Brickos

Jakup Krasniqi

Urime Ditëlindja, Jakup Krasniqi!

Sot, më një janar 2022, Jakup Krasniqi ka mbushur 71 vjet.

Dy përvjetorët e fundit të ditëlindjeve i ka shënuar në burgun e Sheveningenit,  në Hagë të Holandës, i akuzuar për krime të pretenduara nga Gjykata Speciale kundër luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por jo vetëm këto dy ditëlindje i ka shënuar  nëpër burgje,  Jakup Krasniqi.

Ditëlindje të tilla nën pranga ai ka shënuar edhe në burgjet e Kosovës, Bosnjës, Vojvodinës e burgje të tjera të ish-RSFJ-së, në të cilat  në vitin 1982 ka qenë i dënuar 15 vjet burg, për veprimtari atdhetare, të cilën regjimi jugosllav e cilësonte si veprimtari armiqësore, sikur thuhej zyrtarisht,  në pozita të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar.

 

Jakup Krasniqi ka shënuar edhe dy ditëlindje në kohën e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vitin 1998 dhe 1999.

Ditëlindjet e Jakup Krasniqit nëpër burgje të ish-Jugosllavisë dhe në burgun e Hagës, dhe dy ditëlindjet në luftën e UÇK-së, janë tregues me domethënie të një biografie të veçantë në historinë tonë të rezistencës kundër robërisë.

Qëndresa e paepur e Jakup Krasniqit, në ballin e përpjekjeve tona kolektive për çlirim e bashkim kombëtar, është rast unik, ashtu sikur janë unike  edhe raste të tjera, në forma të ndryshme të paraqitjeve të bashkëmendimtarëve dhe bashkëveprimtarëve të tij.

Jakup Krasniqi, qysh në rininë e tij është ballafaquar me vështirësisë e jetës nën robëri.

Në moshën e pjekurisë ishte në ballin e aktiviteteve kombëtare të organizuara që vepronin hapur dhe fshehtas, sipas kushteve dhe rrethanave historike, sidomos prej vitit 1981.

Në moshën e burrërisë ishte në mesin e ideatorëve dhe realizuesve të luftës për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, më 17 shkurt të vitit 2008 ku ishte ndër tre shpallësit zyrtar  të pavarësisë, në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Sot në moshën e pleqërisë, Jakup Krasniqi me bashkëveprimtarët e tij është vënë në mbrojtje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mbrojtje të pavarësisë së saj.

 

Jakup Krasniqi, është veprimtar ndër më të dalluarit e më të njohurit të Lëvizjes Atdhetare Shqiptare

Jakup Krasniqi  është i radhitur në mesin e personaliteteve më të shquara të kombit, jo vetëm në politikë e në aktivitetin e tij atdhetar, por edhe në perceptimin dhe studimin me realizëm të të gjitha zhvillimeve e rrjedhave tona kombëtare, sidomos prej viti 1981 e deri në ditët  tona, në të cilat ka qenë edhe subjekt me shumë rëndësi, veçmas në kohën e luftës, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pjesë e delegacionit të UÇK-së në Rambuje, në shkurt, mars të vitit 1999, ndërsa pas luftës  pjesë e organizimit  institucional të vendit, ministër, kryetar i Kuvendit të Kosovës,  në dy mandate madje në kohën e Shpalljes  së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të viti 2008, kryetari i Kosovës në detyrë për  disa muaj sipas funksionit në krye të Kuvendit dhe së fundmi kryetar i Këshillit kombëtar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës.

Përveç detyrave me rëndësi në institucionet e vendit, Jakup Krasniqi është marrë dhe merret aktivisht edhe me  studime shkencore, krijimtari publicistike, ndërsa  në vitet e pas luftës ka arritur të botojë një varg veprash me interes për shkencën,  politikën, publicistikën, ku ka lënë gjurmë me origjinalitet dhe pikëpamje të përparuara, të cilat e karakterizojnë tërë krijimtarinë e tij të begatshme studimore dhe publicistike.

Duke qenë për jetë i lidhur me fatin e kombit e Atdheut, një idealist i shkollës politike të Adem Demaçit dhe Lëvizjes Atdhetare të kohës e më vonë  i shkollës ushtarake të Adem Jasharit,  Jakup Krasniqi me jetën dhe veprën e tij ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në avansimin e zgjerimin e idesë së çlirimit dhe bashkimit të kombit, gjithnjë i organizuar në segmente të caktuara të veprimtarisë atdhetare.

Si protagonist i njohur i jetës politike dhe institucionale, intelektual i formuar në kohë në rrjedhat më të rënda të jetës sonë shoqërore, politike e kombëtare, kuadër i shkolluar në të gjitha nivelet arsimore, profesor doktor i historisë, Jakup Krasniqi është personalitet i formësuar me kohën dhe për kohën, në kthesat e mëdha kombëtare, në të cilat ka qenë jo vetëm pjesë përbërëse  sikur shumë të tjerë, por ishte në kreun e politikë-bërjes, veçmas  nga fillimi i luftës së UÇK-së në vitin 1998  e deri tani.

I vetëdijshëm për rolin dhe kontributin që ka dhënë  dhe ende jep për kombin e Atdheun, gjithnjë me shokë, me bashkëveprimtarë e bashkëmendimtarë, Jakup Krasniqi as për një çast nuk e ka pushuar veprimtarinë, kurrë nuk është dehur nga sukseset, edhe pse ato kanë qenë të shumta, meritore dhe në nivelet më të larta të hierarkisë së  jetës së organizuar shoqërore, kurrë nuk ka pushuar të merret madje edhe me problemet të cilat dikujt i duhen të vogla për  t’ u marrë seriozisht me to.

Në studimet dhe analizat e tij, në shkrimet të cilat i boton në shtypin dhe në mediet e vendit, Jakup Krasniqi, është analist kujdestar i  trajtimit, qasjes dhe këndvështrimit të shumë prej problemeve  shoqërore, politike, historike, kulturore, që kanë lënë  dhe gati përditë lënë gjurmë në sinkroninë e diakroninë e jetës shqiptare dhe më gjerë. Në analizat, komentet, vështrimet e studimet e tij, ai ka pozicion fondamental, mbrojtjen e interesit kombëtar e shoqëror, pasqyrimin sa më realist të problemeve, analizën sa më të gjithanshme, pa paragjykime, pa patetikë e mendjemadhësi të pozitës shoqërore, sikur bëjnë disa të tjerë, pa mendjemadhësinë e politikanit të pretendon se i di të gjitha, por nuk resht së analizuari  dhe komentuari thjesht, me gjuhën e fakteve lidhur me ngjarjet apo dukuritë të cilat i trajton.

 

Ahmet Qeriqi

Krojmir

  1. 1. 2022

Kontrolloni gjithashtu

Wisner: Është shqetësuese të shohësh sulmet që kemi parë, ato nuk kanë vend këtu, nuk është mirë që shqiptarët të shohin këtë gjë

Wisner: Është shqetësuese të shohësh sulmet që kemi parë, ato nuk kanë vend këtu, nuk është mirë që shqiptarët të shohin këtë gjë

I ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner, në një intervistë …