Sabit Syla

Prof. asoc. dr. Sabit Syla: Kosova ndërmjet Fuqive të Boshtit dhe Aleatëve të Mëdhenj Perëndimorë II

Qëndrimi i Aleatëve

Sikurse rajonet tjera në Evropë dhe botë, edhe rajoni i Ballkanit paraqiti një pikë konfrontimi ushtarak midis forcave të Boshtit dhe atyre Aleate. Interesimi i forcave Aleate për ta sfiduar Italinë në Ballkan daton që nga pjesa e parë e vitit 1940 kur në kuadër të qarqeve ushtarake britanike filluan të krijohen mekanizma për veprimtari sabotuese apo subversive kundër shteteve që konsideroheshin armike të Britanisë. Në këtë mënyrë, në korrik 1940, formohet Special Operations Executive (SOE), dega e së cilës në Beograd përfshinte organizimin e aktiviteteve për Shqipërinë e Veriut, në krye të së cilës u vu Dayrell Oakley Hill, ish-instruktor në xhandarmërinë e Shqipërisë së Zogut. Kjo degë rekrutoi një numër shqiptarësh, si: Gani Kryeziun (me vëllezërit Seitin dhe Hasanin), Xhemal Herrin, Abaz Kupin, Muharrem Bajraktarin, Mustafa Gjinishin etj. Dega në fjalë përgatiti dhe më 17 dhjetor 1940, i parashtroi autoriteteve britanike planin për një kryengritje në Shqipërinë e Veriut, pa përfshirjen e Zogut. Plani ishte që Gani Kryeziu të veprojë me një forcë ushtarake nga Kosova që do të pajisen dhe financohen nga autoritetet ushtarake britanike. Kjo forcë parashihej që ta pushtonte Kukësin ku do ta formonte një “qeveri kombëtare mbretërore”, e cila më pas do të ndihmohej zyrtarisht nga qeveria britanike si lëvizjes për çlirimin e Shqipërisë. Por, një plan i tillë u hodh poshtë pasi u refuzua nga qeveria greke, e cila ishte kundër një qeverie të përkohshme shqiptare.

Në këtë periudhë, Britania i kushtonte rëndësi të veçantë rolit të Greqisë në rajon dhe tentonte që përmes një politike progreke ta parandalonte rënien e saj nën orbitën gjermane. Sigurisht, qasja progreke ndikohej nga pozita e saj strategjike. Për britanikët ishte tepër me rëndësi të mbahej kontrolli i Mesdheut. Në anën tjetër, objektivat britanike lidhur me planin e mësipërm ishin të paqarta në rastin e Kosovës. Flitej për një “lëvizje çlirimtare shqiptare” dhe një “qeveri kombëtare”, por nuk jepeshin të dhëna se çka do të përfshihej në këtë projekt, aq më parë kur kryengritja duhej të zhvillohej nga shqiptarët e Kosovës.

 Britania si një fuqi e kohës zhvillonte politika të jashtme të nivelit global dhe nuk mund të lejonte projekte të mekanizmave të saj ushtarakë që mund të sillnin probleme përcjellëse. Kjo mund të dëshmohet nga deklarata e Sekretarit të Jashtëm britanik, Antony Eden, kur deklaronte se “SOE nuk mund ta bëj politikën e jashtme. Ata janë instrumenti ynë, e ne nuk jemi instrumenti i tyre”.

Politika britanike filloi të bëhet më dinamike në verë të vitit 1943. Rënia e Musolinit nga pushteti në korrik 1943, dhe më pas kapitullimi i Italisë në shtator 1943, dhe pushtimi që Gjermania i bëri rajoneve nën kontrollin italian në Ballkan, bëri që vëmendja e forcave Aleate të kthehej nga Ballkani, e rrjedhimisht edhe nga shqiptarët ndonëse jo për nga rëndësia që ata i jepnin kombeve tjera. Me të dëgjuar për rënien e Musolinit, kryeministri britanik urdhëroi dërgimin e një misioni ndërlidhës ushtarak në Jugosllavi, për të vënë kontakte me Josip Broz Titon, komandant i përgjithshëm i ushtrisë partizane dhe kryetar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Vendimi i Çerçillit për të dërguar një mision ushtarak ndërlidhës nënkuptonte se Britania tanimë njohu partizanët si faktor lufte në Jugosllavi dhe gradualisht hoqi dorë nga bashkëpunimi me Lëvizjen Çetnike të Drazha Mihailoviqit.

Një qasje e re vuri nën hije planet britanike të vitit 1942 për krijimin e një konfederate ballkanike midis Greqisë e Jugosllavisë, të diskutuara me qeveritë mbretërore në ekzil të këtyre dy vendeve, që mundësisht do ta përfshinte në të edhe Shqipërinë, e që do të zgjerohej më vonë edhe me shtetet tjera ballkanike. Fokusi britanik pas kapitullimit të Italisë vihej vetëm në sigurimin e fitores në luftë, dhe përkohësisht hoqi dorë nga kalkulimet politike. Prandaj, misionet britanike pranë Titos kishin vetëm qëllime ushtarake. Politika britanike ishte që të dëmtohej armiku sa më shumë, e nisur nga ky qëllim ajo do ta ndihmonte çdokë që i luftonte gjermanët. Politika ishte çështje sekondare. Forma qeverisëse e Jugosllavisë, sikurse theksohej vazhdimisht, duhej të vendosej nga vetë jugosllavët pas lufte.

Një qëndrimi i tillë politik i Britanisë konsistonte në respektimin e parimeve të Kartës së Atlantikut, një deklaratë e përbashkët e presidentit të SHBA-së dhe kryeministrit britanik, e transmetuar në gusht 1941, që ndër të tjera nuk njihte kufijtë e ndryshuar gjatë luftës dhe njihte parimin e vetëvendosjes së popujve.

Në të njëjtën kohë, po i njëjti qëndrim u shpreh edhe nga Këshilli Ekzekutiv i Kominternit, i cili deklaronte se nuk e njihte ndryshimin e kufijve të bërë nga pushtuesit fashistë, dhe se do të respektoheshin kufijtë e paraluftës. Madje edhe porosiste, që të shmangeshin çështjet të tilla delikate e të diskutueshme, si çështja e kufijve, pasi kjo çështje ishte lënë për t’u gjykuar e për t’u zgjidhur pas mbarimit të luftës, në bazë të vetëvendosjes së lirë. Internacionalja Komuniste përveç se nuk njihte asnjë ndryshim kufijsh të bërë prej Gjermanisë, do të deklaronte se, “tanësia jugosllave duhet të mbesi siç qe”. Edhe Deklarata e Kombeve të Bashkuara, e 1 janarit 1942, e firmosur nga 26 shtete, ndër të cilët SHBA, BRSS, Britania e Madhe dhe Kina, e cila hodhi themelet e aleancës antifashiste, rikonfirmoi edhe njëherë Kartën e Atlantikut dhe parimet e saj.

Në bazë të parimeve të mësipërme aleatët e Britanisë, SHBA e BRSS, gjatë dhjetorit 1942, ishin shprehur për pavarësinë dhe restaurimin e pavarësisë së Shqipërisë. Një formulim i tillë jep të kuptohet se ata fjalën e kanë tek kufijtë e Shqipërisë së vitit 1913, rrjedhimisht Kosova dhe trevat shqiptare që kanë qenë në ish-Jugosllavi, do të mbesin në Jugosllavinë e re të pasluftës. Por, ngjashëm nuk ishte shprehur edhe Britania. Hezitimi për t’u shprehur jep të kuptohet se Britania ende nuk kishte vendosur se çfarë do të ndodhte me Shqipërinë pas lufte. Opsionet mbi të ardhmen e Shqipërisë, shkonin nga copëtimi midis Jugosllavisë e Greqisë si aleate të Britanisë e deri tek vendosja e një qeverie probritanike. Për më tepër, qëndrimi britanik në raport ndaj zhvillimeve në Shqipëri gjatë vitit 1943 ishte i ndryshëm nga ai me Jugosllavinë. Në rastin e Shqipërisë ajo inkurajonte forcat e rezistencës shqiptare të qëndronin pasive dhe të prisnin rastin kur do të piqen kushtet për dërgimin e forcave aleate tokësore dhe detare në Shqipëri. Duke miratuar një strategji të tillë, Britania ishte e prirë pafavorshëm ndaj zhvillimeve të shkallës së gjerë të betejës nacionalçlirimtare para zbarkimit të forcave anglo-amerikane në këtë vend. Por, planet britanike për një zbarkim të mundshëm në Ballkan dhe Shqipëri në pranverë-verë 1943, nuk u realizuan. Para qeverisë britanike dhe komandës së Aleatëve u shfaqën dy probleme: së pari, a do ta trajtonin Shqipërinë si “territor mik” apo si “territor armik”, dhe së dyti, çfarë do të bënin me territoret shqiptare të Kosovës dhe viseve të tjera, a do të vazhdonin t’i ruanin ato siç ishin, apo do t’ia rikthenin Jugosllavisë e cila si edhe Shqipëria do të ishte nën administrimin ushtarak britanik. Plani britanik për zbarkim në Greqi, Shqipëri dhe Jugosllavi nuk gjeti miratimin e amerikanëve, të cilët e kundërshtuan atë veçanërisht në Konferencën e Ministrave të Jashtëm në Moskë, në tetor 1943. Pas kësaj periudhe, britanikët hoqën dorë nga plani i tyre për zbarkim në Ballkan. Operacionet e Aleatëve në këtë rajon do të ishin të kufizuara. Ato do të përqendroheshin në dhënien e furnizimeve për gueriljet ballkanike nëpërmjet transportit ajror e detar, dërgimit të forcave komando dhe bombardimit të objekteve strategjike.

Misionet ushtarake britanike e vazhduan veprimtarinë e tyre në Kosovë dhe Shqipëri. Burimet ushtarake gjermane japin të dhëna se në janar 1944 në rajonin e Gjakovës, nën ndikimin e oficerëve anglezë, po organizoheshin forcat komuniste. Sipas këtyre burimeve, pesë oficerë anglezë zbarkuan me parashuta afër Kalimashit, kurse tre të tjerë ishin duke punuar me grupin e Fadil Hoxhës në Tropojë. Po ashtu, thuhet se misionet britanike janë duke punuar në linjën Tropojë – Krasniqe – Degë, përfshirë këtu grupin e Adem Hoxhës, Fadil Hoxhës e Muharrem Bajraktarit, gjithë së bashku me rreth 800 veta.

Por, Piter Kemp, njëri nga oficerët më të njohur britanik që veproi në Kosovë, konstatonte se përkrahja më e fuqishme nga radhët e parisë së Kosovës vinte nga familja e Kryezinjëve të Gjakovës, dy prej të cilëve (Ganiu dhe Seiti) kishin qenë të internuar nga italianët me dyshimin se po merreshin me veprimtari probritanike. Pas kapitullimit të Italisë, ata nga gjysma e janarit 1944 arritën në Kosovë dhe i deklaruan Kempit se ishin të gatshëm të fillonin aksionin kundër gjermanëve. Ata kishin 100 ushtarë të armatosur dhe ishin të bindur që për një kohë të shkurtër mund t’i siguronin edhe 1000 të tjerë. Pas tre ditësh, pasi u pajtuan rreth një plani për organizimin e një kryengritjeje të përgjithshme në Kosovë, Kampit i erdhi urdhri nga eprorët e tij nga SOE, për t’i ndërprerë te gjitha kontaktet me ta, me arsyetimin se partizanët komunistë po protestonin kundër marrëveshjes së Kempit me krerët e rezistencës jo komuniste. “Marrëdhëniet tona me partizanët jugosllavë”, thuhej në mesazhin e SOE, “kanë një rëndësi vendimtare”.

Në vendimin e mësipërm shihen qartë dy tendenca: Britania njihte fuqinë e ushtrisë partizane jugosllave dhe ishte në gjendje të plotësonte edhe kërkesat e saj politike vetëm që ta ketë pranë në realizimin e qëllimeve të luftës, dhe e dyta, partizanët apo komunistët jugosllavë veçse kishin filluar të punonin tashmë haptas që Kosova dhe trevat shqiptare, të cilat kishin qenë nën ish-Mbretërinë e Jugosllavisë, të binin përsëri nën Jugosllavinë e re që do të krijohej pas lufte.

Në vazhdën e tendencës së parë pozicionimi i Britanisë në krah të Titos u manifestua edhe në vendimet e Konferencës së Teheranit, të shpallura më 1 dhjetor 1943, pas bisedave midis përfaqësuesve më të lartë të SHBA-së, BRSS-së dhe Britanisë së Madhe. Pika 1 e konkluzioneve ushtarake shpreh vendimin që partizanët e Jugosllavisë të ndihmohen në shkallën më të lartë të mundshme me materiale dhe pajisje ushtarake, përfshirë edhe operacionet komando.

Në këtë periudhë kur Aleatët kishin filluar ta kalkulonin fitoren, në skenë të diskutimeve dolën edhe kufijtë midis Jugosllavisë e Shqipërisë. Koloneli Palmer, që kishte për mision të bisedonte me Enver Hoxhën rreth njohjes së qeverisë shqiptare, i kishte thënë këtij të fundit se varej nga FNÇ e Shqipërisë nëse do t’i ndihmojë partizanët jugosllavë për dëbimin e gjermanëve nga Jugosllavia dhe se një gjë e tillë mund të zgjidhej midis Enverit e Titos, por se ai nuk ishte i autorizuar të ofrojë asnjë ndihmë jashtë kufijve të Shqipërisë së vitit 1939.

Një deklarim i tillë kishte prapavijën tek njohuritë që oficerët anglezë i kishin për pretendimet jugosllave ndaj Kosovës. Philip Brod deklaronte: “Kufijtë për të përfituar Shqipëria nuk duhet njohur, por duhet njohur kufijtë e vendosur në Konferencën e fundit të Paqes”. Ndërsa, diplomati D. S. Laskaj, më 1 nëntor 1944, do të shkruante: “Qeveria jugosllave, përderisa mbetet kryesisht partizane, mund ta lejonte Shqipërinë të mbante Kosovën. Por, siç është sugjeruar në Athinë, ata mund të kërkojnë si shpërblim që Shqipëria të hyjë në ndonjë formë të Federatës jugosllave. Për sa i përket Shqipërisë unë mendoj senjë çmim i tillë ja vlen të paguhet”. Por, sa ishte real një vlerësim i tillë? Komanda Supreme e Aleatëve, duke mbështetur Mareshalin Tito dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare jugosllave në luftë ndaj gjermanëve, u premtonte atyre përfshirjen e Kosovës në të ashtuquajturën Serbi e Madhe. “Serbë! Kur së bashku do të kemi fituar luftën, atëherë SHBA dhe Anglia do t’ju ndihmojnë ju të krijoni Serbinë e Madhe, të re e të fortë, të tillë që ju të bëheni populli më i fortë i Ballkanit, më i fuqishëm se kurdoherë”.

Ndryshe nga diplomati Laskaj, duket se Enver Hoxha e kishte konsideruar të rrezikshëm eksperimentin e mbetjes në një federatë të cekur më lart, ku gjasat për humbjen e përhershme të pavarësisë e më pas edhe copëtimin e trevave shqiptare ishin reale.

Vendimi i Aleatëve për të ndihmuar ushtrinë partizane jugosllave sigurisht që do të kishte pasoja negative për shqiptarët e Kosovës, të cilët tek Jugosllavia i shihnin përvojat e së kaluarës sikurse dhuna e terrori, shpërnguljet, kolonizimi e konfiskimi i pronave dhe mohimi i të drejtave elementare të njeriut. Prandaj, ata me skepticizëm të thellë shihnin edhe alternativën partizane, ndonëse kjo e fundit trumbetonte barazinë e kombeve.

Derisa tanimë ishte e qartë se Kosova do të mbetej sërish nën Jugosllavi, është me rëndësi të ceken edhe dy rekomandime lidhur me Kosovën dhe kufijtë shqiptaro-jugosllavë, të përgatitura nga Misioni Ushtarak britanik pranë Titos dhe Misioni Civil amerikan në Shqipëri. Në rastin e parë, nga Misioni Ushtarak britanik pranë Titos, në prill 1944 u raportua që “e ardhmja e Kosovës do të vendosej me plebishit. Kufiri i saj, po të jetë e nevojshme, mund të caktohej në favor të Shqipërisë”. Duke u bazuar në dokumentet paraprake të Departamentit të Kërkimeve mbi kufirin shqiptaro-jugosllav dhe shqiptaro-grek, më 30 qershor 1944,Foreign Office përpunoi një raport mbi kufirin shqiptaro-jugosllav. Sipas këtij raporti, kufiri shqiptaro-jugosllav duhej ta ndiqte këtë linjë: “Kurrizin malor midis sistemit krahor të Adriatikut e sistemeve të Detit të Zi dhe Egjeut, d.m.th. kështu ai do të mund të ndryshohej në mënyrë që të shkojë nga Veriu gjatë maleve të larta midis Plavës dhe Pejës, të rrotullohet në drejtim të Lindjes gjatë kurrizit malor midis Drinit të Bardhë dhe Sitnicës (do të thotë gjatë lartësive midis Metohisë dhe rrafshinave të Kosovës, duke ndarë kështu midis dy shteteve krahinën të marrë nga Jugosllavia dhe dhënë Shqipërisë në këtë lokalitet, më 1941), të futet në drejtim të Jugut gjatë kreshtës së maleve të larta, në lindje të Prizrenit dhe të Dibrës, të arrijë Liqenin e Ohrit midis Ohrit dhe Strugës. Kufiri veriperëndimor i Shqipërisë relativisht nuk kishte rëndësi. Kufiri i vendosur më 1941, etnikisht është më i mirë se ai që ekzistonte më parë. Nga ana tjetër, Gucia dhe Plava janë në anën e Jugosllavisë me male shumë të larta. Në afërsitë e Liqenit të Shkodrës pranimi nga ana e Jugosllavisë i linjës së vitit 1941 i kënaqshëm, por me një vlerë shumë të ngutshme, duke marrë parasysh popullsitë e vogla që ka aty. Pretendimet jugosllave në territorin shqiptar, nuk mbështeten në baza etnike. Ato do të mund të justifikoheshin nga konsiderata strategjike ose ekonomike (nevoja e Serbisë për të dalë në det). Por një nevojë e tillë mund të plotësohej me daljen e Serbisë në det në Dalmacinë e Jugut ose me anën e një skeme ndërkombëtare për zhvillim ekonomik të Shqipërisë dhe të Maqedonisë”.

Por, qeveria britanike nuk ishte dakord me idenë e mbajtjes së një plebishiti që do të përcaktonte të ardhmen e shqiptarëve të këtyre territoreve, pavarësisht nga dëshira e tyre për t’u bashkuar me Shqipërinë dhe parimet e vendosura nga Karta e Atlantikut. Sidoqoftë, studiuesit seriozë dhe metodikë britanikë, brenda apo jashtë Ministrisë së Jashtme, nuk e kanë lënë pa e trajtuar edhe alternativën e bashkimit të plotë apo të pjesshëm të shqiptarëve në një shtet të vetëm, duke ndryshuar e korrigjuar kufijtë. Vëmendjes së tyre nuk i kanë kaluar as problemet ekonomike të shtetit të bashkuar shqiptar dhe rolit komplementar që solli bashkimi i territoreve shqiptare.

Rekomandimi i dytë lidhur me kufijtë e Shqipërisë buron nga një raport i hartuar nën kujdesin e Misionit Civil Amerikan në Shqipëri, me titull:“Përmbledhje mbi të gjeturat dhe rekomandimet lidhur me njohjen e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”, e cila i transmetohet Sekretarit amerikan të Shtetit, më 15 gusht 1945. Lidhur me çështjet kufitare shqiptaro-jugosllave, në rastin e Kosovës, raporti thekson:“Autoritetet shqiptare me sa duket e kanë pranuar në heshtje qëndrimin jugosllav se nuk duhet të ketë ndryshime të këtij kufiri, por është e qartë se kjo heshtje është rezultat i ndikimit të Titos mbi regjimin aktual në Shqipëri… mundësisht komisioni që do ta studionte problemin me kufirin greko-shqiptar, ta studiojë edhe këtë problem në aspekt të ofrimit të rekomandimeve përgjatë kornizave të një marrëveshjeje të ngjashme me ato të kufirit shqiptaro-grek, në përjashtim të asaj që një pjesë e madhe e territorit të Kosovës t’i bashkohet Shqipërisë dhe në bazë të kësaj të bëhet edhe transferimi i popullsisë. Po ashtu, nuk ka dyshim se bashkëpunimi i autoriteteve jugosllave në këtë drejtim është i domosdoshëm”.

Por, nuk ka asnjë reagim ndaj një oferte të tillë, apo së paku nuk ekzistojnë të dhëna për diçka të tillë nga qarqet diplomatike amerikane, ngaqë thuhej se një raport i tillë nuk është shtypur në letër, por i është transmetuar drejtpërdrejt Departamentit të Shtetit. Në mungesë të burimeve dokumentare ne vetëm mund të supozojmë se ekziston mundësia që diçka e tillë të jetë hedhur poshtë si një ide e pabazë dhe e parealizueshme në rrethanat e kohës, apo ndoshta edhe Aleatët kanë menduar se çështja e transferimit të popullsisë në Kosovë mund të ishte një precedent për vendet tjera.

Siç duket, Enver Hoxha e kishte kuptuar mesazhin e Aleatëve, por edhe të jugosllavëve. Në Plenumin e KQ të PKSH-së, mbajtur në Berat nga 23 deri 27 nëntor 1944, çështja e Kosovës nuk u zu fare në gojë. Po ashtu, për Kosovën nuk u diskutua zgjidhje e as nuk u fol për të në mbledhjen e dytë të KANÇ e as në ditën e 28 Nëntorit, kur qeveria e Enver Hoxhës, hyri në Tiranë dhe mbajti një fjalim të gjatë aty, para masës. Po ashtu, në një artikull të gazetës “Bashkimi”, organ i Frontit Nacionalçlirimtar të Shqipërisë, botuar më 4 janar 1945, e që burimet amerikane e transmetonin më 9 janar 1945, ajo që binte në sy ishte se Enver Hoxha nuk e ngriti fare çështjen e Kosovës.

Por, mund të ketë ndodhur që një qëndrim i tillë i LNÇ-së të Shqipërisë të ketë qenë rezultat i garancive të fuqishme jugosllave për të drejtën e vetëvendosjes së popujve, që mund të dëshmohet përmes dy akteve të mëhershme: (1) Udhëzimet që emisari Tempo ia adresonte Komitetit të Qarkut të PKJ-së për Kosovë, 2 tetor 1943, se: “Sa i përket kufijve të ardhshëm midis Jugosllavisë e Shqipërisë, këto do të rregullohen përmes harmonisë vëllazërore midis UNÇ-së së Jugosllavisë dhe UNÇ-së së Shqipërisë, në bazë të parimit tëvetëvendosjes së popujve”, dhe (2) Letra që Komiteti Qendror i PKJ i drejtonte Komitetit Qendror të PKSH, datë 2 dhjetor 1943, ku ndër të tjera thuhej: “Secili popull ka të drejtë për vetëvendosje, përfshirë edhe shkëputjen; dhe se shqiptarët e Kosovës dhe të Metohisë kanë të drejtë të përcaktohen se ku dhe si dëshirojnë të jetojnë”. Por një pikë të kësaj letre theksonte se “ne nuk i përkrahim gjitha lëvizjet nacionale, por ato që veprojnë kundër imperializmit…”. Letra e mësipërme argumenton strategjinë jugosllave në Kosovë, ushtritë partizane jugosllave shtypnin pa mëshirë çdo lëvizje të rezistencës kombëtare jo komuniste, duke i cilësuar ato si kundërrevolucionare.

Një argument që shkon në drejtim të faktit se partizanët komunistë të Shqipërisë u kanë besuar deklaratave të partizanëve jugosllavë rreth vetëvendosjes së popujve gjendet në burimet amerikane të kohës. Në letrën që Këshilltari politik pranë Shtabit të Forcave Aleate, Alexander C. Kirk, ia adresonte Sekretarit amerikan të Shtetit, 23 tetor 1944, thuhej se OSS raportonte se Enver Hoxha u shpreh në favor të kufijve jugorë të Shqipërisë, të caktuara nga Konferenca e Londrës më 1913. Ai u shpreh se grekët duhet të kthehen në Shqipëri dhe nuk sheh ndonjë arsye për plebishit në Shqipërinë Jugore, dhe se do ta kundërshtonte një iniciativë të tillë, pasi e konsideronte rajonin në fjalë si pjesë të Shqipërisë, për të cilin edhe do të luftonte. Në anën tjetër, Hoxha e konsideronte Kosovën si një problem që mund të zgjidhet me plebishit. Megjithatë, propaganda jugosllave për vetëvendosje të popujve ishte vënë në sprovë nga Konferenca Nacionalçlirimtare, e mbajtur në Bujan më 31 dhjetor 1943 dhe 1, 2 janar 1944. Rezoluta që doli nga kjo konferencë, pika kryesore e së cilës ishte shprehja e së drejtës për vetëvendosje, respektivisht dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë hasi në reagimin negativ të qarqeve komuniste jugosllave, të cilat filluan një fushatë për dënimin dhe distancimin nga ky akt “separatist”.

Pavarësisht të gjithave, fillimi i vitit 1945 shënon konkretizimin e ambicieve të partizanëve jugosllavë për vendosjen e Kosovës nën Jugosllavi. Më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇ-së së Jugosllavisë jep urdhër për vendosjen e administratës ushtarake në Kosovë, kurse si komandant emëron një serbo-malazez, Sava Derljeviqi. Qëllimi i kësaj administrate ishte shtypja e çdo lloj rezistence nga ana e shqiptarëve të Kosovës dhe përgatitja e kushteve faktike që Kosova të përfshihet në rregullimin e ardhshëm të Jugosllavisë, kuptohet jo si njësi konstituive federale, por vetëm si rajon territorial. Vendosja e administratës ushtarake u shoqërua me dhunë brutale kundër popullsisë shqiptare të ushtruar nga ushtritë partizane.

Ndonëse fati i Kosovës u vendos përmes përdorimit të forcës ushtarake nga ana e partizanëve jugosllavë, pati edhe atribute ligjore nga fuqitë aleate përmes dy akteve. E para, në Konferencën e Jaltës, shkurt 1945, tre të Mëdhenjtë njohën kufijtë e Jugosllavisë të parapushtimit, por duke e lënë të hapur problemin e pretendimeve jugosllave për kufijtë e saj me Italinë e Austrinë. Si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e këtyre vendimeve ishte se Kosova de jure e de facto do të ishte në kuadër të Jugosllavisë. Ndërkaq, duke folur për Shqipërinë, Stalini e cilësoi atë që nuk meritonte status e respekt të duhur për t’u radhitur në krah të kombeve tjera. Për më tepër, Konferenca e Jaltës kishte miratuar edhe një “Deklaratë mbi Evropën e çliruar”. Ndër të tjera në paragrafët e saj thuhej: “Një nga parimet e Kartës së Atlantikut është që të gjithë popujt të zgjedhin formën e qeverisë nën të cilën mendojnë të jetojnë dhe që të drejtat sovrane të autonomisë nga të cilat u zhveshën me forcë prej vendeve agresore, duhet t’u kthehen”. Jo vetëm vendimi i Jaltës por edhe kjo deklaratë binte në kundërshtim, për Kosovën për të drejtën e saj për vetëvendosje, përderisa theksohen të drejtat autonome.

E dyta, Sekretari britanik i Shtetit, paraqiti më 5 korrik 1945, një plan mbi kornizat e marrëveshjes paqësore me Italinë. Lidhur me Shqipërinë thuhej se Italia duhet ta njohë pavarësinë e Shqipërisë dhe të heq dorë nga pozitat e veçanta në këtë shtet në të kaluarën. Në memorandumin e përgatitur për paqe me Italinë shkruhej qartë se: (1) Italia ta njohë Shqipërinë si një shtet i lirë dhe i pavarur; (2) Italia t’ia njohë Shqipërisë ishullin e Sazanit; (3) gjitha traktatet midis qeverisë italiane dhe të ashtuquajturës qeveri shqiptare që nga prilli 1938 të shpallen të pavlefshme dhe të anuluara.

Kontrolloni gjithashtu

Kandidati për kryetar të Maqedonisë, Bujar Osmani, ka prezantuar platformën prej 10 pikave për zgjedhjet e 24 prillit

Bujar Osmani, është personalitet i kompletuar dhe ndër më të emancipuarit në mesin e burrështetasve shqiptarë të kohës sonë

Burrështetasi, Bujar Osmani, kandidat për kryetar në Maqedoninë Veriore, është personaliteti më i kompletuar dhe  …