Po vazhdon mbajtja e dëgjimeve publike për hartimin e buxhetit komunal të Malishevës

Në kuadër të procesit të hartimit të projekt buxhetit 2020-2022, me theks të veçantë të buxhetit për vitin 2020, drejtoria komunale për buxhet dhe financa, është duke vazhduar me mbajtjen e dëgjimeve publike, në të gjitha fshatrat dhe vendbanimet e Komunës së Malishevës. Dëgjimet janë mbajtur edhe në Banjë dhe Bellanicë. Fillimisht, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, e ka sqaruar para banorëve qarkoren e dytë buxhetore, si dhe qëllimin e mbajtjes së këtyre takimeve me qytetarë. “Qëllim i yni është që pjesën e buxhetit, që ka të bëjë me investimet kapitale, ta hartojmë bashkë me qytetarët, përkatësisht duke u bazuar në kërkesat dhe nevojat që keni ju si banorë. Bazuar në këto nevoja, ne do ta hartojmë buxhetin dhe prioritetet si dhe do ti orientojmë në këtë drejtim, në mënyrë që buxheti i paraparë për investime kapitale, e që është afër katër milion euro, të jetë tërësisht në shërbim të rritjes së mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë drejtori Mazreku. Edhe zyrtari kryesor financiar, në Komunën e Malishevës, Halil Shurdhaj, e ka sqaruar në detaje projekt buxhetin, ndërsa për këto takime, ka thënë se “kjo i shërben edhe rritjes së transparencës, pasi hartimi i buxhetit do të jet tërësisht transparent në raport me qytetarin, pasi vet qytetarët do ti orientojnë investimet dhe do ti caktojnë prioritetet”. Në këto takime, banorët kanë kërkuar që të investohet në infrastrukturë. Në Banjë, kërkesat që kanë dominuar, janë: Rregullimi i disa rrugëve, që lidhin disa lagje, e njëra prej tyre e shkurton edhe rrugën për në shkollë, për rreth dy kilometra, pastaj trotuare, ndërtimin apo hapjen e një çerdheje, ndërtimin e një këndi të lojërave pranë pishinave, zgjerimi i rrjetit të kanalizimit,  vazhdimi i rregullimit të ndriçimit publik, si dhe rregullimin e një rruge në mënyrë që të parandalohen vërshimet në një pjesë të fshatit. Ndërsa në Bellanicë, kërkesa apo prioritete për fshatin janë: Rregullimi i çështjes së ujit për pije, përkatësisht ndërtimi i rrethojës mbrojtëse tek burim i ujit dhe shtimi i kapacitetit të ujit, pastaj eliminimi i defekteve në sistemin e kanalizimit, disa rrugë brenda lagjeve, aneks shkollor, që mësimi të mbahet në një ndërrim, ndriçimi publik, rrethoja e shkollës, si dhe riparimi i rrugës kryesore në fshat. Takimet e tilla publike, do të vazhdojnë të mbahen në të gjitha vendbanimet e Komunës së Malishevës.

Kontrolloni gjithashtu

Filloi edhe një projekt i ri rrugor në komunën e Skenderajt

Filloi edhe një projekt i ri rrugor në komunën e Skenderajt, shumë i rëndësishëm për …