leoni

1981

Pjesë nga Ditari politik i Enver Hoxhës për protestat e demonstratat e marsit, prillit dhe majit të vitit 1981 në Kosovë I

Ju, zotërinj jugosllavë,  e keni gjakosur rëndë tri herë popullin martir shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi dhe që me 50 mijë veta luftoi krah për krah me vëllezërit jugosllavë dhe me popullin vëlla shqiptar që dërgoi brigadat sulmuese çlirimtare të tij në Jugosllavi kundër pushtuesve nazifashistë, çetnikë dhe ustashë. Me gjithë këtë luftë, ju me Rankoviçin e gjakosët në vitin 1945, në vitin 1966 dhe përsëri më 1981 e mbuluat me gjak. A mund të ecet më kështu, zotërinj udhëheqës jugosllavë? A i thonë kësaj «zgjidhje e drejtë e çështjes nacionale», siç po e trumbetoni çdo ditë këtë slogan? A do ta duronit ju një terror të tillë me popullin tuaj, a do të ishit ju aq gjakftohtë dhe aq të durueshëm, siç janë treguar kosovarët përpara këtyre ngjarjeve mizore? A nuk ka të drejtë të rrojë e qetë dhe e lirë popullsia shqiptare që jeton në trojet e veta në Jugosllavi? A nuk ka të drejtë ajo që të mos i hyjë udbashi në shtëpinë e tij dhe të burgosë, të torturojë e të dhunojë trimat e trimëreshat e saj? Shqiptarët e Jugosllavisë duhet t’i kenë të gjitha të drejtat dhe Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë do t’i mbrojë ata kur t’u shkelen këto dhe sidomos kur mbyten me gjak, siç ngjau kohët e fundit në të gjithë Kosovën.

Këto të vërteta që ne afirmojmë dhe këto të drejta që mbrojmë botërisht, ju i quani «ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë», i quani “organizim subversiv të Tiranës” etj. Jo, zotërinj, nuk është kështu dhe nuk ju beson njeri. Populli shqiptar që jeton në Jugosllavi është i zgjuar vetë dhe di çfarë bën, s’ka nevojë as ta mësojmë dhe as ta nxitim ne, shqiptarët e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ai është trim dhe i besës, di të kërkojë çka i takon, siç di të mbrohet vetë. I çmoni drejt, zotërinj udhëheqës jugosllavë, virtytet e larta të kësaj pjese të kombit shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi, mos e bëni armik, se nuk është mirë as për ju, as për ata, në qoftëse u shkelni të drejtat që u takojnë.

Marrëdhëniet arsimore, kulturore e shkencore që Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ka zhvilluar, në radhë të parë me Kosovën, por më pak edhe me Republikën Socialiste të Maqedonisë dhe me atë të Malit të Zi (dhe me këto të fundit më pak jo se ka munguar vullneti ynë), për mendimin tonë kanë qenë shumë normale, shumë frytdhënëse, shumë të dobishme dhe korrekte për të dyja palët. Këto marrëdhënie janë zhvilluar me pëlqimin e të dyja palëve dhe me marrëveshje në mes dy qeverive tona. Besojmë se qeveria e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë u ka dhënë pëlqimin si Krahinës Autonome të Kosovës, ashtu edhe të dyja republikave të federuara ku jetojnë shqiptarë. Por kjo është një çështje që nuk na përket neve.

Të dyja palëve na përket fakti që këto marrëdhënie ecnin në rrugën e drejtë, ato nuk kishin karakter politik, as nxitnin nacionalizmin, shovinizmin dhe irredentizmin. Bashkëpunimi shkencor dhe kulturor ka qenë vëllazëror, i çiltër, i sinqertë nga të gjitha palët. Asnjë reklamim të mungesës së korrektesës, të shkeljes së ligjeve të njërës ose të tjetrës republikë nga njerëzit në vajtjet dhe ardhjet në vendet tona, nuk u bë dhe asnjë incident, qoftë edhe i vogël, nuk ngjau. Ne kemi bindjen e plotë se këto marrëdhënie, siç keni qejf ta përsëritni shpeshherë, shërbyen si urë për forcimin e marrëdhënieve të popullit shqiptar me popujt e Jugosllavisë. Dhe në fakt këto marrëdhënie shkuan duke u forcuar.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …