Turizmi në Kosovë po vazhdon të shënojë trend pozitiv, duke reflektuar interesimin në rritje të vizitorëve vendorë dhe ndërkombëtarë për destinacionet turistike të vendit. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë muajit prill 2026, në hotelet e Kosovës janë regjistruar gjithsej 67.093 vizitorë. Prej tyre, 27.034 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 40.060 vizitorë të huaj. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 54.812 vizitorë, numri i përgjithshëm i mysafirëve në hotele është rritur për 22,4 për qind. Po ashtu, numri i net-qëndrimeve arriti në 149.753, ku 75.143 ose 50,1 për qind u realizuan nga vizitorët e huaj, ndërsa 74.610 ose 49,8 për qind nga vizitorët vendorë. ASK bën të ditur se edhe numri i vizitorëve të huaj ka shënuar rritje të ndjeshme prej 23,5 për qind në krahasim me prillin e vitit 2025. Nga gjithsej 40.060 vizitorë të huaj, pjesa më e madhe vinin nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia. Këto statistika dëshmojnë se Kosova po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion tërheqës turistik në rajon, falë potencialeve natyrore, trashëgimisë kulturore dhe mikpritjes së njohur të qytetarëve të saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
