me Shqipërinë, me NATO-n, me subjektet politike ushtarake e jo ushtarake, si: LPK, LKÇK, LDK, LBD; por edhe me popullsinë. Ai bën dallimin mes LDK-së dhe UÇK-së. Sipas tij, lidershipi i LDK-së i përkiste traditës së vjetër revizioniste komuniste të Jugosllavisë titiste, kurse ana politike e UÇK-së (LPRK-LPK-M.K.) ishte në thelb enveriste. Duke folur për rolin historik të Lëvizjes Popullore të Kosovës, ai pohon se ndikim vendimtar mbi të ardhmen, e cila do të sigurojë një kuadër funksional për një brez të tërë militantësh, të cilët do ta drejtonin luftën (e UÇK-së) në Kosovë. Adem Jashari, H. Thaçi, Xh. Haliti, Ali Ahmeti, R. Haradinaj, Fazli Veliu i përkisnin ose punonin me LPK.

Kur merret me raportet mes UÇK-së dhe Adem Demaçit, autori ndalet në Konferencën e Rambujesë dhe presioni që po i bëhej Thaçit për ta nënshkruar marrëveshjen. I gjendur mes vendosmërisë së tij për të mos nënshkruar marrëveshjen pa një garanci ndërkombëtare për referendum dhe presionit nga të gjitha anët për të nënshkruar marrëveshjen, Thaçi do të mbetet i izoluar në delegacion. Mirëpo, siç shprehet më tutje Pettifer, vetëm mbështetja e palëkundur e Adem Demaçit, për atë që Albright-i dhe Hill-i e konsideronin si një kokëfortësi të tij, e kishte parandaluar një fiasko për shqiptarët. Pra, hezitimi i Thaçit për të nënshkruar dhe këmbëngulja e Demaçit për të mos nënshkruar, sipas autorit, kishin njëfarë baze. Sepse, rreziku i nënshkrimit pa asnjë kusht ishte më i madh se rreziku i hezitimit dhe këmbënguljes për të mos nënshkruar. Ai e argumenton këtë duke pas për bazë një të dhënë të panjohur më parë.  Ishte sekretarja e Shtetit e SHBA-ve, Ollbrait, që gjatë një bashkëbisedimi me Milan Milutinoviçin, president i Serbisë, ndër të tjera i kishte deklaruar atij se zgjidhja politike që parashtronin amerikanët do të ishte e mirë për Serbinë, sepse UÇK-ja do të çarmatosej, se Kosova do mbetej brenda Jugosllavisë, se Ushtria Jugosllave do të lejohej të vazhdonte të patrullonte kufirin... (Po aty, f.224, 237). Bazuar në këtë fakt, në këtë të dhënë, del se hezitimi i Thaçit dhe kundërshtimi i Demaçit për të mos nënshkruar marrëveshjen e kishte shpëtuar Kosovën nga një robëri e re.

Mënyra se si dhe kur u formua UÇK për shumëkënd ishte një mister. Për këtë ka pikëpamje të ndryshme. Pettifer e veçon mendimin e Millosheviçit, i cili e kishte konsideruar krijimin e UÇK-së, si një komplot i perëndimit kundër rendit në Jugosllavi gjatë gjithë konfliktit (luftës) në Kosovë.

Gjatë leximit të kësaj monografie bie në sy edhe mënyra se si autori e paraqet imazhin e ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së. Përmes imazhit të pjesëtarëve të saj kjo organizatë synonte të perceptohej si serioze, e rrezikshme, klandestine, e aftë për të ngjallur frikë dhe e arriti këtë gjë-shton ai (Po aty, 134).

Pse veçohet ky libër?

Për burimet, referencat dhe mënyrën e rrëfimit. Për informacionet dhe të panjohurat që sjell dhe i publikon për herë të parë. Se për UÇK-në flitet e shkruhet për rrethanat dhe kontekstin kohor kur është krijuar dhe kur ka vepruar ajo si organizatë. Krijimin e saj, veprimet e saj i vë dhe i trajton edhe në konstekst të politikës kombëtare dhe ndërkombëtare.

UÇK-në e konsideron si vazhduese të traditës kombëtare dhe atdhetare. Mirëpo, ndryshe nga grupet, lëvizjet, organizatat tjera të mëhershme politike e ushtarake, ilegale e legale, ajo arriti realizimin e ëndrrës që synonte shumica e popullit të Kosovës: lirinë dhe pavarësinë.

Libri veçohet edhe për faktin se, këtu, publikohen, mbase për her të parë, disa të vërteta të panjohura deri më sot lidhur me sfidat, shantazhet dhe prapaskenat në dëm të UÇK-së të luajtura nga të huajt dhe vendorët. Përkundër të gjitha këtyre sfidave, UÇK-ja kishte arritur qëllimin e saj.

Natyrisht se te ky libër ka edhe gabime, sidomos te “Shtojca”. Aty bien në sy disa prej tyre. Kështu, Zona Operative e Llapit (ZOLL) këtu na del me numër 2, kurse Brigada “Zahir Pajaziti” del me numër 122. Mirëpo, dihet se ZOLL ishte zona operative me numër 5, kurse Brigada “Zahir Pajaziti” me numër 151. Pohimi i autorit se ka pak ose aspak literaturë ekzistuese për UÇK-në në Mitrovicë, për arsyen e thjeshtë se, në këtë fazë, lufta pothuajse nuk ekzistonte fare atje bjen në kundërshtim me pohimin se më 15-17 tetor 1999 forca të mëdha të UJ-së lanë bazën e tyre në Kutllovc të Mitrovicës dhe sulmuan fshatrat Mazhiq, Rashan dhe Medenicë (Melenicë-M.K) me mitraloza të rëndë. Po ashtu, këtu, edhe data jepet gabim ngase ky sulm ka ndodhur më 15-17 shtator 1998 e jo në muajin tetor. Kur flet se si një “grup” i UÇK-së zuri 7 ushtarë dhe 1 oficer të UJ-së, në rrethana poshtëruese, pranë Mitrovicës, ai e përmend datën 10 janar 1999. Edhe këtu data është e gabuar, sepse kjo ka ndodhur saktësisht më 8 janar 1999.

Gabimet e kësaj natyre edhe mund të ndodhin, janë disi më të kuptueshme. Të pakuptueshme për mua janë disa akuza të autorit. Sipas tij në disa raste, komandantët lokalë të UÇK-së u bënë presion serbëve të largoheshin; se kjo ka ndodhur, por vetëm “është çështje e diskutueshme nëse ka pasur nga ana e lidershipit të UÇK-së një strategji të koordinuar të “pastrimit” të Kosovës” (Po aty, f.258). konsideroj se ky është një mendim i gabuar, konstatim i pavend dhe akuzë e padrejtë.

Përkundër këtyre lëshimeve dhe akuzave goxha të rënda kundër UÇK-së, me të drejtë është thënë se “ky libër magjepsës është një studim i detajuar i rolit të UÇK-së në këto ngjarje të jashtëzakonshme”, se “është një libër i mrekullueshëm…më i miri për nga trajtimi në thellësi i UÇK-së dhe se do të jetë me interes si për specialistët në Kosovë e Ballkan, si dhe për lexuesin e gjerë, që interesohet për një hyrje për temën e UÇK-së dhe për konfliktin e Kosovës të viteve ’90. Libri i J. Pettifer në fakt është cilësuar si një kryevepër që tregon historinë e fillesave të UÇK-së, duke filluar nga viti 1948 dhe, gjatë këtij procesi, zbulon detaje deri më tani të panjohura.

Llibri pra, është një referencë e mirë për të gjithë ata që do të merren në të ardhmen me historinë e UÇK-së, me luftën e saj, me sfidat nëpër të cilat ka kaluar dhe rolin e saj historik në Historinë e Ballkanit.

Nëse do të na lejohej krahasimi i kësaj monografie me ndonjë lule, atëherë do të mund ta krahasonim me një trëndafil, por me një trëndafil me xhemba.

Në fund duhet thënë se botimi i këtyre dy librave nga dy autorë të huaj, në një gjuhë të madhe, botërore, siç është gjuha angleze, e afirmon UÇK-në.

Që të dy librat, në këtë lloj, janë të rrallë, madje i kanë munguar Kosovës dhe opinionit ndërkombëtar, sidomos atij që i intereson të dij diçka për këtë organizatë. Të dy librat, në shumicën e rasteve, nxjerrin në shesh dhe e argumentojnë të vërtetën për UÇK-në, luftën e drejtë të UÇK-së dhe duke mohuar zërat se UÇK-ja u financua dhe u përkrah nga qarqe kriminale e mafioze. Lufta e UÇK-së vlerësohet një nga kryengritjet më të veçanta dhe më të suksesshme në historinë e kryengritjeve moderne. Krejt në fund, këto dy libra, mbetën një burim i rëndësishëm, një referencë që nuk do të mund të shmangen në të ardhmen nga ata që dëshirojnë të merren seriozisht me temën e UÇK-së dhe luftën e saj. Si të tilla e afirmojnë UÇK-në dhe të vërtetën për luftën e Kosovës 1998-1999.

 

Literatura

Perritt Jr., Henry H., “Ushtria Çlirimtare e Kosovës: rrëfim prej brenda për një kryengritje”, Koha, Prishtinë, 2008.

Pettifer, James,  Ushtria Çlirimtare e Kosovësnga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit 1948-2001”, Onufri, 2013.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Ahmet Qeriqi: Një rrugëtim i gjatë nëpër shi (E premte 23 prill 1999)

Gjatë tërë natës dhe paradite ka rënë shi pa ndërprerë. Binte sikur me rrëshek. Frushkujt …