Pirro Prifti: Basha-ik, Majft me justifikime

Zgjedhjet lokale të 21 qershorit treguan qartë atë që parashikohej-humbjen e PD dhe të Aleancëd APPV ndaj ASHE.

 Këto zgjedhje ashtu si dhe ato parlamentare, i  dha PD-së dhe veçanërisht Bashës, jo vetëm argumentin se sa të kota janë justifikimet për humbjet e pësuara,  por edhe në rastin kur humbja përsëritet tregon qartë se kur nuk reflektohet dhe nuk përpiqen për të gjetur shkaqet e humbjes, atëherëë – një humbje tjetër do të pasojë.

Kështu ndodhi.

Basha, Kryetari i PD, partisë më të madhe të Opozitës dhe Kryetar i kësaj Opozite, me atë megalomaninë e tij neveritëse, me argumentat e tij bajatë e të mësuar përmëndësh, me pamundësinë e tij për të dialoguar por vetëm për të monologuar, me mungesën totale të dëshirës për të parë ne sy gjëndjen katastrofike të Partisë së tij, me mungesën totale te bashkëpunimit brënda Partisë së tij prej dy vitesh në opozitë, me mungesën totale të këshilltarëve profesionistë e politikanë, i ngjan një Don Kishoti të rrëzuar për të dytën herë përdhe nga vetë miqtë e tij të tipit Sanco Pança me mos ndërhyrjen e tyre qesëndisëse dhe përqeshëse, që në heshtje e miratuan disfatën e cila ishte plotësisht e tij.

Kjo humbje katastrofike ka edhe paqartësitë e saj përsa i përket vetë personalitetit të Kryetarit të Partisë më të Madhe Opozitare sepse vazhdimi me të njëjtin temp dhe budallallëk për ti spjeguar popullit me një matematike alla Baron Mynhauzen, se ai nuk humbi në të vërtetë, por humbën amiqtë e tij të Maxhorancës qeverisëse (megjithse ata fituan me një fitore dërrmuese), dhe me argumentin tjetër akoma edhe më ufologjik se humbja (në këtë argument ai pranon se humbi por humbi se të tjerët i a bënë me hile) u shkaktua nga blerja hipotetike e votive dhe nga ndihma e `bandave dhe kriminelëve`?!

Tek këto dy argumente bizarre mund të ndalemi pak dhe të komentojmë se cili është ky Kryetar Partie:

– ose është një manipulator i dorës së parë , mësime të cilat i ka marë fare lehtë nga paraardhësi i tij  (por në përgjithësi nga historiku i zgjedhjeve shqiptare) se në rastet kur fiton, fitorja është e merituar, dhe në rastin kur humbet,-zgjedhjet janë të pavlefëshme dhe të manipuluara,

– ose ky njeri i emëruar paktikisht nga ish-kryetari si – Kryetar Partie, nëpërmjet një procedure zgjedhore pa konkurent (dhe ku njëri nga konkurentët disa kohë përpara vdiq në një aksident misterioz), është  më një karakter paranojak dhe sociopat që nuk e pranon as kritikën dhe as autokritikën si element të një ndërgjegjeje normale.

Shumëkush do të bëjë pyetjen përse kjo këmbëngulje patologjike për të mos pranuar humbjen, pra dhe fajin e një disfate të tillë, ku protagonist kryesor ishte vetë Kryetari i Partisë më të madhe Opozitare dhe violinë e parë në fushatën e fundit zgjedhore ku karakteristika të kësaj fushate ishin përfundimi i fjalimit me të uluritura- pra Kryetar Urlator, dhe karakteristika tjetër ishte paqartësia totale e programit me të cilën duhej të fitonte pasi tu mbushte mëndjen simpatizantëve të tij.

 Këto elemente që thashë me sipër, duke i shtuar lënien vetëm në fushatë të tij nga ana e deputetëve të PD (përveç Tritan Shehut), lënien vetëm e të braktisur nga themeluesit e tjerë të PD por që nuk ishin më deputetë, hedhjen e propozimeve pabazuara, si ato e uljes së taksave dhe tvsh-ve, propozimin për kryetarë bashkie të figurave të pastudiuara dhe të futur në minutën e fundit pa asnjë program dhe pa asnjë përgatitje,- tregon se sa i paqartë dhe i papërgatitur hyri ky kryetar në fushatë së bashku me Partinë dhe Koalicionin e tij humbës.

Po të shikosh rezultatet e zgjedhjeve locale, mund të shohësh katastrofën që ka pasuar kjo parti për të dytën herë brënda dy viteve, dhe është për të ardhur keq që Shqipëria në të ardhmen më të afërt mund të ngelë fare pa opozitë duke i shkaktuar kështu një dëm të madh demokracisë shqiptare.

Fitorja e Maxhorancës qeverisëse, e cila mbetet një fitore për tu përgëzuar është gjithashtu edhe pak e frikëshme kur mendon se së bashku me pushtetin egzekutiv që është afro 2/3 e Parlamentit, kjo maxhorancë ka fituar ggati 2/3 edhe të qeverisjes locale, pra Fitorja e madhe përmban edhe një përgjegjësi të madhe si dhe rrezikun e autoritarizmit.

 Që prej këndej del e domosdoshme edhe ristruktutimi i PD dhe forcimi i një Opozite konstruktive dhe jo shkatërruese e plot urrejtje që i sheh kundërshtarët si armiq. Dhe nga kjo e fundit veprimet e Kryetarit Basha nuk dallojnë shumë nga ish diktatori Hoxha i cili zbatonte gjithnjë thënien e Makiavelit se ata që nuk janë miqtë e mij –janë armiqtë e mij.

Sidoqoftë i rekomandojmë z. Basha (në se PD e tij do ta mbajë përsëri në krye) të kuptojë  se konkurentët dhe partnerët e tjerë të spektrit politik në demokracinë perëndimore nuk janë armiq por konkurentë, dhe luftojnë për pushtet legjislativ egzekutiv dhe local për të përmirësuar gjendjen dhe jo për ti luftuar si armiq.

 Ankesat e tij të pabaza dhe qarjet e tij hipokrite për blerje votash, vjedhje votash, ndihmat e maxhorancës nga `bandat dhe elementë kriminalë`, nuk mund ta justifikojnë humbjen e tij dhe as ti ruajnë kolltukun në krye të Partisë më të madhe Opozitare.

Është më mirë për Bashën të japë dorëheqjen, dhe PD le të bëjë zgjedhje të reja për Kryetar Partie dhe për tu ristrukturuar, sepse egziston mundësia që edhe në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare të 2017, PD mund të pësojë një humbje tjetër po aq të madhe sa edhe të humbë vëndin e dytë si Parti.

Problemet e mëdha që ka Shqipëria si ato të bartura ashtu dhe ato të pa realizuara, problemet e papunësisë dhe të remitancave të pakta, të cilat nuk janë shkaktuar nga Maxhoranca e sotme, por janë bartur nga e kaluara duke i shtuar këtu dhe krizën greke dhe atë italianë në të cilat jetojnë mbi 1 milion shqiptarë, duhen zgjidhur duke punuar bashkarisht Maxhorancë dhe Opozitë konstruktive.

Lehjet dhe shpifjet për banda, kriminelë, vjedhje votash,  nuk mund të justifikojnë humbjen. Eksperienca ka treguar se prurjet e elementëve me të kaluar kriminale dhe jo të mirë, e kanë bazën në hartimin e ligjeve me difekte, dhe kryesisht të qeverisjes së kaluar sepse përzgjedhja e kandidatëve reduktohej vetëm me një dëshmi penaliteti të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë e qeverisjes së djeshme.

 Prandaj përmirësimi ligjor dhe reforma në drejtësi do të mund ta shpëtoje Shqipërinë nga prurjet kriminale në politikë, egzekutivi dhe në pushtetin lokal.

Le të shpresojmë që ky 1 milion shuplaka të dyta, dy vjet pas 1 milion shuplakave të para, do tua sjellin në metro, aventurizmin pa kuptim të një Kryetari që me të vërtetë ka ikur në drejtim të paditur, duke lehur e ankuar pa të drejtë si tek ndërkombëtarët ashtu dhe tek klani që e ka zgjedhur por që me sa duket është bërë pishman për këtë zgjedhje.

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: Kolektivisht të përhumbur!

“Do të vijë një kohë kur njerëzit do të presin në radhë për t’u turpëruar”, …