Prishtina pret konferencën më të madhe për drejtësinë tranzicionale dhe Gjykatën Speciale

Prishtina do të jetë nikoqire e konferencës më të madhe të organizuar ndonjëherë për drejtësinë tranzicionale dhe gjykatat ndërkombëtare që kanë trajtuar luftën e Kosovës, me fokus të veçantë gjykata speciale në Hagë. Konferenca do të mbahet më 10 dhe 11 qershor, në prag të Ditës së Çlirimit të Kosovës, dhe pritet të mbledhë dhjetëra personalitete vendore e ndërkombëtare nga fusha e drejtësisë, diplomacisë, medias dhe historisë. Pjesë e kësaj ngjarjeje do të jenë edhe figura që në të kaluarën kanë shprehur kritika ndaj procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara, ku prej afro gjashtë vitesh po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Në mesin e panelistëve do të jenë Daan Everts, ish-shef i OSBE-së në Kosovë; Sir Geoffrey Nice, ish-prokuror në gjykimin kundër Slobodan Milosheviqit në Tribunalin e Hagës; Robert Bosch, ish-ambasador i Holandës në Kosovë; si dhe Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit të Hagës. Kontribut në diskutimet mbi rolin e mediave në proceset e drejtësisë tranzicionale do të japin edhe gazetarë dhe autorë të njohur ndërkombëtarë, si Tim Judah, korrespondent i revistës “The Economist”, Ana Di Lellio dhe Dan Perry, ish-drejtor i agjencisë “Associated Press” për Evropën. Një nga prezantimet e veçanta do të mbahet nga historiani Jason Steinhauer, i cili do të trajtojë ndikimin e dezinformatave në rrjetet sociale dhe efektin e tyre në interpretimin e ngjarjeve historike. Organizatorë të konferencës janë organizatat e shoqërisë civile “Liria ka emër” dhe KIPRED.

Kontrolloni gjithashtu

Boris Mijatovic: Qetësia në Kosovë në shumë raste është mashtruese

Duke folur lidhur me mundësinë e zvogëlimit të trupave të KFOR-it në vendin tonë,  deputeti …