Brickos

Prof. dr. Bashkim Musliu

Prof. dr. Bashkim Musliu: MMPH, zëvendësministrat dhe ndotja e ajrit

Kryeqyteti po vuan nga tejndotja e ajrit. Shëndeti i qytetarëve po rrezikohet. Përgjegjësia më e madhe bie mbi Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Për këtë shkrim të shkurtër u nxita jo vetëm nga të dhënat lidhur me ndotjen e ajrit në kryeqytet, por edhe nga shkrimi në portalin  e gazetës “Express’, me titull ‘Kosova i ka gjashtë zëvendësministra të Ambientit, kurse ajrin e kemi si në ditën e kiametit’.

Qëllimi i shkrimit nuk është ta liroj veten nga përgjegjësia, por, si thuhet ta kënaq perëndinë e të së vërtetës.

Në gazetën Express thuhet se ‘Gjashtë zëvendësministra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk kanë prezantuar ndonjë plan për përmirësimin e ajrit në kryeqytet’.  Fatkeqësisht kjo është e vërtetë, por zëvendësministrat nuk janë bartës të këtij mëkati, sepse ata ende nuk i kanë marrë përgjegjësitë në MMPH. Në të vetmin takim me ministren jemi marrë vesh që zëvendësministrat të ngarkohen me përgjegjësi deri më 10 janar, por ndarja e punëve nuk është bërë!

Po të kthehemi të ndotja e ajrit në kryeqytet. MMPH-ja vazhdimisht po thotë se jemi duke i identifikuar ndotësit më të mëdhenj të ajrit në kryeqytet. Thua se kjo ministri është formuar tani dhe ka mbetur ende në fazën e identifikimit të ndotësve të ajrit! Mendoj se s’ka kryeqytetas që nuk i di burimet e ndotjes, ndërsa MMPH-ja ende po i identifikuaka ndotësit më të mëdhenj!

Po si të dilet nga kjo situatë, së paku përkohësisht! Mendoj se duhet te merren këta hapa, sado që hapi i parë mund të mos pëlqehen nga qytetarët:

Gjatë muajit shkurt në kryeqytet të lejohen të qarkullojnë një ditë veturat me numrin e fundit çift dhe ditën tjetër ato me numrin e fundit tek (në datat me numër çift veturat me numër çift, ndërsa në datat me numër tek veturat më nr. tek të targës);

Gjatë natës të eksportohet energji elektrike nga Shqipëria në mënyrë që KEK-u të zvogëlojë në minimum prodhimin dhe rrjedhimisht edhe ndotjen e ajrit;

Qeveria ose edhe Komuna e Prishtinës të ndajnë buxhet që, së paku, gjatë muajit shkurt thëngjilli për ngrohje në institucionet publike (aty ku është e mundur dhe aq sa lejon buxheti) të zëvendësohet me lëndë drusore (besoj se për zëvendësimin e thëngjillit me dru, në një numër të konsiderueshëm të institucioneve publikes, do të mjaftonin paratë që shpenzohen nga MMPH-ja për udhëtime jashtë vendit).

Ndoshta me këtë shkrim të shkurtër nuk do të ndikoj aspak në përmirësimin e gjendjes, por, si kanë thënë latinët ‘ E thashë dhe e shpëtova shpirtin tim’.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …