OKB

Prej sot, 1 janar 2022 e deri më 31 dhjetor 2023, Shqipëria do të ketë të drejtë vote për dy vitet e ardhshme në KS të OKB-së

Nga sot 1 janar 2022 dhe deri më 31 dhjetor 2023, Shqipëria do të ketë të drejtë vote për dy vitet e ardhshme për çështje me rëndësi ndërkombëtare mes 5 vendeve të përhershme në Këshillin e Sigurimit në OKB, SHBA-së, Anglisë, Francës, Kinës dhe Rusisë. Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka teksa uroi një vit të mbarë tha se Shqipëria do e përdor këtë mandat të saj si anëtare e jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit si mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, pasi kjo është një kauzë e shenjtë për vendin tonë.

Kjo ditë e parë e vitit të ri vjen për shqiptarët me një lajm vërtet të mirë. Sot, Shqipëria fillon mandatin e saj dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Që sot ekipi ynë i diplomatëve në Nju Jork do të ketë të drejtën të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit si një anëtar jo permanent, do të ketë të drejtën të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë për adresimin e çështjeve më të nxehta të sigurisë në botë. Do të ketë privilegjin të influencojë me forcën e ideve dhe eksperiencës sonë diskutimet mbi kërcënimet më të mprehta që rrezikojnë sot paqen e stabilitetin. Ky mandat nuk është një dhuratë që i ra Shqipërisë nga qielli. Një mandat në Këshillin e Sigurimit është diçka për të cilën vendet lobojnë e investojnë për vite e dekada. Të cilin mund ta fitosh vetëm nëse arrin të bindësh pjesën dërrmuese të vendeve të botës që je shtet vend serioz, që ke një diplomaci profesioniste e të besueshme, që ke diçka me vlerë për të kontribuar në diskutimet e mëdha globale. Prandaj sot, duhet të ndihemi të gjithë krenarë për diplomacinë shqiptare e për atë që ka arritur. Duhet të jemi po ashtu krenarë për faktin që sot Shqipëria shihet nga mbarë bota si një aktor serioz e i matur, me një politikë të qëndrueshme e të besueshme, një kontribues serioz në çështjet e sigurisë e paqes. Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshkasë drejt destabilizimit e tensioneve. Do të punojmë me aleatët e partnerët tanë për të avancuar së bashku agjendën e prioriteteve tona të përbashkëta, duke konsoliduar kështu akoma më shumë lidhjet e forta që na bashkojnë. Shumë vjet më parë, kur u mor për herë të parë vendimi për të filluar procesin e lobimit për një vend në Këshillin e Sigurimit, gjithçka dukej si një ëndërr e pamundur. E çmendur madje. Por ja ku jemi sot dhe ajo që dukej e pamundur sot është realitet”, tha Xhaçka.

Më 11 qershor 2021 Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 duke shënuar një ditë historike. Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria bën pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që nga dhjetori i vitit 1955, me përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë. Shqipëria u paraqit si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore. Veprimtaria e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka prioritet paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

 

Kontrolloni gjithashtu

Zoran Milanoviq, ka konfirmuar mbështetjen e vendosur të Kroacisë për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian

Kryetari i Kroacisë,  Zoran Milanoviq, ka konfirmuar mbështetjen e vendosur të vendit të tij  për …